Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në fjalën e tij para mijëra qytetarëve shqiptarë, deklaroi se opozita dhe shqiptarët nuk do të bëjnë asnjë hap pas.
Basha tha se, Edi Rama sot duhet të ishte para drejtësisë pasi u ka vjedhur votat shqiptarëve. Ai tha më tej se, Rama po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi. Më tej Basha theksoi se, togfjalëshi ‘Rama Ik’ është në buzën e çdo shqiptari.
“Mirëse keni ardhur në këtë bashkim popullor të paparë asnjë herë. Dua tu shpreh sot mirënjohjen time, por në fakt kam nderi tu shpreh mirënjohjen në emër të çdo vogëlushi shqiptar, në emër të të gjithë fëmijëve dhe gjithë shqiptarëve për këtë asamble të paparë e të padëgjuar të lirisë e demokracisë, të mbledhur kaq të vendosur dhe të prerë në kushtrimin tuaj, që sot kushtron për ta dëgjuar e gjithë bota. Rama ik.
Ky bashkim popullor është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, të shtypur, dhunuar, të nëpërkëmbur, mashtruar, tradhtuar nga një bandë kriminale që kurrsesi nuk mund të jetë më qeveria e Shqipërisë. Dhe nga një kryebandit që është hajduti më i madh i të gjitha kohërave. Rama ik, le ta dëgjojë edhe në bunkierin ku është fshehur, Rama Ik.
Sot ende nëpër Shqipëri kufoma politike e njeriut më të urryer që nga diktatura. Edi Rama është njeriu që u kap duke vjedhur votat e shqiptarëve, me banditët më famëkeq të Europës. Sot ai duhet të ishte para drejtësisë dhe duhet të ishte në burg, për vjedhjet që ju ka bërë juve”, deklaroi Basha.
Kryetari i opozitës ka deklaruar se sot Rama duhet të ishte para drejtësisë për shkak të vjedhjeve dhe instalimit të një bande kriminale në qeveri.