Kreu i PD Lulzim Basha, ka dënuar ashpër sulmin rus ndaj Ukrainës. Në fjalën e tij në Kuvend, Basha deklaroi se kjo është një çështje që duhet të marrë vëmendje maksimale.
Por ndërsa ne ndodhemi këtu në këtë sallë dhe patjetër që koha në vijim do të përdoret për të mos i ikur gjëmës më të madhe që ka dominuar edhe vëmendjen e opinionit publik, skandalit më të madh të këtyre 30 viteve atë të iceneratorëve, kemi detyrimin ton moral së pari në raport me aleatët tanë në NATO dhe me një vend që është zgjuar nën agresionin Rus.
Dhe së dyti në raport me aspiratat tona kombëtare dhe me detyrimet tona karshi partnerëve tanë të mbajmë një qëndrim të qartë e të paekuivok për agresionin e Rusisë kundër sovranitetit, lirisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.”, tha Basha, ndërsa shtoi: “Duke qenë se është një çështje e rëndësishëm, që s’ka të bëjë me çështje të aktualitetit shqiptar, dua të vlerësoni qëndrimin tim dhe kërkesën time pa ekuivok. PD dhe unë ndjekim çdo qëndrim dhe vlerësojmë çdo qëndrim që vjen nga çdo forcë. Thirrja ime ndaj përgjegjësve të ekzekutimit, i drejtohet kreut të qeverisë dhe institucioneve, nuk ju drejtohet juve si kryetare e Parlamentit, apo dhe deputetëve në sallë.”
Fjala e plotë e kryetarit të PD në Kuvend
Të dashur bashkëqytetarë, zonja dhe zotërinj, punimet e seancës të të enjtes kanë në rendin e ditës dy marrëveshje ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ambientin dhe me lundrimin, Ndërkohë që në komisionin përbashkët parlamentar Shqipëri-BE që po përfundon, po shkon drejt përfundimit ngrihen çështje të rëndësishme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që nga lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, zgjedhjet, masakra zgjedhore dhe gjithçka tjetër. Por ndërsa ne ndodhemi këtu në këtë sallë dhe patjetër që koha në vijim do të përdoret për të mos i ikur gjëmës më të madhe që ka dominuar edhe vëmendjen e opinionit publik, skandalit më të madh të këtyre 30 viteve atë të iceneratorëve, kemi detyrimin ton moral së pari në raport me aleatët tanë në NATO dhe me një vend që është zgjuar nën agresionin Rus. Dhe së dyti në raport me aspiratat tona kombëtare dhe me detyrimet tona karshi partnerëve tanë të mbajmë një qëndrim të qartë e të paekuivok për agresionin e Rusisë kundër sovranitetit, lirisë dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ndaj, ndërkohë që do të kemi mjaftueshëm kohë për përballjen e të vërtetave të dhimbshme që kanë dalë tashmë hapur e nuk mund të mbulohet nga recitimet e askujt siç nuk mbuluan dot as dje nga recitimet e kryeministrit. Padiskutim që do t’i dëgjojmë këto recitime, por nga ana tjetër tashmë kemi fakte, fakte me vlerë, provash për SPAK-un dhe drejtësinë shqiptare në rastin e inceneratorëve, dua për një moment të shkëputemi qoftë nga pika e rendi të ditës për të cilën ka nisur diskutimi, qoftë nga i pashmangshmi debat këtu për aferën e shekullit dhe të shpreh në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në emër të opozitës shqiptare, jam i bindur në emër të çdo shqiptare dhe shqiptari, e madje edhe në emër të mbarë kombit shqiptar dënimin paekuivok në termat më të ashpra, të agresionit të Vladimir Putin dhe regjimit të tij kundër sovranitetit, lirisë dhe integritetit territorial të Ukrainës. Njëkohësisht i bëjmë thirrje për një qëndrim të shpejt, të paekuivok, të vendosur kundër këtij agresioni nga organizata e kombeve të bashkuara, nga aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO dhe nga Bashkimi Europian. Në dy organizatat e para, Shqipëria ka tashmë një zë të veçantë, si anëtare e Këshillit të Sigurimit, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit dhe si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet ta thotë fortë zërin e saj. Ajo para së cilës ndodhemi, ndonëse në një gjeografi tjetër dhe jo me paralele të ngjashme, nuk ndryshon në dramën njerëzore që po përjeton populli i Ukrainës nga ajo që ne përjetuam në vitet 98-99, agresionin e makinerisë ushtarake genocidale të Millosheviçit kundër shqiptarëve në Kosovë, futjen e ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake, masakrat mbi civilët, pushtimin me forcë, zhvendosjen, spastrimin etnik dhe gjenocidin. Por akti i mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesit të sotëm i kapërcen këto kufij në një aspekt. Ky është akti i parë i plotë dhe i mirëfilltë i një invazioni, i një pushtimi të mirëfilltë të një vendi sovran dhe të lirë nga një vend tjetër në thyerje të parimeve bazë të rendit ndërkombëtar të ndërtuar pas tragjedisë më të madhe që njerëzimi ka njohur gjatë luftës së dytë botërore. Luftë e cila përfundoi me krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kartës themeluese të kësaj organizate e cila sot ka mundësinë të tregohet edhe një herë si gardiane e lirisë dhe sovranitetit të kombeve, vetëm duke qëndruar në krah të popullit të Ukrainës, të autoriteteve të Ukrainës me të gjitha format dhe mënyrat. Ndaj Partia Demokratike dhe opozita në mënyrë të paekuivoke autoriteteve shqiptare të marrin të gjithë masat jo vetëm për bashkërendimin e plotë diplomatik në Këshillin e Sigurimit, në NATO dhe çdo masë tjetër për t’u gjendur pranë autoriteteve dhe qytetarëve ukrainas brenda mundësive tona në këtë akt të pashembullt agresioni si dhe për një qëndrim pa asnjë ekuivok koherent dhe jo në funksion të agjendës së përditshme politike ë gjithsecilit që ka përgjegjësitë aktuale dhe përfaqësimit aktual në këtë vend pavarësisht pre legjitimitetit apo kontestimeve të legjitimitetit që ne tashmë i dimë. Në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës shqiptare jam i bindur në emër të çdo shqiptari dënoj edhe njëherë me forcë agresionin rus mbështesim një reagim të shpejtë dhe të vendosur të paekuivok të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të NATO-s të Bashkimit Europian dhe qëndrojmë me solidaritet dhe mbështetje të qytetarëve ukrainas, jetët e të cilëve ndodhen aktualisht në rrezik për shkak të paprovokuar të Rusisë nën drejtimin e Vladimir Putin.