Basha në një intervistë ndryshe flet për jetën personale: Fëmijëria ishte e lumtur falë dashurisë dhe kujdesit të prindërve, pavarësisht kushteve të diktaturës

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë të veçantë në emisionin “Fit” në News24, ku ka ndarë kujtime nga fëmijërinë e tij.

Duke folur për vitet e para të jetës, Basha theksoi se, përkundër kushteve të vështira të diktaturës komuniste, kujdesi dhe dashuria e prindërve të tij e bënë fëmijërinë e tij të lumtur.

Ai kujtoi se, megjithëse Shqipëria ishte nën regjimin e asaj kohe dhe familjet përballoheshin me deprivime, ai nuk kishte asnjë kujtim të hidhur falë dashurisë që mori nga familja. Basha shtoi se për të ishte shumë e rëndësishme ngrohtësia e familjes dhe lidhjet e forta me të afërmit, të cilat krijonin një komunitet më të ngjeshur, një ndjenjë që ai thotë se mungon sot.

“E kujtoj si një fëmijëri të lumtur. Pavarësisht se kanë qenë kohë kretësisht të ndryshme. Fëmijërija ime përkon me kohën kur Shqipëria gjendej nën diktaturën komuniste, deprivime të mëdha për familjet shqiptare. Por falë kujdesit të jashtëzakonshem të prindërve, të familjes në tërrësi domethënë, nuk kam asnjë kujtesë të hidhur ndaj atyre deprivimeve me të cilat faktikisht jetonte çdo familje, apo shumica dërrmuese e familjeve shqiptare në komunizëm. Kështu që, kujtimet e fëmijërisë i kam të lumtura. Në radhë të parë, mendoj falë dashurisë me të cilën jam rritur në familje, jam bekuar me një dashuri të jashtëzakonshme gjatë gjithë jetës sime, që nga ajo me të cilën më kanë rritur prindërit e mi, e më vonë pastaj me bashkëshorten, me vajzat e mia. Por kur e mendoj si kronologji, siç edhe më pyete, është shumë e rëndësishme për fëmijët të ndjejnë ngrohtësinë e familjes. Dhe unë e kam ndjerë. Sigurisht ka qenë një kohë kur edhe lidhjet me familjet, në kuptimin e gjerë të fjalës, me kushërinjtë e parë, me tezet, me dajat me xhaxhallarët, me hallat, ishin shumë më të mëdha. Me të vërtetë ishte vetëm një ditë pushimi, e diela, por ajo ishte një ditë që tërrësisht i përkushtohej vizitave të familjeve të njëri-tjetrit, drekat e mëdha familjare. Në tërrësi domethënë ishte një komunitet shumë më i ngjizur sesa sot . Kjo është besoj çdokush që e ka përjetuar, e ndjen mungesën” – u shpreh Basha.

Exit mobile version