Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar disa takime sot me banorët e Paskuqanit, Tiranë, duke shkuar vetë për të folur me ta në bizneset e tyre modeste përgjatë rrugëve dhe në fund, duke i ftuar të gjithë në protestën 16 marsit përpara Kryeministrisë.
Fjala e plotë e kryetarit Basha
Faleminderit zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra për këtë pritje të jashtëzakonshme që më rezervuat sot, në këtë të shtunë të bukur në mesin e komunitetit tuaj këtu në Paskuqan ku kthehem dhe shoh me sytë e mi diçka që ju e shijoni prej muajsh; mbajtjen e fjalës nga Xhelal Mziu. Herën e fundit, këpucët tona u mbushën me pluhur dhe me baltë, ashtu sikundër këpucët e fëmijëve tuaj mbusheshin me pluhur dhe baltë për vite me rradhë nga mungesa e investimeve, nga harresa, nga varfëria që kishte pllakosur këtë komunitet.
Sot, të paktën ka një ndryshim; infrastruktura e kësaj zone është ndërtuar, rrugët janë ndërtuar, i pashë me sytë e mi, çdo rrugë lidhëse në çdo lagje të kësaj zone dhe këtu në këtë zonë historike në Babrru, ku për herë të parë në 30 vite, po shikoni se çfarë mund të ndryshojë një pushtetar që e jep fjalën dhe e mban fjalën. Ju dha fjalën se do të ndërtonte rrugët dhe i ndërtoi rrugët për ju.
Por miqtë e mi, ju e dini shumë mirë edhe anën tjetër të kësaj medaljeje, të pushtetarit që vjen me premtime të mëdha dhe nuk bën asgjë;
Që premtoi 300 mijë vende pune dhe çoi 500 mijë shqiptarë refugjatë në kurbet,
Që premtoi shëndetësi falas dhe jua shkatërroi totalisht spitalet dhe shërbimin shëndetësor.
Që premtoi uljen e taksave për 97.5 përqind të shqiptarëve dhe sot më shumë njerëz kanë mbyllur bizneset nga ata që kam takuar në zonën e Paskuqanit dhe po bëhen gati t’i mbyllin për shkak të taksave të larta dhe çmimit të lartë të energjisë.
Premtimet e pambajtura të Edi Ramës flasin vetë. Ju të gjithë e dini fare mirë se ky njeri premtimet i bëri lumë dhe nuk mbajti asnjë prej tyre, për një arsye të vetme: sepse pushtetin e tij nuk e ka lidhur me fjalën, me besën, me premtimet e qytetarit. Ai e ka lidhur pushtetin e tij me ndihmën e kriminelëve dhe oligarkëve që vjedhin nga mëngjesi deri në darkë, që pasurohen me taksat tuaja. Ata pasurohen, populli varfërohet. Ata jetojnë në luks, Edi Rama jeton në luks dhe bredh në gjithë botën me charter, populli nuk ka lek të blejë biletën e autobusit.
Kësaj gjendjeje, shqiptarët kanë vendosur t’i japin fund. Partia Demokratike dhe unë ju jemi përgjigjur dhe për këtë arsye i kemi dhënë fund parlamentit të krimit me djegien e mandateve me datën 21 shkurt, duke iu përgjigjur vullnetit tuaj, kërkesës tuaj për t’i hapur rrugë një ndryshimi të madh për Shqipërinë dhe ky ndryshim po vjen.
Ndryshimi që ne kërkojmë për Shqipërinë është i njëjtë si ndryshimi që ju doni për familjet tuaja. Ju doni që kryefamiljarët të mbajnë përgjegjësi para fëmijëve, para familjarëve dhe ne duam që sëbashku të kemi një qeveri që mban përgjegjësi para njerëzve, një kryeministër që po nuk i mbajti premtimet, largohet. Një kryeministër dhe një qeveri që të kujdeset për më të pamundurit dhe të ketë objektiv numër 1: mirëqenien dhe punësimin e njerëzve.
Shqipëria i ka mundësitë të zhvillohet e të krijojë mirëqenie. Për këtë duhet barazi para ligjit, për këtë duhet që qeveria të ketë frikë popullin dhe jo populli qeverinë. Për këtë duhet që për ato vlera europiane për të cilat ikin shqiptarët drejt Europës, të fillojmë t’i ndërtojmë këtu në vendin tonë.
Ju e keni në dorë çelësin e këtij ndryshimi. Ju e keni në dorë të keni një qeveri që ditën e parë ta ulë çmimin e naftës me 300 lek. Ky është zotimi i Partisë Demokratike, ky është plani ekonomik.
Ju e keni në dorë të keni një qeveri që të ulë çmimin e energjisë dhe që familjet në ndihmë ekonomike t’i kenë falas 300 kilovatët e parë.
Ju e keni në dorë të keni një qeveri të ulë taksat dhe të lërë bizneset, sipërmarrësit të punojnë dhe të krijojnë vende pune, vende pune me paga dinjitoze, vende pune me mundësi për gjithë shqiptarët dhe në veçanti për rininë.
Pengesa e vetme për këto dhe për shumë masa të tjera që do të lehtësojnë jetën tuaj, do të lehtësojnë barrën e jetës, do tw ulin koston e jetësës, do të hapin vende pune, do tw ulin taksat, pengesa e vetme për Shqipërinë europiane është një njeri që ka humbur çdo lidhje me realitetin. Është një njeri që jeton brenda flluskës së tij të propagandës, i kredhur në luksin që ka krijuar për vete dhe për miqtë e tij, me lekët që u ka vjedhur shqiptarëve.
Rruga që ne kemi përcaktuar, do ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë. Por, kjo rrugë kërkon që të jemi të gjithë bashkë. Kjo rrugë kërkon që të jemi të gjithë të vendosur për ta çuar deri në fund. Shpresa e vetme e Edi Ramës për të vazhduar për të qëndruar në pushtet, në këtë pushtet që e ka blerë me lekët e krimit, është t’i përçajë shqiptarët e t’i lodhë shqiptarët.
Ndaj dua të ju pyes: a jeni lodhur?
Populli: Joooo
A jeni të bashkuar?
Populli: Poooo
A jemi të gjithë edhe më shumë edhe më të bashkuar, si sot një javë në sheshin e protestës?
Populli: Poooo
Jam i bindur në këto që thoni, sepse mrekullia e bashkimit të shqiptarëve, nuk është thjesht forca që kemi demonstruar, por është shpresa që kemi ndezur në shpirtin e çdo shqiptari për një ndryshim të vërtetë që po vjen.
Ndaj, ju ftoj ta vazhdojmë këtë marshim të gjithë bashkë më 16 mars, sot një javë, të shtunën, në sheshin e protestës, për të larguar këtë qeveri të krimit, për t’i dhënë vendit një qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një parlament nga populli, për popullin dhe të popullit.
Bashkë e kemi në dorë ta ndryshojmë këtë vend.Bashkë jemi shumica. Të djathtë e të majtë.Ndajmë të njëjtat halle, të njëjtat ëndrra për fëmijët dhe rininë.Të gjithë duam t’i japim fund emigracionit. Ne duam që fëmijët tanë ta ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri.
Madje duam që edhe ata që kanë ikur, të kenë mundësi të kthehen e të bashkohen me familjet e tyre, sepse Shqipëria i ka mundësitë, sepse Shqipëria nuk është një vend i varfër, por është një vend i vjedhur.Shqipërinë e vjedh qeveria, Shqipërinë e vjedh Edi Rama, Shqipërinë e vjedhin oligarkët grabitqarë.
Kësaj do t’i japim fund!
Në rrugën tonë nuk ka asnjë hap pas, ndaj ju kërkoj të jemi të gjithë bashkë me 16 mars dhe të vazhdojmë betejën tonë deri në fitore.Fitore që do t’i takojë qytetarëve shqiptarë.
Kjo nuk bëhet për pushtet, por bëhet për ndryshim.
Kjo betejë nuk bëhet për pushtetin tim, nuk bëhet për pushtetin e një partie politike, bëhet për ndryshim dhe ndryshimi do të vijë kur pushtetin një orë e më parë, një herë e mirë, ta keni në orë ju, qytetarë fisnikë, punëtorë të lirë të këtij vendi.
Faleminderit dhe mirënjohje për mbështetjen tuaj!
Mirënjohje për qëndresën tuaj dhe dua të falënderoj një njeri i cili e ka mbajtur fjalën përpara jush, por e ka mbajtur fjalën edhe para meje me punën e përditshme, në këto javë, muaj dhe vite që i besuat mandatin e kryetarit të Bashkisë.
Akoma ka shumë halle dhe jam i sigurt që të gjitha, duke nisur nga ndihma ekonomike, që këtu është bërë një kasaphanë e vërtetë.
Në Paskuqan ka më pak njerëz me ndihmë ekonomike sesa në Bllok, që është një shenjë e qartë e korrupsionit të Edi Ramës dhe i diskriminimit që i ka bërë kësaj zone. Por, të jeni të sigurt, se kur t’i bashkojmë forcat me pushtetin lokal, me Xhelal Mziun dhe pushtetin qëndror, me një qeveri që do t’ju përgjigjet për hallet tuaja, ndryshimi pozitiv për çdo familje do të ndjehet kudo, por për këtë së pari duhet të fitojmë betejën.
Që të fitojmë betejën, na duhet vetëm një gjë.Unitet, pjesëmarrje, qëndresë, duke filluar me 16 marsin, sot një javë, në sheshin përpara Kryeministrisë.
Falemnderit nga zemra.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Paskuqanin, Kamzën dhe Shqipërinë!
Falemnderit!