Basha në “Review” në Euronews Albania: Vota më 11 maj është vendim për 1460 ditë – Zgjidh numrin 4, jo për t’i nxjerrë nga burgu të korruptuarit

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania me gazetaren Jonida Shehu, u bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë përpara se të votojnë më 11 maj, duke theksuar se çdo votë ka pasoja për katër vitet e ardhshme.

“Votimi nuk është një akt momental, por një vendim që ndikon në 1460 ditë të jetës sonë. Katër vite më parë u mor një vendim dhe pasojat e tij i kemi ndjerë të gjithë: varfëri, korrupsion dhe një qeveri që punon vetëm për shokët e vet”,
deklaroi Basha.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për mbrojtjen e personave të inkriminuar dhe paralajmëroi se vota për numrin 5 do të thotë “nxjerrje nga burgu e shokëve të Edi Ramës të dënuar për korrupsion”, ndërsa vota për numrin 1 do të thotë “nxjerrja e Ilir Metës nga burgu”. “Propozimi për të luftuar korrupsionin me Rroshin dhe Metën është një tallje e hidhur me demokratët”, shtoi ai.

Sipas Bashës, vota e vetme që garanton një luftë të vërtetë kundër korrupsionit, mbështetje për SPAK-un dhe kthimin e parave publike te qytetarët, është vota për numrin 4 – Koalicioni Euroatlantik.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Në datën 11 maj, është mundësi, është vendim që e merrni një herë në katër vjet. Para katër vitesh, e keni marrë këtë vendim, dhe 1460 ditë, katër vjet, jetoni me pasojat e atij vendimi. Keni parë vendin të varfërohet, keni parë korrupsionin të rritet, keni luftuar për të mbijetuar për të mbyllur muajin ndërkohë që qeveria merrej vetëm me mbrojtjen e shokëve të vet dhe mbushjen e xhepave në kurrizin tuaj. E gjitha kjo, për një vendim të gabuar, qoftë ky për një votë të gabuar apo mosmarrjen e këtij vendimi, mos shkuarje në votime.
Më 11 maj, të gjithë neve kemi një votë. Një votë ka gjithësecili prej jush. Merrni vendimin e duhur për veten tuaj dhe familjet tuaja. Padiskutim vota për numrin pesë, është votë për të nxjerrë nga burgu shokët e Edi Ramës, tek 7×7=313, që janë atje për korrupsion se ju kanë vjedhur. E them, me dhimbje por voto për numrin një, kësaj rradhe shkon me nxjerr Ilir Metën nga Burgu. Propozimi që të luftosh krimin dhe korrupsionin me Elvis Rroshin dhe Ilir Metën, është tallje me demokratët. Shumë prej jush kanë reflektuar. E vetmja votë për luftë deri në fund korrupsionit, për mbështetje SPAK-ut, dhe paratë në xhepat tuaja jo në xhepat e të korruptuarve, është vota për numrin 4, Koalicionin Euroatlantik. Kjo është ftesa që ju bëj, për të djelën një javë, më 11 Maj, merrni pak kohë, dilni votoni numrin 4, Koalicionin Euroatlantik.

Exit mobile version