Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka parë nga pranë gjendjen në të cilën ndodhen banorët e Thumanës, pas tërmetit të rëndë që goditi vendin më 26 nëntor.
Gjatë bisedës me banorët Basha konstatoi se ata ndodhen në gjendje të vështirë për shkak të indiferencës që po tregon qeveria.
“Shteti të vërë dorë, se edhe ne jemi njerëz”. Kjo është thirrja që e dëgjon nga pothuajse çdo banor i Thumanës, ku u vranë 24 peroan nga shembja e 2 pallateve dhe ku mbetën pa shtëpi me qindra familje të tjera. Shumë prej tyre i treguan Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kushtet e vështora në të cilat jetojnë, me fëmijë të sëmurë, me të moshuar, në çadra plasmasi, pas braktisjes nga autoritetet shtetërore.
“Nuk më kanë ofruar as hotel, as bonus, as shtëpi me qera”, thotë një zonjë e revoltuar, pjesë e një famioje me 15 persona, që e kalojnë dimrin sa në çadër, sa në verandën e shtëpisë, pasi kanë frikë të futen brenda shtëpisë së dëmtuar. “Të na thotë, është e banuar kjo shtëpi? Të futem brenda. Nqse nuk është e banueshme, të dalim jashtë. Shteti nuk po pyet fare për ne. Jemi njerëz mbi të gjitha”, shprehet vëllai i sja, i cili shqetësohet për fatin e të birit të mitur, që e kuron me ilaçe të kushtetueshme.
”Nuk ka asnjë arsye që familjarët të mos sistemohet në banesa me qera të paguara nga shteti, përveç faktit që nuk duan të prekin lekët e oligarkëve. Për ne si opozitë, ky është krim. Këtu në Thumanë ka ndodhur një krim. 24 vetë janë varrosur për së gjalli për shkak të neglizhencës së shtetit. E njëjta neglizhencë kriminale që varrosi ata njerëz, e njëjta neglizhencë kriminale mund të kushtojë prapë jetë, sepse me motin e ftohtë, edhe fëmijët, edhe të sëmurët, edhe të moshuarit mund të sëmuren.
Çfarë do të presim ne, që të ndodhë katastrofa?!”, theksoi kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili apeloi për masa urgjente ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. S’kemi ardhur as për politikë, as për vota. Nuk ka detyrë më të shenjtë për ne, si njerëz në rradhë të parë, si familjarë, si prindër, e pastaj edhe si opozitë që të jemi afër jush. Këtë kemi bërë, këtë do të bëjmë deri sa së bashku ta kalojmë këtë të keqe”.
Zoti Basha vuri në dukje se qeveria e mbajti Thumanën për dy javë në qendër të vëmendjes me propagandë, për shkak të 24 viktimave, ndërsa tani e kanë harruar e braktisur duke i lënë në gjendje të mjeruar. “Ne nuk folëm në fillim fare se ishte tërmeti, ishin njerëzit nën rrënoja, por këtu ka ndodhur një krim, e pa u zbardhur ai krim, pa u çuar përgjegjësit para drejtësisë nuk kemi për të pushuar. Dhe për këtë ju jap fjalën, edhe ju dhe gjithë të afërmve të banorëve që kanë humbur jetën në ato rrënoja”- theksoi kreu i opozitës.
Në të paktën 2 raste, dy kryefamiljarë treguan se kanë marrë kredi për të rregulluar shtëpitë pas tërmetit të 21 Shtatorit dhe tani janë në vështirësi të mëdha, sepse edhe shtëpitë u dëmtuan sërish nga tërmeti, edhe shteti nuk ekziston për ta. “Kam kërkuar që të verifikuar shtëpia me ekspertë, të mos pësoj edhe unë si pallatet. E dyta, kam kërkuar edhe një bonus qeraje si i verbër. Se unë akoma vazhdoj me kredinë për çatinë, tani në korrik e mbyll”, i tha njëri prej tyre zotit Basha.
“Kjo punë kërkon që të shkundet shteti dhe të vihet në krye të detyrës. Ky shtet i ka harru njerëzit”, theksoi kreu i opozitës, i cili propozoi edhe një zgjidhje për këtë kategori qytetarësh. “Këto kredi të gjitha duhet të shlyhen nga shteti, se unë e di që ju nuk keni takat t’i shlyeni”.