Peka: Zoti Basha, për ta mbyllur, a ka arritur opozita shqiptare të sigurojë një qasje të re të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Shqipërisë?
Basha: Kjo është një punë e vazhdueshme dhe e përditshme, jo vetëm në raport me Departamentin e Shtetit, por edhe në raport me të gjitha kancelaritë perëndimore. Sfida në botën e sotme, siç ju e dini fare mirë, jo vetëm në politikë është sfida e marrjes së informacionit të duhur, informacionit të saktë dhe mos rënia pre e informacioneve të gabuara, informacioneve të rreme, ‘fake neës’ apo ‘fake facts’. Natyrisht në këtë sfidë, opozita është e disavantazhuar, sepse qeveria, edhe një qeveri e ndershme, ka më shumë mjete sesa një opozitë. Por këtu s’kemi të bëjmë me një qeveri të ndershme, kemi të bëjmë me një manipulator, një mjeshtër manipulimi si Edi Rama. Mendoj se në qoftë se do të mbahet mend për disa gjëra në histori, do të jetë edhe kjo, qenia e tij mjeshtër i manipulimit, që ka ndërtuar një makineri propagandistike shumë të shtrenjtë. Sepse ai është në gjendje ta paguajë, sepse vlera e parave të drogës, vlera e parave të korrupsionit është pothuajse zero, xhepat e tij janë shumë të thellë. Në këtë makineri propagandistike përfshihen firma lobimi, përfshihen gazetarë, përfshihen politikanë, përfshihen diplomatë… Por mendoj se edhe këtu ka arritur në një pikë të ngopjes, vjen një moment, ku sado i mirë të jetë sapuni, nuk e shet dot për djathë. Dhe shifrat, faktet, që sot nuk janë thjesht dhe vetëm të opozitës, por të agjencive të ligjzbatimit në Berlin, në Uashington, në Londër, në Romë e kudo tjetër, tregojnë se Edi Rama është një kryeministër i falimentuar, falë të cilit sot Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballen me më shumë drogë, me më shumë krim dhe me më shumë emigracion të paligjshëm.
Peka: Me këtë që më thatë, po kuptoj se opozita po pret ngopjen zoti Basha.
Basha: Jo, nëqoftëse thoni këtë, s’keni kuptuar asgjë.
Peka: Sepse ndoshta s’ju kemi besuar, por prej vitesh, në qoftë se ka pasur lider apo udhëheqës që nuk ka bërë inflacion kërcënimesh, keni qenë ju, por me idenë që Edi Rama e ndihmon opozitën me qeverisjen e tij, për të qenë më aktive dhe për të ardhur sa më shpejt në pushtet. A mendoni se ngopja në keqqeverisje e sjell lehtësisht opozitën në pushtet?
Basha: Edhe kjo është një tezë anti opozitë, e përpunuar nga ata të cilët e dinë që mënyra e vetme për të mbrojtur qeverinë është të sulmosh opozitën. Opozita ka qenë aktive si rrallë ndonjë opozitë në Ballkan. Hapni arkivin tuaj dhe do të shikoni se ndërthurja e aksionit tonë politik dhe shumëllojshmëria e aksionit tonë politik në këto vite flet vetë, nuk ka nevojë ta komentoj unë. Është opozita që ka mbajtur protestën më të gjatë në Evropë, 90 ditë e 90 net, është opozita që ka organizuar protestat më të mëdha, është opozita që ka bërë mobilizimin më kapilar, qytet më qytet, duke përfshirë edhe qershorin e kaluar, kur në pseudoturin e vet, Edi Rama mundohej të tregonte atë që nuk ekziston dhe bënte propagandë, por qytetarët e zhveshën nga propaganda, nga Elbasani në Fier, nga Durrësi në Korçë, e në Shkodër e kudo tjetër. Pra opozita ka qenë jashtëzakonisht aktive dhe është e interesuar që ora e bashkëqeverisjes me krimin të mbarojë një sekondë e më parë.
Peka: Zoti Basha, faleminderit.
Basha: Faleminderit ju!