Lideri i opozitës, Lulzim Basha, në një pronocim për mediat nga Berati foli edhe për aksionin opozitar në ditët në vijim. Ai tha se do ketë një ndërthurje me vijimin e qëndresës, denoncimit dhe madje dhe protestave.
“Do vazhdojmë me ndërthurje të aksionit opozitar. Do të ketë një ndërthurje me denoncimet, vijimin e qëndresës së protestave dhe me shpalosjen e planit tonë për të ndryshuar vendin duke nisur me ndryshimin ekonomik. Ky ndryshim ekonomik do vijë kur të kemi një qeveri nga njerëzit për njerëzit, jo për oligarkinë dhe krimit nga krimi për oligarkinë”, iu përgjigj Basha interesimit të gazetarëve pas takimit ne strukturat në Berat.
Basha tha më tej se, Berati e braktisi Ramën më 30 qershor, ku edhe socialistët nuk dolën në votimet farsë.
Ai tha se ka marrë shumë mesazhe nga prindërit për kriterin e mesatares për maturantët. Basha tha se shqiptarët e kanë dhënë verdiktin e tyre.
“Padrejtësia që është bërë me ndryshimin në çastin e fundit mbi kriterin e mesatares për maturantët është një nga talljet e fundit të këtij regjimi. Shqiptarët e kanë dhënë verdiktin e tyre. 85% e shqiptarëve është vota më e pastër për largimin e këtij regjimit, detyra jonë ta kthejmë në një energji për ndryshim, projekt shprese”, tha Basha.
Basha ishte mbrëmjen e sotme në Urën Vajgujore dhe në Kuçovë ku zhvilloi një takim me strukturat e PD-së. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se shqiptarët refuzuan Ramën dhe mazhorancën me 30 qershor si asnjëherë më parë.
“Ajo që ka ndodhur në 30 Qershor, nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada. Braktisja dhe refuzimi i Edi Ramës ka qenë në proporcione masive. Askush nuk është refuzuar si Edi Rama dhe regjimi i tij. Në ketë refuzim gjejnë shprehje disa prej problemeve kryesore, për të cilat jemi angazhuar në këtë aksion të paprecedentë politik. Vetëdijësim i shqiptarëve se 30 qershori ishte ditë për oligarkët, banditët, për shërbetoret e Edi Ramës, por jo një ditë për qytetarët e zakonshëm”, u shpreh Basha.
Basha tha se, 30 qershori nuk mund të prodhojë asnjë pasojë juridike përveçse ndaj atyre që kanë shpërdorur burimet shtetërore në një proces farsë, duke nisur nga paratë që kanë hedhur në një proces të pligjshëm.
Basha theksoi se po të kishim një prokuror të ndershëm dhe me integritet, sot të gjithë këta persona, duke nisur me Edi Ramën, me KQZ, me ministritë e përfshira, do të ishin nën hetim për shpërdorim detyre dhe shpërdorim financiar.