Basha nga Gjirokastra: Pension minimal 250 mijë lekë, paga dinjitoze, taksë e sheshtë 9 %

Gjirokastra I ka ofruar një pritje entuziaste Kryetarit të PD, Basha. Vetëm dy ditë para protestës së 11 Majit, Basha ka bërë thirrje për një bashkim të madh popullor në Tiranë ndërsa ka premtuar ndryshim të thellë në qeverisjen e vendit me largimin e Ramës duke bërë që pensioni minimal të arrijë në 250 mijë lekë.

“Brenda 4 viteve të para, pensioni minimal do të jetë 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Do ta ndalim eksodin e mjekëve dhe infermierëve, përmes ngritjes së rrogave në 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo rritje do jetë edhe një tregues indeksimi për të gjitha shërbimet e tjera në Shqipëri.

Do ndalim krizën e arsimit të lartë me dyfishimin e buxhetit. Buxheti do subvencionojë në masën 100 % tarifat e bachelor dhe master për të gjithë ata studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë, dhe 50 % për pjesën tjetër. Do ti japim fund emigracionit të të rinjve.

Inxhinierët tanë të teknologjisë dhe elektronikës nuk do të shkojnë në punë të zeza në rrugët e Evropës, por do punojnë këtu sepse me sistemin e taksës së sheshtë 9 % do thithë investime të huaja direkte duke nisur me ekonominë gjermane”, tha Basha.

Exit mobile version