Basha: Ngjarja e Elbasanit, e rëndë! Presim drejtësinë. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës shit-blerja e votës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar sërish ngjarjen e fundit kriminale në Elbasan, si dhe ka theksuar nevojën emergjente për ndryshim që kanë shqiptarët, të cilën do e shprehin në zgjedhjet e 25 prillit.

I ftuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, Basha e nisi intervistën me ngjarjen e ndodhur dje në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani, duke e cilësuar një ngjarje të rëndë, dhe duke iu kërkuar të gjithëve që të presin, derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën.

Gjithashtu Basha foli për fushatën elektorale, ku tha se gjatë këtyre javëve ka parë nga afër dëshirën e shqiptarëve për ndryshim.

“Është një ngjarje shumë e rëndë. Me lejoni ta nis duke i uruar shërim të shpejtë efektives së policisë. Ju kërkoj të gjithëve të presin me durim, derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën. Shqiptarët janë të tejngopur me këtë fenomen të shit-blerjes. Ajo që do bëjmë më 25 prill, është se do të mbyllim këtë bashkëpunim të errët të pushtetit me krimin, që na ka dëmtuar në shumë procese, sidomos në integrimin e vendit. Jam plot me besim se këtë të diel, shqiptarët, të cilëve iu ka ardhur në majë të hundës shit-blerja e votës, do të votojnë masivisht për numrin 9, duke i hapur rrugë integrimit të vendit.

Këto janë ngjarje që i bëjnë jehonë 8 viteve që duam të lëmë jashtë, janë ngjarje që tregojnë se Edi Rama e di që më 25 prill e pret humbja dhe tregojnë panikun dhe dëshpërimin e tij. Shumica e njerëzve në PS janë të ndershëm, të thjeshtë, dhe kërkojnë zgjidhje për familjet e tyre. Ata janë vëllezërit tanë, që mezi presin ndryshimin. I ftoj që më 25 prill të votojnë numrin 9. I garantoj që qeveria e ardhshme do të jetë e gjithë shqiptarëve.

Kam prekur e parë aq shumë gjatë këtyre javëve, është një entuziazëm i madh i shqiptarëve, që fitoja do iu takojë atyre, që asgjë nuk do mund ta ndalë vullnetin e tyre për ndryshim. Jam i bindur, e dëgjoj nga thirrjet e njerëzve, kur i takoj, demokratë e socialistë, qytetarë, pa parti, të gjithë janë të vendosur të rimarrin Shqipërinë që iu takon, këtë mund ta bëjnë vetëm duke marrë përgjegjësinë për ndryshim”, tha Basha.

Artikulli paraprakFloriana Garo: Të dielën i japim fund qeverisë së vuajtjeve 8 vjeçare. Votojmë nr 9 për Shqipërinë Europiane
Artikulli tjetër“Topa me 50-çe” për të blerë votat, hetuesit nisin numërimin e parave (Video)