Basha: Një humbje e madhe për të gjithë

Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllimet familjes së ish-deputetit demokrat, Dr.Idriz Xhomari, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se, kjo ishte një humbje e madhe për PD-në dhe popullin matjan.
“Me trishtim ndaj një lajm të hidhur për familjarët, miqtë, matjanët, demokratët dhe për këdo që e njohu Idriz Xhomarën, i cili u largua sot para kohe nga jeta. Idrizi Xhomara ruajti gjatë gjithë jetës, aktivitetit dhe punës së tij, vlerat dhe parimet më të larta të një burri të ndershëm e me integritet.
Eshtë kjo arsyeja pse matjanët e zgjodhën dy herë si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, me votë të drejtpërdrejtë, sepse Idrizi i bënte nder jo vetëm Partisë Demokratike dhe demokratëve, por gjithë komunitetit.
Ekspert i shquar në shkencat bujqësore dhe autor i disa publikimeve me peshë në këtë fushë, Idriz Xhomara mbërthente brenda personalitetit të tij, erudicionin akademik dhe urtësinë proverbiale matjane, pasionin dhe gatishmërinë për t’ju gjendur njerëzve në nevojë, pa pushim, pa ndalim. Mati dhe matjanët ishin dashuria e tij e madhe.
Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë së pari, tek familja e Idrizit, bashkëshortja e tij Sofia, vajzat Miranda, Aida dhe Xhoana dhe djali i tij, Hektori, por edhe tek miqtë e tij të shumtë. Zoti ju dhëntë forcë, i paharrueshëm qoftë kujtimi i tij dhe mirënjohja për gjithçka të mirë që la pas. U prehtë në paqen e Zotit!”, shkruan Basha.

Exit mobile version