Basha: Nuk do lejojmë me asnjë çmim krimin elektoral më 30 qershor në asnjë qendër të vetme votimi

E sotmja është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Shqiptarët e bashkuar janë në këmbë, si dëshmi dhe provë e vendosmërisë për ta çuar deri në fund dhe për ta fituar betejën për zgjedhje të lira.

E sotmja le të jetë një sinjal dhe paralajmërim se Edi Ramës dhe bandës së tij po i mbaron koha. Nuk do të lejojmë me asnjë çmim krimin elektoral më 30 qershor në asnjë qendër të vetme votimi.

Vendi ynë ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Kryeministri më i korruptuar dhe i inkriminuar në historinë e pluralizmit e ka sjellë vendin këtu me zgjedhjet farsë dhe të diktuara nga krimi.

Edi Rama, kurrë më nuk do të jetë kryeministri që organizon zgjedhje në Shqipëri, sepse zgjedhjet me Edi Ramën nuk janë zgjedhje, por krim, janë farsë. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i opozitës.

Themeli i së keqes është rënia e votës së lirë. Pa votë të lirë nuk ka zgjedhje të lira. Pa zgjedhje të lira, qeveria nuk i jep llogari popullit. Pa zgjedhje të lira, nuk mund të ketë dalje nga varfëria dhe papunësia.

Opozita as nuk klonohet, as nuk krijohet, siç krijohen mercenarët e Edi Ramës. E vetmja opozitë jemi ne, e bashkuar me popullin. Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë më kurrë krimin elektoral.

Ne nuk do të lejojmë me asnjë mjet, në asnjë formë, me asnjë çmim, krim elektoral, zgjedhje fallco. Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më. Vetëm kështu do të mund të kthejmë stabilitetin dhe normalitetin.

Le ta dijë mirë Edi Rama se në burg do të shkojnë ata që cënojnë zgjedhjet, Dako, Gjiknuri, të gjithë bahkëpunëtorët politikë të Edi Ramës, që janë kapur duke trafikuar votat e shqiptarëve.

Tranzicionit të vështirë do t’i japim fund së bashku. Të mos lejojmë më krimin elektoral në asnjë qendër të vetme votimi, por të luftojmë sy për sy e dhëmb për dhëmb për demokraci, për votën e lirë, për liri.

Le të jemi së bashku në këtë betejë pa kthim, që nuk është thjesht për pushtetin e disa partive, por është për të ardhmen e shqiptarëve, për Shqipërinë si gjithë Europa.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, GJATË PROTESTËS NË MILOT

Më lejoni të shpreh, së pari, mirënjohjen time të thellë për pjesëmarrjen masive monumentale këtë të enjte, këtu në Milot, dhe të falenderoj, në emrin tuaj dhe të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të gjithë protestuesit e tjerë në Tiranë, në Elbasan, në Durrës dhe në Fier, që nisin sot aktin e mosbindjes civile, si dëshmi dhe provë e forcës së pathyeshme të popullit shqiptar dhe vendosmërisë sonë për ta çuar deri në fund betejën që kemi nisur, për ta kurorëzuar atë me fitore.

Njësoj si qindra e mijëra shqiptarë sot, edhe vendi ynë ndodhet në udhëkryq, në një udhëkryq të rrezikshëm, ku e ka sjellë njeriu më i korruptuar, më i paaftë, më i dështuar dhe më i inkriminuar që njeh historia e pluralizmit.

Arroganti, hajduti, mashtruesi Edi Rama, i cili me bandën e tij, brenda 6 viteve i vuri shkelmin demokracisë dhe institucioneve të drejtësisë, shkatërroi ekonominë, solli krimin në sofër, copëtoi Shqipërinë dhe pasuritë e saj, vuri oligarkët në krye të pasurive të shqiptarëve dhe vrau shpresën, duke detyruar gjysëm milioni, 500 mijë vëllezër e motra të braktisin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, fëmijët e tyre, qytetet e tyre.

Ne e dimë fare mirë se pesha e këtij udhëkryqi rëndon në përditshmërinë e çdo shqiptari. Shumë prej jush kanë ardhur këtu në mbështetje të kauzës jetike për zgjedhje të lira, sepse e dinë fare mirë se pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë dalje nga varfëria e skajshme dhe papunësia, ku e ka zhytur Edi Rama dhe banda e tij Shqipërinë.

Ju e dini fare mirë, se sa më i varfër të jetë populli, aq më e lehtë është për sundimtarët e korruptuar të prishin demokracinë, të kapin institucionet e të marrin vendime të padrejta, vendime të padrejta, vendime kriminale, si ai i taksës Rama, që e ka bërë karburantin e shqiptarëve më të shtrenjtin në Evropë, ndërkohë që shqiptarët janë sot zyrtarisht populli më i varfër i Evropës.

Vendime të tilla, si rritja e çmimit të energjisë, rritja e taksave, të cilat kanë rënduar xhepat e çdo babai, e çdo nëne kanë shkatërruar bizneset, kanë fundosur ekonominë, kanë shpunësuar qindra e mijëra kryefamiljarë, e kanë bërë të pamundur për rininë shqiptare që kërkon punë të gjejë një vend pune me pagë dinjitoze dhe kushte dinjitoze, duke i shtyrë drejt dëshpërimit, duke i shtyrë drejt emigrimit.

Vetëm një uzurpator që e ka lidhur fatin e tij me kriminelët dhe hajdutët oligarkë, që e ka mendjen nga mëngjesi deri në darkë si të grabisë pasuritë e vendit, mund të marrë vendime kriminale si ato të largimit nga shtëpitë e tyre të banorëve, të nxjerrjes në mes të natës apo në orët e para të mëngjesit të foshnjeve me dhunë e me gaz lotsjellës nga shtëpitë e tyre dhe shkatërrimit të pronës, të shtëpive, me të njëjtat mjete dhe të njëjtën urrejtje ndaj shqiptarëve si pushtuesit, si uzurpatorët, si okupatorët.

Zonja dhe zotërinj

Themeli i kësaj të keqeje është rënia e demokracisë, është rënia e votës së lirë. Pa votë të lirë nuk ka demokraci. Pa votë të lirë nuk ka zgjedhje të lira. Pa zgjedhje të lira, qeveria nuk i jep llogari popullit, por kriminelëve dhe hajdutëve për të cilët punon. Kjo është esenca e betejës tonë.

Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Evropës. Pa zgjedhje të lira, e keqja do të vazhdojë t’i sundojë, dhunojë e përdhunojë shqiptarët në shtëpitë e tyre, vatrat e tyre, t’i vrasë e t’i plagosë ata nëpër sheshet, qytetet e rrugët tona, t’i shpronësojë, t’i braktisë, t’i vjedhë e t’i varfërojë çdo ditë.

Por ne jemi të vendosur se kështu nuk mund të vazhdohet më e kështu nuk do të vazhdohet më.

Unë kam nderin dhe privilegjin të vij sot këtu, para jush, përulësisht, me mesazhin se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh politik, moral dhe numerik, është mazhoranca e re e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si e gjithë Evropa, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni.

Por për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, së pari duhet të çlirojmë zgjedhjet. Zgjedhjet farsë, zgjedhjet e diktuara nga krimi na kanë sjellë deri këtu. Edi Rama e lidhi fatin e tij me kriminelët, e lidhi fatin e tij me hajdutët, ndaj e ka shndërruar shtetin shqiptar, institucionet e tij, policinë, prokurorinë, drejtësinë, taksat, doganat dhe të gjitha institucionet e tjera në shërbëtorë të ortakëve të tij në krim, që e sollën dhe e mbajnë në pushtet.

Ora e Shqipërisë, çiflig i Edi Ramës dhe i 20 hajdutëve të tij, po mbaron. Një orë e re po troket.

10 javë më parë ne morëm vendimin historik për t’iu bindur verdiktit tuaj, për të zhveshur opozitën nga çdo imunitet dhe privilegj, për të hequr fasadën e parlamentit kriminal, për të dorëzuar mandatet dhe për të qendruar siç po qendrojmë, krah për krah me qytetarët shqiptarë, kudo nëpër Shqipëri, nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Tiranë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, në shi dhe në diell, në një betejë që do ta fitojmë për Shqipërinë, për demokracinë, për fëmijët tanë.

Me 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Këtë e di dhe bufi, këtë e di dhe vëllai i bufit Edi Rama. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet, siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Edi Ramës. Ka vetëm një opozitë, ajo jemi ne, e bashkuar me popullin, e bashkuar me njerëzit.

Ndaj, nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje me 30 qershor, sepse ne jemi të vendosur, që të mos lejojmë më kurrë krimin elektoral, që është nëna e krimeve ekonomike, është nëna e varfërisë, e papunësisë, që ka prodhuar grabitja dhe vjedhja pa fre e njeriut më të paaftë, më të korruptuar dhe më të inkriminuar në 30 vite të pluralizmit, Edi Ramës.
Ne jemi sot këtu për të dëshmuar vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme.

Ne nuk do të lejojmë me asnjë mjet, në asnjë formë, me asnjë çmim, krim elektoral, zgjedhje fallco. Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më. Le ta dijë mirë Edi Rama, mercenarët dhe shërbetorët e tij, se në burg do të shkojnë më të vërtetë ata që cënojnë zgjedhjet. Në burg do të shkojë Vangjush Dako, në burg do të shkojë Damian Gjiknuri. Në burg do të shkojnë të gjithë bahkëpunëtorët politikë të Edi Ramës, të cilët janë kapur duke trafikuar votat e shqiptarëve.

Çdo shqiptar i lirë e ka për detyrë dhe mision kombëtar të na bashkohet ne, që 30 qershori të mos jetë dita e një krimi tjetër elektoral. Në asnjë qendër votimi nuk do të lejojmë krimin elektoral të përsëritet.

Është detyra jonë, është misioni jonë para shqiptarëve, është borxhi ynë para të gjithë atyre që sakrifikuan për liri dhe për demokraci në pesë dekadat e errëta të komunizmit dhe të tre dekadave të tranzicionit të vështirë, të cilit do t’i japim fund së bashku, të mos lejojmë më krimin elektoral në asnjë qëndër të vetme votimi, por të luftojmë sy për sy e dhëmb për dhëmb për demokraci, për votën e lirë, për liri.

Vetëm kështu do të mund të kthejmë stabilitetin dhe normalitetin, duke i dhënë shqiptarëve të drejtën e pamohueshme që ta zgjedhin ata parlamentin dhe qeverinë që do t’i qeverisë. Ta shkarkojnë ata qeverinë që nuk u shërben, dhe prapë me votë të vendosin sesi të qeverisen, nga kush do të qeverisen dhe sa gjatë do të qeverisen.

Ky themel i demokracisë, kjo vlerë themelore, është e vetmja rrugë drejt Europës që është shpëtimi ynë, që është synimi më madhor i shqiptarëve, që na bashkon në këtë shesh dhe në gjithë sheshbetejat e tjera, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të mundura, vetëm kur kujdestari i zgjedhjeve nuk mund të jetë më përdhunuesi serial i zgjedhjeve shqiptare.

Edi Rama, kurrë më nuk do të jetë kryeministri që organizon zgjedhje në Shqipëri, sepse zgjedhjet me Edi Ramën nuk janë zgjedhje, por krim. Janë farsë, janë fasadë, janë themeli i së keqës. Ndaj largimi i Edi Ramës është kusht i panegociushëm i opozitës, i Partisë Demokratike dhe i popullit të bashkuar për demokraci.

Ndaj, le ta dinë fare mirë, se kjo e sotmja është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Shqipëria është në këmbë!

Edi Rama dhe një grusht horrash nuk e marrin dot peng të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk e marrin dot më peng vullnetin e shqiptarëve. Një orë e më parë, zgjidhja politike, do t’i hapë rrugë zgjidhjeve të tjera që shqiptarët presin.

Ne i kemi këto zgjidhje, ne jemi të gatshëm të shërbejmë me përulësi e jo me arrogancë, për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë sociale, për të ulur çmimin e naftës dhe të energjisë, për të bërë të mundur, jo thjesht nxjerrjen nga varfëria, por punësimin me dinjitet të shqiptarëve.

Për të bërë të mundur që shqiptarët mos të largohen më nga vendi i tyre, të kthejmë rininë, dritën e syrit, për të punuar me dinjitet këtu në vendin e tyre, në shtëpitë e tyre, pranë baballarëve dhe nënave të tyre, në një Shqipëri të lirë, në një Shqipëri të mundësive, që punon e prodhon mirëqënie e mundësi për të gjithë.

Vëllezër e motra!

Asnjë hap pas nuk do të ketë. Asnjë kompromis me të keqen nuk do të ketë. Largimi i Edi Ramës është sot emergjencë kombëtare. Krijimi i një qeverie tranzitore, është shansi i fundit për të shmangur përballjen totale të popullit me klikën gjakpirëse, grabitqare, që sundon në mënyrë të paligjshme mbi vendin tonë.

Ky mesazh që ushton sot këtu nga kraharori juaj, të dashur protestues të bashkuar në Milot, jam i bindur, do të ushtojë nesër nga Shkodra, që nuk e pranon poshtërimin, diskriminimin, urrejtjen, përçmimin, që i ka treguar me fjalë e vepra, njeriu më i korruptuar, më i dështuar, më i paaftë dhe më i inkriminuar në 30 vite të tranzicionit shqiptar, nesër Shkodra do t’ja japë mesazhin Edi Ramës, siç ka ditur t’ia japë gjithmonë autokratëve dhe diktatorëve.

Ndaj vëllezër dhe motra, le të jemi kështu bashkë me njëri-tjetrin, ditë për ditë. T’i japim dorën njëri-tjetrit në këtë besëlidhje gjigande kombëtare, në këtë betejë pa kthim, që nuk është thjesht dhe vetëm për pushtetin e disa partive, por është për të ardhmen e gjithë shqiptarëve, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, pavarësisht prej prejardhjes sociale apo krahinore, të bashkuar në një qëllim: ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Me mirënjohje, ju falendëroj për mbështetjen dhe përkrahjen pa rezerva që keni treguar prej minutës së parë të kësaj beteje për të ardhmen e vendit dhe për fatin e çdo shqiptari.

Ju siguroj se, siç jeni në krahun tim sot, do të jem në krahun tuaj çdo minutë e çdo orë, deri në fitoren e kësaj beteje. Dhe së bashku do të hapim horizontin e ri, të një Shqipërie kokëlartë, plot shpresë e besim, që do të marshojë pa u ndalur drejt mirëqenies, drejt punësimit, drejt të ardhmes tonë europiane.

Unë e di dhe ma thatë dhe sot, që jeni gati që sot ta përshkallëzojmë betejën, por le të jetë e sotmja një sinjal dhe paralajmërim:

Se Edi Ramës dhe bandës së tij po i mbaron koha dhe se 30 qershori do të jetë dita e triumfit të shqiptarëve të lirë.
Se nuk do të ketë dhe nuk do të lejojmë me asnjë çmim, krimin elektoral më 30 qershor në asnjë qendër të vetme votimi.
Se koha kur votën e shqiptarëve e merrte peng krimi dhe shqiptarët e paguajnë me bukën e fëmijëve të tyre, po merr fund.

Me bekimin e Zotit dhe besimin tek njëri tjetri, te demokracia dhe tek liria do ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer.

Exit mobile version