Basha: Nuk do të pranojmë asnjë pazar për ndarjen e detit

Top Channel: Jo më larg se dje, “Top Channel” iu referua shifrave të Ministrisë së Financave për një ulje të borxhit, 69.9%, ndonëse është prap në kufi rreziku. Ndërkohë ju më parë u shprehët se borxhi është rrezik real nga gjithë këto shifra apo keni shifra të tjera që janë të ndryshme nga Ministria e Financës?
Basha: Ta shpjegojmë pak në mënyrë që ta kuptojnë edhe njerëzit. Borxhi nga çfarë përbëhet? Përbëhet nga huatë që qeveria merr, apo jo. Borxhet, huatë, kreditë, që qeveria merr, të cilat pastaj strukturohen në formën e një borxhi kombëtar. Në vitin 2013, siç ju kujtohet me një përqasje të paprecedentë, u llogaritën në borxh kombëtar edhe një sërë transaksionesh që nuk klasifikoheshin deri atëherë si borxh si për shembull, pagesa të papaguara kontraktorëve të punëve publike, dikush që kishte ndërtuar një rrugë, një ujësjellës apo një shkollë, që e kishte ndërtuar para afatit apo në disa raste e kishte ndërtuar brenda afatit dhe nuk kishte marrë akoma paratë që i detyrohej porositësi, në këtë rast shteti shqiptar në formën e një institucioni qendror apo lokal. U llogaritën po kështu edhe borxhet e kompanive publike dhe parulla e qeverisë ishte: “Do të ulim borxhin”.

Borxhi u kontabilizua në 2013 në 62%. Le të marrim për një moment të mirëqenë shifrën e Ministrisë së Financës, që borxhi sot është 69.9%, pra pothuajse 70%. Pesë vite pas ardhjes së Edi Ramës, borxhi jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur. Është rritur ndërkohë që interesat e borxhit kanë rënë. Deri në vitin 2013, interesat e borxhit për Shqipërinë, por jo vetëm për Shqipërinë kanë qenë pothuajse dyfishi i interesave që janë sot. Pra, e para është që borxhi nuk ka rënë, por është rritur. Në krahasim me vitin 2013, sot Shqipëria ka një borxh më të madh. Edi Rama e ka futur Shipërinë dhe shqiptarët në një borxh më të thellë se sa seç e ka gjetur dhe nuk arrin të justifikojë dot se pse i ka marrë këto para borxh. Ka ndërtuar ndonjë vepër madhore? Ka rritur pensionet dhe rroga? Ka bërë shëndetësinë falas? Sigursht, ju e dini fare mirë se përgjigja për të treja këto e shumë të tjera është JO. Këto para janë marrë borxh për skema korruptive dhe abuzive, të cilat janë edhe shkaku kryesor se pse Shipëria renditet sot si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe ndër më të korruptuarit e botës. Keni parë besoj, se njerëzit nganjëherë shohin më mirë fotografinë se shifrat, profilet e liderëve që radhiten me Edi Ramën, një prej tyre ishte gjysëm lakuriq, besoj se ishte monarku i Suazilandit, aty e ka quar Shqipërinë. E keni parë apo jo? Apo ka ndonjëri që s’e ka parë? Mund ta nxjerrim.

Është Suazilandi, lideri tribal i Suazilandit dhe Edi Rama. Tani në këtë moment, cili është kërcënimi? Që borxhi do të vazhdojë të rritet, por në mënyrë të fshehtë. Çfarë kam parasysh me këtë? A e dini ju shifrën duhet të paguajmë këtë vit për konçesionet dhe për PPP-t? Është në gjendje dikush nga ju të na thotë? Është në buxhetin e shtetit. Janë planifikuar 70 milionë euro të taksave të shqiptarëve të cilat do të paguhen për Check-up-in, për inceneratorët, për sterilizimin dhe për një sërë konçesionesh korruptive. Ky është borxhi i fshehur, sepse këto janë, siç e dini, kontrata 10, 20, 30-vjeçare. Që do të thotë se qeveria në emër të shqiptarëve ka firmosur një borxh tjetër të fshehur. Ka firmosur që në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme në varësi të kontratave të paguajë çdo vit një shumë parash, e cila nuk vjen duke u zvogëluar, por duke u rritur për dy arsye: E para, sepse rritet numri i këtyre konçesioneve dhe PPP-ve.
E dyta, sepse në disa raste rritet kostoja e tyre.
Pra si konkluzion, borxhi sot është, siç e ka pohuar edhe Ministria e Financës, më i lartë se sa ishte në vitin 2013 dhe borxhi sot kërcënohet nga rritja përmes borxhit të fshehtë, konçesioneve dhe PPP-ve që janë skema të pastra zhvatje, skema të pastra korrupsioni. Paguhen drejtpërdrejt nga xhepat e taksapaguesit shqiptar.

Klan: Unë kam dy pyetje dhe po i bëj një nga një. Përse është Partia Demokratike në lidhje me marrëveshjen e detit me Greqinë, pasi i vetmi zë në fakt, denoncues nga radhët e selisë blu është ai i ish-kryeministrit Berisha dhe duke marrë në konsideratë edhe faktin që një ditë më parë përsëri Presidenti Ilir Meta refuzoi kërkesën për dhënien e plotfuqishmërisë ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për të nisur negociata me palën greke?
Basha: Së pari, Partia Demokratike nuk hesht. Sot, kemi thirrurr në Komisionin e Punëve të Jashtme jo për herë të parë, por për herë të dytë, Ditmir Bushatin. Nëqoftëse nuk e dini po jua them dhe ky është një nga aktet që Partia Demokratike ka ndërmarrë. Natyrisht që edhe Sali Berisha ka qenë dhe është i Partisë Demokratike. Por po ju them, që Partia Demokratike jo vetëm që nuk ka heshtur, por ka qenë në ballë të përpjekjes për transparencë. Le ta bëj edhe një herë të qartë siç e kam bërë prej fillimit të kësaj afere qëndrimin tonë: ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore me Greqinë. Ne duam dhe jemi të interesuar të zgjidhim problemet e mbetura pa zgjidhur. Por ne jemi kundra çdo pazari dhe nuk do të pranojmë kurrë një pazar në kurriz të interesave kombëtare, në kurriz të interesave të Shqipërisë. Në këtë kuadër, kemi kërkuar prej ditës së parë transparencën që nuk vjen. Kemi kërkuar sqarime, sepse të vetmet informacione i kemi marrë nga pala greke dhe këto sqarime nuk vijnë, përkundrazi përballemi me gënjeshtra. Sot, mohojnë që kanë negociuar, ndërkohë që mund ta shikoni në arkivat tuaja e kanq pranuar me gojën plot që negociatat kanë nisur, kanë vazhduar, kanë kulmuar në Kretë dhe pastaj në Korçë. Që në stafet e negociatave ka persona të nivelit teknik. Dhe të gjitha këto janë bërë në shkelje totale të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Shkelje flgrante të përcaktimeve që Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në vendimin e saj në tentativën për negociata në marrëveshjen e vitit 2009. Pra, pozicioni ynë është i qartë prej fillimit. Pozicioni ynë është mbajtur në të gjithë nivelet e Partisë Demokratike nga unë si kryetar, nga zoti Berisha, nga zoti Shehu, si nënkryetari demokrat i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe nga një numër i madh deputetësh.

Klan: Edhe një koment në lidhje me deklaratën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i cili thotë se ju jeni vënë prej më shumë se një jave në dijeni të faktit se njëri prej anëtarëve të grupit negociator Artur Meçollari, ka qenë i lidhur me shërbimet sekrete të huaja dhe se përmes heshtjes suaj, jo vetëm që dilni kundër qëndrimit të mbajtur nga ish-kryeministri Berisha, por në një farë mënyre po pozicionoheni pro kryeministrit Rama.
Basha: Mendoj se me çështjet e rëndësishme që trajtuam sot uroj që kjo të mos jetë një alibi për t’i ikur mesazheve të rëndësishme që dhamë, por përgjigjia ime është kjo. Absolutisht që kryetari i opozitës për çdo dijeni që ka marrë, ka marrë edhe masat dhe hapat e duhur dhe më duken marrëzi të pretendohen gjëra të tilla. Unë nuk komentoj deklaratën e askujt, mos e merrni këtë për koment, por kryetari i opozitës ka marrë hapat e nevojshëm në raport me denoncimin dhe ndjekjen institucionale të të gjitha formave të problemit.

Exit mobile version