Basha: Nuk tërhiqemi, “Venecia minus” është e papranueshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje se PD nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për Reformë në Drejtësi sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Në një prononcim për mediat, pas takimit me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, kreu i PD, Lulzim Basha bëri të ditur se Partia Demokratike e gatshme që të angazhohet në çdo çast për t’i dhënë shqiptarëve drejtësinë e pakapur politikisht që është e vetmja drejtësi e reformuar.
“Nuk mund të pranojmë një drejtësi “Venecia minus”. Ftoj mazhorancën të lërë alibitë dhe të gjejmë së bashku zgjidhjen përfundimtare të çështjes së vetme që mban peng Reformën në Drejtësi: zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias” tha Basha.
Kreu i PD tha se gjatë takimit me zyrtarin e lartë gjerman kishte shprehur garancinë se PD do të mbështesë një reformë që respekton rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Në përfundim të mbledhjes javore të Grupit parlamentar dua t’ju informoj edhe për një takim jashtëzakonisht pozitiv që pata më herët me kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane në Bundestag, në Parlamentin gjerman, z. Gunther Krichbaum, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në Tiranë në kuadër të angazhimit të Bundestagut për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ku diskutuam për sfidat e mëdha që Shqipëria ka përpara, siç janë ato të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, stanjacioni në të cilat ka përcaktuar Shqipërinë, siç u shprehën edhe miqtë gjermanë në ditët e kaluara, siç keni raportuar edhe ju në një trajektore jo përparimi, por sprapsje të standardeve që kërkohen për integrimin europian të vendit” u shpreh kreu i PD.
“Edhe këtu theksi u vu tek zbatimi i ligjit, tek zbatimi i reformave, por padyshim edhe tek adoptimi i tyre, siç është rasti për Reformën në Drejtësi, për të cilën u vlerësua roli i opozitës në një vit e gjysmë, roli i Partisë Demokratike, për ta futur Reformën në Drejtësi në binarët europianë dhe euroatlantikë të përcaktuara nga Komisioni i Venecias.
Gjeta rastin ta garantoj kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane z. Krichbaum, sikundër kam bërë edhe me partnerë të tjerë në këto ditë në vijim, për gatishmërinë absolute dhe të palëkundur të opozitës, për të ofruar, kërkuar dhe pranuar çdo zgjidhje për çështjen e fundit që ndan palët për Reformën në Drejtësi, që është ajo e konstituimit të katër institucioneve të reja sipas draftit final të Reformës në Drejtësi. Dhe për këtë kemi kërkuar zbatimin e plotë dhe tërësor të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias” tha Basha.
Ai shprehu gatishmërinë për të gjetur kompromisin me mazhorancën nëse pranohet rekomandimi 88 i Venecias.
“Nuk kemi imponuar asnjë kërkesë jashtë asaj çfarë rekomandon opinioni final i Komisionit të Venecias, por sigurisht nuk mund të pranojmë një drejtësi “Venecia minus”. Jo sepse ky është një ushtrim teorik, por sepse kjo do të përkthehet drejtpërdrejt në një drejtësi të kapur, të komanduar, të korruptuar, pra një padrejtësi për qytetarët.
Ndaj sot i bëj një thirrje kundërshtarëve tanë politikë, duke bërë fare të qartë se opozita nuk është tërhequr, nuk tërhiqet e nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, që të ndalim luftën verbale, të ndalim insinuatat, t’i japim shqiptarëve një qartësi që e meritojnë. Unë, Partia Demokratike, opozita është për zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Nëse edhe z. Rama është për zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias jemi gati të ulemi të gjejmë, sigurisht përmes instrumenteve që ekzistojnë, Komisionin Ad Hoc apo instrumenteve të tjera, zgjidhjen përfundimtare këtij problemi” tha kreu i PD.
Basha tha se “shqiptarët nuk meritojnë akuza, nuk meritojnë provokime, nuk meritojnë ikje nga detyrimi që ka gdhendur opinioni i Venecias si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën, por në veçanti për mazhorancën që ka përgjegjësi për këtë reformë duke qenë mazhorancë. Ndaj në vend që t’i ikim rekomandimit 88, i bëj një thirrje dhe një ftesë mazhorancës të mos kapet pas alibive, të mos kapet pas fijeve të kashtës. Asgjë nuk e zbeh, as nuk e tjetërson detyrimin që ka për zbatimin e plotë dhe total të rekomandimit 88. Unë dhe Partia Demokratike jemi të gatshëm që të angazhohemi në çdo çast për t’i dhënë shqiptarëve drejtësinë e pakapur politikisht që është e vetmja drejtësi e reformuar” u shpreh Basha.

Çfarë parashikon rekomandimi 88 i Venecias

Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias, apo siç njihet ndryshe neni i “vendeve të rezervuara”, ndër të tjera, sugjeron: “Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), të cilët do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre”. Çfarë do të thotë më konkretisht ky propozim?  Së pari, ai thotë që opozita duhet të ketë ndikim në zgjedhjen e këtyre kandidaturave, pra anëtarët nuk duhet të zgjidhen me mekanizma që përjashtojnë çdo ndikim të vërtetë të pakicës. Së dyti, ai propozon një formulë të caktuar (shpjeguar më poshtë) dhe le të hapur formula të tjera, të cilat duhet të plotësojnë kushtin e parë, më sipër.

Artikulli paraprakQeveria pranon mashtrimin, pagat dhe pensionet nuk do të rriten
Artikulli tjetërKatër vrasjet në Qipro, në krim të përfshirë më shumë se tre shqiptarë