Shitblerja e votës, e faktuar tashmë, deformimi i vullnetit të qytetarëve, si dhe prodhimi i një rezultati zgjedhor artificial të ndikuar nga krimi kanë qenë dje shqetësimet e diskutuara mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreut të delegacionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, Peter Tejler mbi përfundimet e raportit të misionit. Gjatë takimit, kreu i PD Basha diskutoi mbi minimin e procesit zgjedhor nga krimi i veshur me pushtet, ndërsa tha se zgjidhjet për t’i dhënë fund kësaj situate dramatike vijnë dhe gjenden në reformën e re zgjedhore që do të hartohet.
Kreu i opozitës e konsideroi shumë të rëndësishëm raportin, i cili ka dokumentuar shqetësimet e ngritura nga opozita. Raporti konstaton shkelje të rënda, të cilat kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve, duke nisur nga shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, presioni mbi administratën dhe mbi biznesin, përdorimi masiv i shtetit në shërbim të partisë në pushtet, cenimin e lirisë dhe sekretit të votës, etj.
Raporti evidenton se individë me rekorde të tmerrshme kriminale luajtën një rol domethënës në fushatë. Kjo u vu re edhe gjatë ditës së zgjedhjeve në bashkëpunimin e kontigjentit kriminal me shtabet e partisë në pushtet. Kryetari i opozitës nënvizoi faktin se përgjimet e Antimafias italiane konfirmojnë se roli i krimit dhe parave të drogës në shitblerjen e votës dhe kërcënimin e votuesve, përbën problemin më të madh të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në vend.
Basha vlerësoi që këto shqetësime janë tashmë rekomandime prioritare nga OSBE/ODIHR. Ai u shpreh se reforma zgjedhore është prioritet për Partinë Demokratike dhe është kërkuar të nisë puna menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Gjithashtu, vonesat dhe mungesa e vullnetin nga ana e qeverisë mund të cenojë procesin për një hartuar një reformë tërësore.
Kreu i opozitës kërkoi mbështetjen dhe ekspertizën e misionit të OSBE/ODIHR-it për implementimin e rekomandimeve. Reforma zgjedhore duhet të përballet me problematikat e shumta të procesit si lista e zgjedhësve, sistemi i adresave, përdorimi i financimeve dhe individëve me rekorde kriminale, përdorimi i pushtetit, vota e emigrantëve dhe mbi të gjitha shitblerja e votës.
Votimi dhe numërimi elektronik është kërkesa dhe kushti parësor i opozitës shqiptare. Kreu i opozitës tha se, votimi dhe numërimi elektronik do të eliminojë shumë prej problemeve.
Basha tha se Partia Demokratike kërkon me ngulm një reformë tërësore që jo vetëm të adresojë e të zgjidhë problemet e mëdha të procesit, por edhe të fuqizojë të drejtën e qytetarëve për të vendosur, si dhe të kufizojë pushtetin e kryetarëve të partive.
Po ashtu, ngritja e një institucioni të pavarur nga qeveria për të ndalur presionet dhe abuzimet mbi administratën është e domosdoshme, ashtu si ndjekja dhe penalizimi fort i çdo rasti të evidentuar për shitblerje vote. Kryetari Basha mori mbështetjen e ambasadorit Tejler për një bashkëpunim të plotë me OSBE/ODIHR-in, me ekspertët e tyre më të mirë për të asistuar në hartimin e reformës zgjedhore.