Banorët e fshatit Fermë, Radostinë, Dërmenas, etj të qarkut të Fierit kërkuan mbështetjen e Kryetarit të PD, Basha dje ndërsa i shprehën atij shqetësimin për infrastrukturën rrugore, kanalet e vaditjes dhe kullimit në të cilat nuk është vënë asnjëherë dorë, mungesën e subvencioneve dhe shërbimin e munguar shëndetësor. Basha, ka vijuar bashkëbisedimin me fermerë, mjekë, mësues, inxhinierë e profesionistë të tjerë në Fier.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa ka shpalosur programin për bujqësinë ka theksuar se ashtu siç infrastruktura u kthye në prioritet të investimeve në vitet 2005-2013, në qeverisjen e tij prioritet do të jetë bujqësia.
Basha ka denoncuar me qytetarët vjedhjet masive të qeverisë në këto vite duke përmendur vjedhjen prej 1.2 miliardë në vit nga tatimet e doganat ndërsa veçoi se vetëm për një klient të afërt të pushtetit siç është Vilma Nushi, nga paratë e qytetarëve zhvaten 1 milionë euro muaj për muaj , kjo për shkak të megaferës 120 milionë euroshe me shërbimin check up.
“Këta kanë vjedhur në një vit 1.2 miliard dollarë. Imagjinoni se çfarë mund të bëhej me 1.2 miliard dollarë në të gjithë Shqipërinë? Janë 6 vjet fatura energjie të të gjithë Shqipërisë. Do të zgjidhej problemi i ujitjes dhe i kullimit në të gjithë Shqipërinë. Synimi ynë është që në vitin e parë në qeverisje ne të jemi me 150 milionë euro me buxhet për bujqësinë, për të subvencionuar bujqësinë, për të subvencionuar punën, bujkun, jo grumbulluesin, jo 4-5 veta që kanë lidhje me qeverinë. Po drejtpërdrejtë bujkun dhe blegtorin” është shprehur Basha.
Arsimi, shëndetësia, taksat e larta dhe tarifat ishin në qendër të bashkëbisedimit që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi me mjekë dhe mësues, inxhinierë, avokatë, noterë etj. Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar tallje cinike me shqiptarët lavdërimet që u thuri kryeministri drejtoreshës së Dogave dhe Tatimeve, të cilat vetëm në një vit sollën një gropë prej 400 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit.
“E patë se si lavdëroi drejtoreshën e Doganave, drejtoreshën e Tatimeve. Tallje më cinike me shqiptarët nuk mund të ketë. Për çfarë i lavdëroi që i dhanë buxhetit të shtetit një gropë prej 400 milionë dollarësh vitin e kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave?! Për çfarë i lavdëroi, për të ashtuquajturin aksion kundër informalitetit me anë të cilit sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në periudhën shtator –tetor u mbyllën 73 mijë vende pune?! Për çfarë i lavdëroi, që si rezultat i kërbaçit, arbitraritetit, gjobave nuk u mblodhën më shumë, por u mblodhën më pak lekë, sepse informaliteti u rrit, bizneset falimentuan.
E vetmja që pësoi rritje të vërtetë ishte fatura e ryshfetit. Për çfarë t’i lavdëroi? Në fakt bënë mirë që i lavdëron se në fakt dikush ka përfituar nga kjo punë. Ato 400 milionë dollarë që nuk mbërritën në buxhet, në fakt diku kanë mbërritur apo jo?! Se di janë nisur për në Panama apo diku tjetër, por në kontot e pushtetarëve shqiptarë kanë mbërritur.
Të falënderosh doganat dhe tatimet është njësoj si të falënderosh Ilir Beqën, që po na shton ditët me shëndetësinë falas dhe të reformuar, kur në Spitalin e Fierit e në urgjencat e Fierit nuk ka jod, nuk ka garza. Të falënderosh Ilir Beqën që jep 1 milion dollarë në muaj Vilma Nushit.
Ça i ka mbetur tjetër të falënderoj Arben Ahmetajn për ecurinë e ekonomisë?! Të falënderoj Emiliano Shullazin për gjendjen e rendit?!
Ata që se besojnë dhe se votojnë janë dele. Biznesi qenka miu, duhet ta kapi macja. Në fakt shqiptarët janë pyetur se çfarë kafshe iu sjell ndërmend Edi Rama. Po duke qenë se as unë nuk jam i fushës së zooteknikës” vijoi Basha.
Për të ndryshuar realitetin, theksoi Basha kërkohet garantimi i votës së lirë. Me votë të lirë, me përballje programesh dhe ekipesh, Basha u shpreh i bindur se alternativa që ai përfaqëson është fituese.
“Me zgjedhje të lira e të ndershme, me ofertë programesh ta shikojmë pastaj se kush është më i zoti, ta shikojmë pastaj kush jep shpresë dhe besim për të nesërmen ky bojaxhiu batutaxhi apo Partia Demokratike dhe ekipi im europian që do t’i japë patjetër Fierit dhe Shqipërisë demokracinë dhe ekonominë europiane që meriton”.
Revolta e socialistëve: PS e ka groposur këtë vend
Banor: Unë kam qenë supersocialist. Kam patur një vëlla të sëmurë dhe e kam të sëmurë. Me 30 mijë lekë në muaj, ia hoqën edhe atë pensionin. Unë sot kam kartën e Lulzim Bashës në xhep. Ja ta tregoj është firma jote e Lulzim Bashës, sepse PS e ka groposur këtë vend.
Banor: Këtu bie një shi dhe ne notojmë në ujë. Ne notojmë në ujërat e zeza, dalin të gjitha të zezat. Këtu uji i pijshëm është katastrofë. Katastrofë janë gjobat, 15 mijë lekë aforfe. Unë vetë i gjashti i papunë, vetëm nëna ime pensioniste.
Basha u njoh me shqetësimet e shprehura nga mjekë, të cilët e konsiderojnë aspak produktive check-up-in dhe rezultatet e saj të manipuluara.
Mjeke: Qytetarët e Fierit po të duan ta shikojnë që në 06:30 të mëngjesit që mbajnë radhën aty për të marrë një sërë analizash, duke filluar nga analizat më ordinere për të marrë një patentë, lëre kur marrin analizat dalin me prostatë. Kam patur fatin se e kam parë vetë. Këtë e them jo për të qeshur, por është një fakt.
Basha: I merr paratë nga taksat tona dhe në vend që t’i çojë për trajnim të personelit shëndetësor, në vend që t’i çojë për kushte më të mira të urgjencës apo të reanimacionit, apo të sallave të kirurgjisë i bën rrush e kumbulla për të ashtuquajturin check-up-e. Që ja këtu u konfirmua edhe një herë, jo se kishte nevojë për konfirmim që nuk sjellin asnjë dobi. Pse? Sepse janë falso, sepse nuk bëhen. E gjithë skema e check-up-eve është në fakt një skemë gjigante e korrupsionit. Me një milion euro në muaj, ne mund të përfundonim brenda një viti 12 urgjenca jashtë Tiranës. Mund të ngrinim këtu në Fier një sallë moderne të kirurgjisë. Po nuk e bëjnë këtë, sepse këto para që dalin nga taksat e shqiptarëve përfundojnë drejtpërdrejtë në xhepat e qeveritarëve”.
Mësuesit u ankuan për persekutimin që u bëhet, të cilët pavarësisht prej kualifikimit transferohen në shkolla të largëta dhe në vend të tyre emërohen mësues pa arsim përkatës vetëm se kanë teserë partie. Një tjetër kërkesë në drejtim të zotit Basha ishte për hapjen e universitetit në Fier.
Banor: Me ardhjen në pushtet të PD të rishikojë mundësinë e mbështetjes të rihapet Universiteti i Fierit si një qendër shumë e madhe, ku mund të përgatiten specialistë në shumë fusha, të bujqësisë, të veterinarisë, të zooteknikës, të naftës, të arsimit, të shëndetësisë, të ekonomisë e me radhë.
Mësuese: Kam tre vite që nuk na japin 2%-in e pagës që na i mbajnë në muaj. Vështirësinë e rrugës jo e jo. Kam dy vite rresht që të gjithë mësuesit në fundviti nga muaji nëntor-dhjetor e deri në janar na shesin kredite.
Mësuese: Unë lëviz në tre shkolla, pa i marrë parasysh shkallët e kualifikimit tim, 5-vjeçar dhe 10-vjeçar. Zysha të tjera që thjesht sepse kanë teserën e PS-së dhe të LSI-së vazhdojnë të qëndrojnë në atë shkollë, duke mos iu referuar le të themi meritokracisë, figurës dhe dinjitetit të mësuesit, po boll bindjeve partiake. Është shumë e turpshme kjo që po ndodh me arsimin shqiptar. Na vjen zor që ballafaqohemi me situata të tilla kur dinjiteti jonë përbuzet, përbaltet, figura e mësuesit është bërë për të ardhur keq.
Arben Shahini