Basha–Palmer: Garantimi i zgjedhjeve sfida më e madhe

“SHBA kanë gjithmonë nën vëmendje dhe monitorim proceset zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira”. Kjo është deklarata e drejtorit për Çështjet e Europës Jugqendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, z. Mathew Palmer në takimin me Kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Kryetari i opozitës ndau vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë e po ashtu ndau edhe shqetësimet për situatën aktuale në Shqipëri. Basha shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Kryetari Basha tha se, Partia Demokratike ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të vendit. Ai shprehu mbështetjen e opozitës dhe Partisë Demokratike për Reformën në Drejtësi që në hapat e parë, si një projekt thelbësor për të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë të Shqipërisë dhe si një instrument për të luftuar disa nga problemet madhore që Shqipëria ka.
Basha theksoi faktin se, ajo që Shqipëria ka nevojë është një drejtësi të pavarur dhe jo e kapur nga qeveria apo kryeministri; sepse një sistem gjyqësor i kapur është një sistem gjyqësor i korruptuar, në shërbim të krimit dhe politikanëve të korruptuar. Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor, u shpreh zoti  Basha, duke shtuar se individë me rekorde të rënda kriminale, të denoncuar nominalisht, me emër, me pozicione dhe me fakte, edhe nga ambasadori Lu, janë sot në krye të bashkive të vendit, në Parlamentin shqiptar dhe në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Futja e personave me precedentë kriminalë në politikë, administratë publike dhe vendimmarrje, ka ndikuar gjithashtu që droga të kthehet në aktivitetin më të madh prodhues në vend, duke sjellë investimin e krimit të organizuar në një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve nga ana tjetër, janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës.
Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet, kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga dhe kriminelët me mbështetje qeveritare, u shpreh zoti Basha. Nga ana e tij, zoti Palmer, e falënderoi zotin Basha për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndjekin me shumë kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe se ata kanë gjithmonë nën vëmendje dhe monitorim proceset zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Exit mobile version