Zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar. Ky është paralajmërimi që kreu demokrat Lulzim Basha i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilëson një hajdut psiqik që vodhi zgjedhjet me krimin e organizuar për të plaçkitur Shqipërinë.
“Ja si hajduti psiqik vodhi zgjedhjet me krimin e organizuar për të plaçkitur Shqipërinë me ta dhe me oligarkët grabitqarë!
Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore pa hajdutin psiqik, dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale.
Kësaj radhe zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!”, shkruan Basha në rrjet, duke postuar videon e mëposhtme.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, shprehu vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, duke kryer detyrën e parë kryesore, largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme, në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.
“Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk eshte “ik ti e te vi unë”, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane”, tha Basha në takimin me strukturat e PD në Gramsh.
Sipas tij, zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.
“Opozita e Bashkuar e nisi këtë betejë me një akt sakrifice që ishte dorëzimi i mandateve, dorëzimi i imuniteteve, i privilegjeve dhe i karrigeve të pushtetit për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve. Treguam se rruga që nisëm ishte një rrugë sakrifice për interesin publik.
Vendimi që morëm ktheu besimin tek njerëzit, se beteja që kemi nisur nuk ishte një betejë për karrike, siç përpiqej ta paraqiste Edi Rama. U rikthye besimi se opozita e bashkuar nuk është pjesë e teatrit të ndyrë politik, ku një grusht njerëzish kanë kapur burimet e shtetit, buxhetin e shtetit, taksat e shtetit, pasuritë e shtetit, në kurriz të të gjitha shqiptarëve të tjerë”, tha kreu demokrat.