Basha paralajmëron përplasje: Para drejtësisë, Rrahja, Balla dhe Bushi, thirrje ndërkombëtarëve

Pas denoncimit të oficerit të policisë Emiljano Nuhu se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunimin e Xhensila Malokut, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një konferencë për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi atë një dëshmi tronditëse.
Ndërkohë që i ftoi qytetarët që të dëgjonin dëshminë e oficerit, i cili nga azili politik tregon se si tentoi që të mbronte një vajzë të pafajshme duke u kërcënuar nga njerëz të pushtetit.
Pas transmetimit të videodenoncimit, Basha mbajti qëndrimin e tij për rastin në fjalë ku tha se, “ky është një krim shtetëror dhe para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm krimineli Rexhep Rrahja, por edhe ata që i dhanë mbrojtje shtetërore, Rrahman Rrahja, Artur Bushi dhe Taulant Balla, ky i fundit i zhytur në krim. Ata u përpoqën të bëjnë plane dhe kërcënuan Emiljano Nuhun”.
Më tej ai u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në veçanti nënave dhe vajzave, për të mos heshtur por të ngrenë zërin përballë këtij krimi shtetëror.
Në përmbyllje të reagimit të tij, ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve të mos heshtin, pasi kjo do të rrezikonte përplasjen shoqërore.
“I bëj thirrje komitetit ndërkombëtar, që të mos mbyllë sytë sërish, por të shohë kapjen e shtetit. Heshtja mundësoi drogën, por sot kjo heshtje rrezikon të çojë në përplasje shoqërore”, tha Basha.
Deklarata e plotë
Një vajzë e pambrojtur është dhunuar, përdhunuar, rrëmbyer dhe torturuar në mënyrë sistematike. Është një krim monstruoz që meriton dënimin më të rëndë.

Mbi të gjitha ky është një krim shtetëror, ndaj para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm sadisti çnjerëzor Rexhep Rraja, por edhe pushtetarët që i dhanë mbrojtjen shtetërore kriminelit: Rrahman Rraja, Artur Bushi dhe Taulant Balla, ky i fundit një politikan bandit i zhytur në botën e krimit.
Së bashku me ta, para drejtësisë duhet të dalin të gjithë drejtuesit e policisë dhe të prokurorisë që braktisën ligjin, detyrën dhe qytetaren e pafajshme, veçanërisht ata që përndoqën, larguan dhe kërcënuan dhe bënë plane për ta eliminuar nënkomisarin Emiljano Nuhu që u përpoq të luftonte krimin.
Ky krim i rëndë kundër njeriut, i mundësuar dhe mbrojtur nga funksionarët më të lartë të shtetit është këmbana e alarmit për të gjithë shoqërinë se tashmë jetët e cdo kujt janë të rrezikuara nga kriminelët e rrugës që mbrohen nga kriminelët e shtetit.
U bëj thirrje të gjithëve qytetarëve, veçanërisht grave dhe vajzave, që të mos heshtin por të ngrenë zërin dhe të dënojnë ashpër këtë krim shtetëror ndaj një gruaje të pambrojtur. Nëse nuk ngremë zërin të gjithë bashkë sot, krimi nuk do të kursejë asgjë as pronën, as jetën dhe as të ardhmen e askujt. Vetëm forca e njerëzve të bashkuar mund ta mposhtë diktaturën e krimit.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos mbyllin sytë sërish por të shohin nivelin alarmant të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, për të mos u bërë me heshtjen e tyre mundësuesit e kriminalizimit të shtetit.
Heshtja dhe iluzionet e rreme mundësuan drogën dhe krimin në politikë, por sot kjo heshtje rrezikon të çojë në përplasje shoqërore: kur shtetin e kap krimi, qytetarëve ju mbetet vetëm dhuna për të mbrojtur jetën dhe fëmijët e tyre.

Exit mobile version