Basha paralajmëron prokurorët që po keqpërdoren: Nuk do të shpëtoni!

Kryetari i PD, Basha ka paralajmëruar përmes një deklarate për mediat, prokurorët që po keqpërdoren politikisht nga qeveria mbi hetimet e dosjes “Babale” se ata nuk do ti shpëtojnë vetingut me hetimet politike ndaj Salianjit dhe gazetarit, Olldashi. Basha u shpreh se nuk po hetohen autorët e trafikut të dreogës, por denoncuesit e tyre.

Basha tha se dëshmitari i rremë Alfred Alizoti ka pranuar të bëjë 1 vit burg, për të mbrojtur kupolën e shtetit në aferat e tyre korruptive. Duke folur për denoncimet e Salianjit, Basha nënvizon se ky shtet dërgon në gjyq ata që denoncojnë dhe gradon të korruptuarit.

“Kupola e shtetit është e përfshirë në skandal. Alfred Alizoti ka pranuar të bëjë 1 vit burg për të mbrojtur kupolën e shtetit, e cila është e zhytur deri në fyt në afera korruptive dhe skandale.

Deputeti i PD Ervin Salianji ka bërë publike për mediat fakte të rënda sesi Agron Xhafaj bën trafik droge, zbuloi dëshmitarin e rremë Alfred Alizotin, që bën ndere për kupolën e korruptuar të shtetit.

Prokuroria vetëm bën sehir dhe nuk vepron për zyrtarët e lartë e shtetit. Kjo sepse Prokuroria është kapur politikisht. Donika Prela dhe prokurorët e tjerë kanë marrë si të pandehur Salianjin, gazetarin Olldashi dhe denoncuesit e së keqes, e jo keqbërësit.

Sot të pandehur për afera të tmerrshme kriminale shtetërore duhet të ishin Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, zyrtarë të SHISH. Edi Rama ka marrë në mbrojtje Ballën, Xhafajn, zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit që dalin në përgjime duke bërë favore për kriminelë me damkë dhe gradohen nga kriminelët”, tha kryetari demokrat Lulzim Basha.

Gjykata e Tiranës ka marre në gjykim dosjen “Babalja” me te pandehur ish-deputetin, Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi për akuzen e “kallezimit te rreme”. Fredi Alizoti ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa tre të tjerët pushimin e gjykimit.

Kujtojmë që çështja penale u çel pas akuzave të vlonjatit Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babale”. Dosja e famshme e cila po hetohej nga prokurori Përparim Kulluri, është kthyer pasi nga hetimet rezulton se audiopërgjimi është i rremë. Po ashtu dosja në fjalë është kthyer në polici, me qëllim kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.

Skandali që po hetohet shpërtheu pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike, të një materiali audio, ku një person i identifikuar si “bashkëpunëtori x”, fliste për një bashkëpunim të mundshëm me vellain e ministrit të brendshëm të kohës, për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Më vonë, personi në fjalë, u zbulua se ishte Albert Veliu, i njohur edhe si Berti i Abesë, ish i dënuar për trafik droge. Të njëjtat akuza për Agron Xhafajn, Albert Veliu i bëri edhe përmes një interviste dhënë gazetarit Jetmir Olldashi, e cila gjithashtu u trasmetua nga selia e Partisë Demokratike.

Exit mobile version