Fundi i horrave, Basha për Ramën: Dialog ose përballje

Kryetari i opozitës ka paralajmëruar dje Ramën se është koha që të vendosë mes ofertës së opozitës për dialog politik për krijimin e qeverisë teknike ose përballjes së pashmangshme me Republikën e re për të cilën ai shprehu sigurinë e fitores. Basha tha dje se kjo është një javë vendimtare për kapërcimin e krizës politike.
“Kjo është javë vendimtare për betejën tonë. Rrugët që shtrohen para nesh janë fare të qarta. Rruga e parë që kemi kërkuar dhe për të cilën ftojmë sot çdo aktor të përgjegjshëm politik, është dialogu politik për formimin një orë e më parë të qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rruga tjetër në kushtet e kokëfortësisë, e papërgjegjshmërisë të një qeverie që nuk do dhe një kryeministri që refuzon të vendosë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve para interesave të pushtetit të tij, është rruga e përballjes së pashmangshme dhe fitores së pashmangshme të Republikës së re të qytetarëve shqiptarë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.
Kreu i PD u shpreh se shqiptarët nuk do ta lëshojnë sheshin e protestës deri në arritjen e fitores, e cila nuk do të kalojë nga pazaret dhe kompromiset.
“Rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të pasur. Ne nuk do ta lëshojmë këtë shesh. Ne nuk do ta lëshojmë këtë betejë me kompromise, me pazare, me gjysmë arritje, me gjysmë marrëveshje. Në djall pazaret politike. Ky është vendimi dhe beteja e qytetarëve dhe do të jemi këtu me një objektiv: fitoren e qytetarëve, fitoren e Republikës së re”, tha Basha.

Asnjë pazar me fatin e zgjedhjeve

Kryetari i opozitës deklaroi dje se nuk do të ketë asnjë pazar me fatin e zgjedhjeve të lira, i cili është interesi kryesor i qytetarëve. “Asnjë pazar nuk mund dhe nuk do të luhet me fatin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe unë u jap fjalën njësoj si ditën e parë, sot e çdo ditë, se nuk do të pranoj, nuk do të kërkoj dhe nuk do të lejoj asnjë pazar në kurriz të interesave të qytetarëve shqiptarë, në kurriz të interesave të popullit tim”, tha Basha.
Basha tha se Rama është identifikuar sot si problem kryesor për zgjedhjet e lira në vend dhe se opozita do t’i shkojë deri në fund betejës politike. “Pengesa e vetme, njeriu i vetëm që vendos pushtetin e tij, karrigen e tij, mbi interesat publike të çdo shqiptari e shqiptareje, ka orët e fundit për të reflektuar dhe për t’iu përgjigjur qytetarëve në kërkesën e tyre legjitime, patriotike, europiane dhe euroatlantike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ne kemi në dorë të parashtrojmë zgjidhjet. Ne kemi në dorë të japim rrugën përmes së cilës Shqipëria, jo vetëm mund, por 100% do të ecë drejt Republikës së re të standardit europian, të republikës së qytetarëve dhe jo republikës së politikanëve.
Por ne, kemi po kështu, potencialin, vendosmërinë, kurajon, energjinë, sot më shumë se dje, nesër më shumë se sot për t’i shkuar këtij vendimi deri në fund”, tha Basha.
Kryetari i PD tha se zgjidhja e propozuar nga opozita nuk është një zgjidhje radikale, por një zgjidhje politike përmes dialogut dhe krijimit të qeverisë teknike. “Kjo lëvizje ka hyrë tashmë në historinë kombëtare dhe në historinë e Ballkanit dhe të Europës, si lëvizja më europiane dhe më euroatlantike, paqësore, demokratike, por e vendosur, për të mos bërë asnjë milimetër prapa kur vjen fjala për standardin europian dhe euroatlantik të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Prandaj kemi parashtruar prej ditës së parë një zgjidhje për këtë krizë të thellë, produkt i republikës së vjetër dhe i politikës së inkriminuar që qeveris sot Shqipërinë. Jo një zgjidhje radikale, jo një zgjidhje e ashpër, por një zgjidhje politike që iu ofron Shqipërisë dhe shqiptarëve një rrugë të paqtë drejt rivendosjes së demokracisë përmes garantimit të votës së lirë.
Mbrëmë, duke vendosur këto interesa parësore për Shqipërinë, një nga dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne i themi; nëse kjo zgjedhje është e sinqertë: Mirë se vjen tek Shqipëria e para, shqiptarët të parët! Nuk kemi kërkuar dhe as nuk kërkojmë pazare politike, aleanca të kurdisura në kurriz të interesit qytetar.
Por ky është rasti t’i drejtojmë një thirrje të drejtpërdrejtë njeriut që tashmë është identifikuar zyrtarisht edhe logjikisht si pengesa e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, njeriut i cili ka vënë dhe po vë pushtetin e tij dhe karrigen e tij para Shqipërisë, para demokracisë, para zgjedhjeve të lira dhe të ndershme: të reflektojë dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes. Sigurisht, përmes një dialogu politik, një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke nxjerrë çdo person të inkriminuar nga çdo zyrë e shtetit, nga Parlamenti tek bashkitë dhe çdo institucion shtetëror; e cila do të luftojë me vendosmëri kundër fushatës së kultivimit të drogës dhe kundër parave të pista të drogës dhe bandave që janë bërë gati t’i vërsulen votës së lirë të shqiptarëve; e cila do të përgatisë kushtet europiane, standardet europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku çdo shqiptare dhe çdo shqiptar do të mund të votojë i lirë dhe vota e çdo shqiptari do të numërohet pa u tjetërsuar.
Kjo është ftesa dhe kërkesa. Ky është vendimi i marrë më 18 shkurt. Jo për pushtet në tavolinë, por për pushtetin e qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Pushtetin do ta marrin qytetarët

Kryetari i opozitës deklaroi dje se po afron dita kur pushtetin nuk do ta kenë më një grusht pushtetarësh që ndajnë pasuritë publike me një grusht oligarkësh pjesë e klientelës së qeverisë, por se pushtetin do ta marrin në dorë qytetarët.
“Dita po afron ku pushtetin nuk do ta kenë më një grusht politikanësh, por do ta kenë qytetarët shqiptarë, do ta keni ju. Ku vendimmarrja nuk do të jetë monopol i kryeministrave, i ministrave apo pushtetarëve arrogantë, por do të jetë tërësisht ekspozim i vullnetit, i dëshirave dhe projekteve tuaja. Ky është premtimi bazik i Republikës së re.
Unë e kam parë këtë ditë që po agon me qindra herë me sytë e mendjes e të shpirtit dhe e di se edhe ju e keni parë e keni ëndërruar këtë ditë. Ëndrra po vjen, ëndrra do të bëhet realitet.
Por për këtë na duhet qëndresë e vendosur deri në fitore. Republika e vjetër, mos harroni, ka në këtë lojë miliarda euro për të humbur. Nuk janë miliardat e tyre, por janë miliardat e shqiptarëve, janë miliardat tuaja me të cilat janë pasuruar dhe janë bërë të pushtetshëm.
Por unë e di dhe e kam ditur që nga dita e parë, që nga 18 shkurti, kur populli iu përgjigj masivisht thirrjes për një Republikë të re dhe e di sot edhe më qartë nga vendosmëria dhe kurajoja juaj, se bashkimi ynë, qëndresa jonë, kjo lëvizje e madhe popullore, kombëtare e demokratike ka qenë prej ditës së parë dhe sot akoma më shumë, më e fortë se interesat kriminale dhe korruptive të republikës së vjetër”, tha Basha.

46 ditë protestë e pandalshme

Basha shprehu një mirënjohje për të gjithë ata që i janë bashkuar protestës së opozitës duke kujtuar se ajo vijon e pandalshme në 46 ditë, duke qenë një rast unikal në historinë jo vetëm të Shqipërisë.
“46 ditë më parë ju, burra, gra të rinj dhe të reja nisët një marshim historik, kombëtar dhe qytetar për të drejtën më të shenjtë, mbi të cilën ngrihet demokracia, të drejtën për të votuar të lirë e të padhunuar. Të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme.
46 ditë më parë Shqipëria ishte një vend i shpresës së vrarë, një vend ku askush nuk kishte më fuqinë, kurajon dhe energjinë të ndërtonte dhe të thurte ëndrrat për të nesërmen. Dhe kjo, sepse republika e vjetër ishte shndërruar, jo në një vend për të gjithë shqiptarët, por në një bandë të korruptuar të larjes së parave të pushtetarëve të korruptuar dhe të kriminelëve në pushtet.
Republika e vjetër është një komplot nga i cili përfitojnë një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh dhe kriminelët e lidhur me ta. Qëllimi i republikës së vjetër nuk ka qenë, nuk është e nuk mund të jetë, aq më pak këto ditë të fundit të saj, mirëqenia, përparimi, punësimi i qytetarëve shqiptarë, por ka qenë pasurimi dhe pushteti i këtij grushti njerëzish i kësaj elite të korruptuar politike, e cila qëndron në pushtet vetëm, për të vjedhur paratë e buxhetit përmes tenderave korruptivë. Vetëm dhe duke zhvatur pasurinë kombëtare që i përkasin çdo shqiptari dhe brezave që vijnë, me koncesione korruptive. Vetëm për ta shndërruar vendin në tri vite e gjysmë në një hambar të madhe droge, në qendrën e krimit të organizuar në Ballkan dhe lavatriçen e parave të pista të pushtetarëve.
Për t’i ruajtur këto, kjo elitë e korruptuar politike, kjo republikë e vjetër e ka të domosdoshme kapjen e zgjedhjeve, e ka të domosdoshme të zëvendësojë vullnetin e secilit prej jush, gjykimin popullor me votë, me diktatin e krimit dhe parave të pista të korrupsionit”, tha Basha.

Shqipëria, e para

Për Bashën është e qartë se Rama nuk pranon të bëjë zgjedhje të lira pasi e di shumë mirë se nëse shqiptarët votojnë të lirë atëherë ky do të ishte fundi i pushtetit të Ramës, fundi i pushtetit të krimit dhe të korrupsionit.
“Kjo është arsyeja pse në më shumë se një vit, republika e vjetër as nuk u kujtua dhe as nuk iu përgjigj thirrjes së PD, thirrjes së opozitës dhe thirrjes së qytetarëve, të djathtë e të majtë, për të përgatitur zgjedhje të lira e të ndershme. Sepse republika e vjetër e di fare mirë se zgjedhjet e lira e të ndershme, janë fundi i rrugëve të vjetra, janë fundi i allishverisheve të vjetra, fundi i pazareve të vjetra, fundi i pushtetit të inkriminuar e të korruptuar dhe fillimi i pushtetit të qytetarëve.
Ne jemi në këtë betejë tash 46 ditë, në këtë lëvizje të madhe që është më e madhe se PD, është më madhe se opozita, sepse është lëvizja e një populli të tërë që ka vendosur ta rrëzojë republikën e vjetër, jo për pushtetin e PD, as për pushtetin e Lulzim Bashës, por për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka prezantuar edhe sloganin e ri të opozitës “Shqipëria e para”. “Në këtë shesh, nga dita e parë kur e stolisëm me flamurin tonë kombëtar e çdo ditë pas kësaj, kemi qenë dhe jemi këtu me një moto: ‘Shqipëria e para, shqiptarët të parët!’. Dhe duke vënë interesin e çdo qytetari mbi interesin e çdo politikani dhe të gjithë politikanëve të marrë së bashku, jemi e do të jemi të vendosur deri në fitoren e kësaj kauze kombëtare dhe demokratike.
Republika e vjetër e mbushi Shqipërinë me drogë për një arsye: Që me paratë e drogës dhe me forcën e krimit të organizuar, të majmur e të forcuar nga droga, t’i merrnin qytetarëve shqiptarë, jo vetëm demokratëve, por edhe socialistëve të ndershëm, edhe gjënë e fundit që iu kishte mbetur, të drejtën për të votuar si njerëz të lirë. Kjo hata e paparë dhe e padëgjuar në Europë, ka një autor, ka një emër, ka një përgjegjës dhe ky është kryeministri i vendit, ky është Edi Rama”, tha Basha.

Enton DACI

Exit mobile version