Basha: Parlamenti në varësi të krimit, ligje për pastrimin e parave

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka denoncuar në konferencën ballkanike që zhvillohet sot në Tiranë, kapjen e qeverisë nga krimi, të prokurorisë e deri të parlamentit. Basha solli shembull vetëm dy ligjet e fundit të miratuara nga parlamenti: Uljen e taksave për bixhozin dhe pastrimin e parave të pista në ndërtim!
Basha tha se, lidhja e qeverisë me krimin është pengesa kryesore e Shqipërisë në BE. “Rasti i mbrëmshem është tronditës: kryeprokurorja ka lënë pa hetim çështjen e Shullazit. Prokuroria është në mbrojtje të Shullazit, mikut të mikut të Ramës; është liruar Ermal Hoxha se nuk nxori emrin e Olsi Ramës; krimi ka bekimin e ministrit të Brendshëm; paratë publike përfundojnë në duart e personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë; njerëz të dënuar në disa shtete fitojnë qindra milionë euro tendera nga qeveria e Edi Ramës.
Ka arritur në pikën më të paimagjinueshme, pastrimi i parave të pista: katër vite më parë problem ishte kanabisi, tani është kokaina, heroina dhe pastrimi i parave të pista. Shikoni çfarë ligjesh kaloi parlamenti së fundmi: miratoi ligj për lojërat e fatit dhe miratoi ligjin për Teatrin, që të fitojë Rama 200 milionë euro. Pra, parlamenti për dy javë mori dy vendime: Bixhozit i uli taksat dhe i hapi rrugën, pastrimit të parave të pista në ndërtim.
Janë paratë e drogës. A ka definicion më të qartë të kapjes së shtetit?! Pra, jo kryeministri, por Kuvendi kthehet në trupën që ligjëron pastrimin e parave. Ul taksat për bizhin dhe vjedh pronën publike!”, u shpreh Basha.

Exit mobile version