Basha: Partnerët ia kanë bërë të qartë Ramës, KE do të votojë në qershor për moshapjen e negociatave

Gjatë takimit në Fier, kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha se Edi Rama duhej t’i kishte kërkuar ndjesë shqiptarëve për gënjeshtrën e një viti më parë, kur tha se negociatat janë hapur. “Një vit më parë hapi shampanjën për të festuar hapjen e negociatave, ndërkohë që sot u rekomandua për herë të tretë hapja e negociatave.

Një vit më parë u tha shqiptarëve se, negociatat janë hapur, ndërkohë ja ku jemi sot ku negociatat nuk janë hapur.

Pesë kushtet, lufta ndaj krimit, korrupsionit, ndëshkimi i zyrtarëve të lartë, mbrojtja e kriminelëve, kapja e drejtësisë për të mbrojtur krimin e lidhur me qeveritarët, këto i dinë të gjithë, i di Brukseli, i dinë vendet e BE-së që kanë raportet nga shërbimet e tyre sekrete”, tha Basha.

Në vijim ai tha se, Këshilli Europian do të votojë në qershor për moshapjen e negociatave dhe këtë e di mirë edhe Rama se ia kanë thënë, sikundër kanë informuar dhe liderin e opozitës.

“Edi Rama nuk e do hapjen e negociatave, pasi ai e di mirë, që të parët që përballen me drejtësinë janë qeveritarët, ashtu sikundër ka ndodhur në çdo shtet më parë në këtë fazë”, tha Basha.

“Gjendjen në Shqipëri e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel. Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ja kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi ramën dhe qeverinë e tij antievropiane.

Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se cka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin”, tha Basha.

Ai shtoi se këtë betejë që kemi nisur e bëjmë për Shqipërinë europiane, ndaj ka vetëm një rrugë: Edi Rama duhet të largohet, sepse është kapur duke bashkëpunuar me krimin, sepse i futi kriminelët në qeveri dhe parlament, sepse u provua se Sajmir Tahiri ishte kampion i trafikut të drogës, sepse ekonomia shqiptare u kap nga paratë e krimit.

Basha: Rruga e BE hapet duke larguar Edi Ramën!

Zgjidhja është e thjeshtë nëse Edi Rama një herë në jetën e tij, një çast në jetën e tij, do të vendoste interesin tuaj, për interesin e vendit, interesin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, jo të oligarkëve jo të banditëve, jo të vetës dhe pushtetit të tij, jo të pasurisë së tij, por interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Zgjidhja është e thjeshtë: largimi i tij i hapë rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit europian që do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama dhe banda e tij, nuk i zbatojnë, sepse janë në konflikt interesi me to.

Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e politikanëve të kapur me krimin në shitblerje votash.

Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin.

Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian

Exit mobile version