Ne jemi të përkushtuar ndaj angazhimeve tona më shumë se kurrë, dhe nuk do të ndalojmë së luftuari për qytetarët e Shqipërisë, derisa t’i bëjmë ato realitet.
Sepse ambiciet e shqiptarëve kanë qenë përherë ambiciet tona.
Partia Demokratike ka hedhur themelet e të gjitha proceseve modernizuese në këto tre dekada.
Me vetëdije, vullnet dhe sakrifica kemi ndryshuar trajektoren historike të Shqipërisë, duke shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e njerëzve
Nga rrëzimi i komunizmit dhe sjellja e demokracisë, tek futja në Këshillin e Europës dhe anëtarësimi në NATO, nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe heqja e vizave, tek marrja de facto e statusit kandidat, nga zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investimeve të huaja, tek zhvillimet në infrastrukturë, dyfishimi i pensioneve dhe i rrogave në shumë sektorë.
Të gjitha këto arritje nuk mbajnë rastësisht vulën tonë, por janë produkt i fuqisë jetëgjatë të ideve tona, të sakrificave dhe vendosmërisë së papërkulshme të të gjithë demokratëve shqiptarë.
Ndaj, nga ky kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, nga më i vjetri tek më i riu, si njerëz të lirë dhe ballëlartë që me zemër dhe kurajo sfiduan hordhitë e partisë shtet, krimit dhe oligarkisë, të vetëdijshëm për barrën e rëndë që kemi mbi supe si e vemtja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim, mesazhi ynë është fare i qartë:
Ejani me ne!
Ejani me ne në këtë rrugëtim për demokracinë,
Ejani me ne në këtë rrugëtim që do tua kthejë Shqipërinë shqiptarëve!