Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në emisionin “Përballë” me gazetarin Lutfi Dervishi në TVSH, tha ndër të tjera se, Partia Demokratike vjen me një program konkret propozimesh që parashikon rritje ekonomike si edhe rritjen e të ardhurave dhe mirëqenies së qytetarëve.
Lulzim Basha: Programi ynë është një program i cili është hartuar në bashkëpunim me mbi 500 ekspertë për një periudhë kohore prej më shumë se 2 vjetësh. Aspekte të veçanta siç është programi financiar madje kanë më shumë se 3-4 vjet që janë hartuar. Kanë kohë mjaftueshëm madje që edhe të kopjohen pa u kuptuar nga pala kundërshtare që është natyrisht forma më e lartë e komplimentit dhe e miklimit dhe e vlerësimit për programin tonë, por mbi të gjitha është një program i konsultuar me Aleancën për Ndryshim. Partia Demokratike vjen me një program propozimesh, planesh, të cilat janë të përllogaritura për të dhënë impaktin maksimal në synimin tonë, në objektivin tonë madhor që është mirëqenia e shqiptarëve, që është rritja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe dalja nga cikli i krizës ekonomike 8 vjeçare ku e ka futur vendin keqqeverisja e Edi Ramës.