Basha për Bukoshin: Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të kombit shqiptar

Lulzim Basha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe në historinë e shtetformimit dhe një personalitet me vizion të qartë europian për të ardhmen e kombit shqiptar.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, një lider i palodhur në kohët më të vështira dhe një simbol i përkushtimit ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare,” – shkruan Basha.

Ai kujton me mirënjohje bashkëpunimin me Dr. Bukoshin në projektet arsimore që lidhnin Shqipërinë dhe Kosovën në vitet e vështira pas luftës, duke theksuar përkushtimin e tij për të investuar tek të rinjtë si garanci për të ardhmen.

“Dr. Bukoshi ishte më shumë se një politikan dhe mjek – ai ishte një urë mes njerëzve, një njeri me integritet dhe përkushtim të rrallë, që do të mbetet në kujtesën e kombit si një nga ndërtuesit e parë të shtetit të Kosovës,” vijon Basha.

Postimi i Bashës:

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e themelimit të pavarësisë së Kosovës dhe në zemrat e shumë njerëzve.

Kam pasur privilegjin ta njoh fare i ri, dhe të bashkëpunoj me të për një qëllim të përbashkët, sjelljen e studentëve nga Shqipëria dhe Kosova për studime në Holandë. Ai ishte gjithmonë i përkushtuar dhe me një vizion të qartë për të investuar te rinia si shpresa për të ndërtuar një të ardhme europiane për kombin shqiptar.

Dr. Bukoshi ishte më shumë se një politikan dhe mjek; ai ishte një urë lidhëse midis njerëzve, një udhëheqës i palodhur në kohët më të vështira dhe një burim frymëzimi për ne të gjithë.

Kosova humbi sot një prej bijve të saj më të devotshëm, ndërsa unë humba një mik të vyer.

Trashëgimia e tij do të vazhdojë të udhëheqë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi, bashkëshortes Zana, vajzave Ora, Shota dhe Nita, dhe gjithë atyre që e njohën e e deshën.

I paharruar kujtimi i tij. U prehtë në paqe!

Exit mobile version