Kreu i PD, Lulzim Basha e cilësoi dje përdorimin e pajisjes së përgjimit nga Policia e Shtetit pa lejen e Prokurorisë një krim shtetëror. Përmes një deklarate për mediat, Basha theksoi se futja e kësaj pajisjeje në mënyrë të jashtëligjshme me bekimin e Ramës është kryer në të njëjtën mënyrë ashtu siç veprojnë organizatat kriminale.
“Një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve.
Ndërsa vetë policia e ka pranuar zyrtarisht se posedon një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, heshtin sepse janë ata ideatorët dhe urdhëruesit e përdorimit të kësaj metode kriminale.
Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale”, u shpreh Basha.
“Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeverie, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë.
Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek Kryeministri i vendit, Edi Rama.
Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur.
Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç janë dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie”, tha ndër të tjera kreu i PD.
Basha theksoi se është urgjente që ministri i Brendshëm, kreu i Policisë së Shtetit, kreu i Shërbimit Informativ dhe prokurori i Përgjithshëm të raportojnë para Komisionit të Sigurisë në lidhje me këtë skandal.
“Transparenca për këtë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend.
Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.
Ndaj, ne kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ dhe prokurorin e Përgjithshëm, për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje e për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore”, u shpreh kreu i PD.
Basha theksoi se mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron përgjegjësia politike e Edi Ramës. “Ai duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të Presidentit të vendit, të opozitës, të krerëve të institucioneve, të deputetëve, të drejtuesve të medias, të ambasadorëve, të gazetarëve, të qytetarëve.
Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të Kushtetutës – jo thjesht të një shteti brenda shtetit, por të një ‘shteti mafioz’ mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e Republikës”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Arben Shahini