Basha përkujton 8 Dhjetorin: Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe Lirisë, duke vlerësuar guximin dhe vizionin e studentëve të Dhjetorit ’90. Në një postim në Facebook, Basha thekson se kjo ditë shërben si një kujtesë për sakrificën ndaj diktaturës dhe si një thirrje për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Basha u bën thirrje të rinjve shqiptarë që të ndjekin shembullin e studentëve të Dhjetorit dhe të punojnë për një Shqipëri ku talenti, merita dhe mundësitë reale janë prioritet. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së lirisë dhe demokracisë si trashëgimi e çmuar, duke apeluar për përkushtim të vazhdueshëm për një epokë të re shprese, zhvillimi dhe drejtësie.

“Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa” – shkrun Basha në postimin e tij.

Postimi i Bashës:

Këtë 8 Dhjetor, përulemi me respekt para guximit dhe vizionit të studentëve të Dhjetorit ’90, të cilët ndezën flakën e lirisë dhe demokracisë në zemrat e shqiptarëve. Ata u ngritën kundër një diktature të pamëshirshme dhe i dhanë fund një epoke të errët, duke hapur dyert një kapitulli të ri për Shqipërinë.

Kjo ditë është jo vetëm kujtesë për të kaluarën, por edhe një thirrje për të ardhmen. Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhëtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa, por edhe një moment vetëdijësimi për të mësuar nga gabimet e të shkuarës, e për t’i lënë pas ato. Për të ndërtuar një Shqipëri ku çdo i ri të ketë mundësi reale për të realizuar ëndrrat e tij, për të ndërtuar familjen e tij, për të punuar sipas talentit dhe meritës dhe për të fituar një pagë të dinjitetshme, pa qenë i detyruar të largohet nga vendi i tij, nga të afërmit, miqtë dhe të dashurit e zemrës.

Në këtë 8 Dhjetor, dua t’i ftoj të gjithë të rinjtë e Shqipërisë të marrin shembull nga ata studentë të guximshëm, të besojnë te fuqia e tyre dhe të mos pranojnë asnjëherë më pak se ajo që meritojnë. Shqipëria jonë ka nevojë për energjinë, talentin dhe idealizmin tuaj, për t’i hapur dyer një tjetër kapitulli të historisë sonë, për një epokë të re shprese, zhvillimi, meritokracie dhe drejtësie.

Bashkë, me vendosmëri dhe besim, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar. Në këtë ditë të shënuar, të ndalemi dhe të kujtojmë se liria dhe demokracia janë trashëgimia jonë e çmuar, por ato kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm për t’u mbrojtur dhe forcuar.

Gëzuar Ditën e Rinisë dhe Lirisë!

Exit mobile version