Basha përkujton Masakrën e Qafës së Valmirit: Dëshmoi për 75 vjet për këtë aparteid dhe njollë e shtetit shqiptar. Detyra e Demokratëve Euroatlantikë ta shlyejmë këtë turp për politikën shqiptare

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar 75-vjetorin Masakrën e Qafës së Valmirit.

Basha shkruan se veglat e verbra të Sigurimit Komunist ekzekutuan 4 mirditorë dhe pushkatuan 10 të tjerë më 17 gusht 1949, si një akt hakmarrjeje pas vrasjes së Bardhok Bibës.

“Asnjëri prej të dënuarve nuk kishte lidhje me këtë ngjarje, por ata u zgjodhën si pjesë e një strategjie terrori ndaj një krahine që kurrë nuk i ishte nënshtruar diktaturës” – shkruan Basha më tej.

Ai më tej thotë se Masakra e Qafës së Valmirit ka dëshmuar për 75 vjet për këtë aparteid, një njollë e shtetit shqiptar dhe se është angazhimi i demokratëve euroatlantikë ta shlyejmë këtë njollë turpi për politikën shqiptare.

Postimi i plotë i Bashës:

75 vjet më parë, diktatura komuniste ndërmori një fushatë të pamëshirshme për të thyer rezistencën e Mirditës. Në një akt të tmerrshëm terrori publik, 14 nga bijtë më të shquar të kësaj krahine u varën dhe u pushkatuan në Masakrën e Qafës së Valmirit.

Në përputhje me urdhrat e vetë diktatorit gjakatar, veglat e verbra të Sigurimit Komunist ekzekutuan 4 mirditorë dhe pushkatuan 10 të tjerë më 17 gusht 1949, si një akt hakmarrjeje pas vrasjes së Bardhok Bibës. Asnjëri prej të dënuarve nuk kishte lidhje me këtë ngjarje, por ata u zgjodhën si pjesë e një strategjie terrori ndaj një krahine që kurrë nuk i ishte nënshtruar diktaturës.

Masakra u krye në prani të mijëra banorëve të detyruar të shikonin këtë krim makabër. Në raportimet e Sigurimit të Shtetit, theksohet se bashkë me të varurit dhe të pushkatuarit, një valë e gjatë arrestimesh dhe internimesh u vu në zbatim.

Jehona e masakrës përshkoi mbarë vendin. Me një sjellje të qartë racizmi krahinor dhe fetar, hierarkët komunistë deklaruan se “të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut, edhe pse asnjëri s’meritonin të vriteshin”.

Masakra e Qafës së Valmirit mbetet një nga aktet më terroriste që diktatura komuniste ka kryer ndaj Mirditës. Ajo krahinë u përball me një sulm të egër, që synonte gjunjëzimin dhe thyerjen e krenarisë së saj, që buronte nga një histori e lavdishme.

Mirdita, kjo trevë vitale, katolike dhe antikomuniste, nuk i nënshtrohej lehtë diktaturës. Për këtë arsye, zona ka përqindjen më të lartë të të vrarëve, të burgosurve dhe të internuarve nga regjimi komunist. I gjithë vendi, por edhe vetë demokracia shqiptare, i ka borxh Mirditës për çmimin e lartë të sakrificës që ajo pagoi për të mbajtur gjallë idealin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor për 50 vjet.

Në këtë zonë duhet të ishin zbatuar për 30 vjet rresht politika të diskriminimit pozitiv, jo vetëm për të rehabilituar të persekutuarit nga diktatura, por edhe për të nxitur investime që do të rrisnin numrin e të arsimuarve dhe të bizneseve të reja, duke ndihmuar fshatrat të rimëkëmben dhe të rigjallërojnë traditat e tyre të shkëlqyera. Fatkeqësisht, këto politika kanë munguar.

Masakra e Qafës së Valmirit ka dëshmuar për 75 vjet për këtë aparteid, një njollë e shtetit shqiptar. Për ushtrimin e këtij aparteidi jo nuk ka patur asnjë ndjesë; përkundrazi, zyrtarë të diskredituar dhe përfaqësues të krimit dhe korrupsionit janë sponsorizuar nga pasardhësit e diktaturës.

Është angazhimi i demokratëve euroatlantikë ta shlyejmë këtë njollë turpi për politikën shqiptare duke i dhënë fund hipokrizisë dhe abuzimit me të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre.

Lavdi përjetë martirëve të Mirditës!

Artikulli paraprakUashingtoni po i ‘hedh dorashkën’; Edi Rama është i rrethuar!
Artikulli tjetërI mori 10 mijë euro pronarit të një lokali duke e shantazhuar, GJKKO merr vendim për shefin e anti-drogës në Durrës