Basha: Përmbysje e kastës së krimit dhe korrupsionit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar mbrëmë në emisionin “Opinion” se Edi Rama o do të largohet nëpërmjet një dialogu politik, ose do të rrëzohet nga qytetarët e bashkuar. Basha tha se, dialogu politik është kthesa ime për t’i dhënë fund një maskarade të zgjedhjeve të kapura dhe të blera, si dhe është përgjegjësi e çdo force politike e veçanërisht e këtyre forcave politike që përbëjnë sot qeverisjen, të cilat duhet t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas tij, kjo qeveri nuk mund të garantojë dot zgjedhje të lira dhe të ndershme, faktet në kohë i ka kundër kësaj aspirate që ajo pandeh. Basha tha se faktet kanë treguar se kjo qeveri nuk mund të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për tre arsye: E para, inkriminimi i shtetit. Ky kryeministër ka sjellë banditët në zyrat e shtetit dhe në parlamentin shqiptar e bashkitë e vendit. Në institucionet më të rëndësishme, në vend që të kishim njerëz me integritet dhe përfaqësues të popullit, fatkeqësisht, kemi banditë të inkriminuar e të dënuar.
E dyta, kemi një gjeografi të bandave që janë bërë gati për t’i vërsulur votës së lirë. Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim, qytet më qytet dhe fshat më fshat. Shikoni se çfarë ndodhi në Lezhë para dy ditësh, Arben Ndoka, i larguar gjoja në emër të dekriminalizimit ai sulmon Agustin Markun, një ish-eksponent të PS-së.
E treta, është droga. Dy miliardë euro qarkullojnë para të pista nga kjo praktikë në Shqipëri, tha ambasadori i OSBE-së. Ndërsa vetëm BBC ka treguar se qarkullojnë 5 miliardë euro nga droga në vendin tonë. Sot ka një kërcënim real nga droga, e cila është produkt i qeverisjes së inkriminuar. Këtë e di çdo shqiptar që droga dhe krimi po shkatërrojnë Shqipërinë. Lideri i opozitës ka deklaruar se, qeveria teknike do të godasë kanabizimin dhe të garantojë mos prekjen e votës së shqiptarëve.

Kriminelët dhe qeveria teknike

Basha tha se, Rama ka sjellë në pushtet të gjithë kriminelët ndaj duhet krijimi urgjent i një qeverie teknike. Sipas tij, të gjitha forcat politike do të marrin pjesë në këtë qeveri teknike me vetëm një qëllim, qëllimin e shtypjes së krimit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndryshme. I pyetur nga Fevziu se, a është e mundur se një qeveri teknike i garanton zgjedhjet, kreu i PD është përgjigjur se ky është një detaj që do të diskutohet, kur palët të ulen për marrëveshjen. “Qeveria do të ketë autoritetin e plotë për t’i vënë dërrmën kriminelëve në Parlament, për të pastruar Policinë e Shtetit dhe votën e qytetarëve. Për kryetarin e opozitës, ky shesh, është një shesh veprimi dhe s’mund të kemi asnjë vend tjetër përveç se protestës qytetare. Ky është një bashkim popullor, vërtetë e kemi organizuar ne, gjatë gjithë këtyre ditëve, duke filluar nga e shtuna e 18 shkurtit, do gjesh një bashkim popullor që i kalon kufijtë e një partie politike, organizimi mund të jetë i kësaj partie, por pjesëmarrja është e qytetarëve. Këtu kemi pasur naftëtarë, studentë dhe gjimnazistë. Kjo protestë tejkalon kufijtë e një organizimi partiak, kjo është “çadra e lirisë”, është e qytetarëve”, është shprehur Basha.

Demokracia fasadë

Veç të tjerash, Basha tha  se në Shqipëri kemi të bëjmë me një demokraci fasadë. Sipas tij, kjo që po ndodh sot nuk është miting politik, po është ngritja e popullit për t’i thënë jo krimit dhe bandave. “Ne vijmë si një parti e rinovuar në vendimmarrje dhe në lidership, ka me dhjetëra të rinj dhe të reja, të cilët kanë studiuar këtu dhe në vendet perëndimore, e vijnë në PD për të dhënë idetë e tyre”, ka deklaruar Basha. Më tej, Basha është shprehur i vendosur se protestën do ta çoj deri në fund, derisa qeveria të pranojë kërkesat e opozitës. “Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës së qytetarëve, deri në largimin e kësaj qeverie dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, është shprehur ai. Kreu i Partisë Demokratike foli dhe në lidhje me dallimet mes dy forcave politike të koalicionit qeverisës; PS-LSI. Basha tha se, mes tyre ekziston një dallim numerik, pasi njëri ka 60 e ca deputetë, ndërsa tjetri ka 18 deputetë. “Përveç këtij dallimi numerik, që dy partitë diferencohen qartazi nga njëra-tjetra, asnjë dallim tjetër nuk ekziston”. Sipas tij, përgjegjësitë në qeverisje ata i ndajnë së bashku, sigurisht sipas peshës dhe rolit që kanë në qeverisjen e vendit.

Gabimet e PD-së

Por Basha ka bërë dhe një “meaculpa” në lidhje me gabimet që janë bërë gjatë qeverisjes së PD-së, të cilat kanë të bëjnë me përfitimet e oligarkëve të medias e biznesit, që rrinin sipas tij në paradhomat e pushtetit, siç do shprehej ai. “Kërkojmë ndjesë për rekordet e qeverisjes sonë të mëparshme, ku paradhomat e pushtetarëve diktoheshin nga njerëz të vetëquajtur “kapitenë të medias shqiptare”, përmes të cilave kanë pasur përfitime të jashtëzakonshme, shpesh herë në kurriz të interesit publik. Është rasti të bëj autokritikën në emër të Partisë Demokratike edhe në emrin tim personal. Po e filloj me mediat, e vazhdoj me biznesin dhe oligarkët dhe t’u premtoj shqiptarëve se, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha ka mësuar nga ato gabime dhe ne nuk do t’i përsërisim. As këta njerëz që rrinin në paradhomat e pushtetit dhe as oligarkët nuk do të ndikojnë vendimmarrjen e ardhshme të Partisë Demokratike që do të dalë me votën e lirë të shqiptarëve”, tha kreu i opozitës.

Basha për Soros: Të dënueshme përpjekjet për të fshehur të vërtetën e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur këtë të enjte në studion e emisionit “Opinion” për miliarderin George Soros.
Basha deklaroi se ka pasur marrëdhënie zero me miliarderin George Soros. Mirëpo për kreun e opozitës, problemi i Shqipërisë është Edi Rama dhe lidhja e tij me krimin.
“Lidhja e krimit me politikën është vepër e një njeriu që quhet Edi Rama. Ai e solli krimin në politikë për të fituar zgjedhjet, po e mban pushtetin me krimin”, tha ai.
Sipas tij, çdo përdorim i rrjeteve, siç është dhe rrjeti Soros për të fshehur këtë të vërtetë nga sytë dhe veshët e qendrave të politikbërjes dhe vendimmarrjes në Bruksel, Uashington dhe Berlin është e dënueshme.
“Unë e dënoj dhe i bëj thirrje çdo kujt të hapë sytë në marrëdhëniet me Edi Ramën, është përgjegjës për kriminalizimin e shtetit shqiptar, është përgjegjës për kthimin e Shqipërisë në Kolumbi të Europës dhe po bëhet gati të kapë dhe të prishë zgjedhjet për shqiptarët, ndaj e vetmja përgjigje ndaj tij do të ishte bojkoti dhe jo mbështetja”, nënvizoi Basha.
Kreu i opozitës deklaroi se çdokush duhet ta paralajmërojë dhe jo ta mbështesë, këtu futet edhe rrjeti Soros. Basha kujtoi se në lidhje me Soros ka shkrime investigative nga mediat, por ka edhe një hetim në Shtetet e Bashkuara. Ai u shpreh se është takuar dy herë me Sorosin me kërkesë të këtij të fundit, një herë në selinë e PD dhe një herë në Forumin Ekonomik të Davosit në prani të ish-Kryeministrit Berisha.

Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë

“Dy rrugë ka, ose do të largohet si pjesë e një dialogu politik, ose do të rrëzohet nga qytetarët e bashkuar”, tha Basha, duke shtuar se ftesa e tij për t’i dhënë fund maskaradës së zgjedhjeve të blera është ndaj çdo force politike dhe veçanërisht ndaj partive që janë sot në qeverisje.
“Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimi i kësaj qeverie dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

-Zoti Basha, keni deklaruar se në qoftëse nuk ka qeveri teknike, nuk do të ketë zgjedhje?
Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.

-Si nuk mund të ketë?
Nuk mund të ketë, më thuaj ti si mund të bëhen zgjedhje pa opozitën.

-Ka pasur zgjedhje në Maqedoni në vitin ’95?
Ju mendoni se do të përsëritet e njëjta gjë në vitin 2017? Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.

Artikulli paraprakParatë e drogës nga Shqipëria tek terrorizmi
Artikulli tjetërIsh-i përndjekuri tentoi të hidhej nga vinçi për dëmshpërblimin e burgut