Basha përshëndet ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për miratimin e ligjit të gjuhës shqipe në Parlamentin e Maqedonisë. Ndërsa e ka përshëndetur miratimin e ligjit që e bën gjuhën shqipe gjuhë zyrtare në Maqedoni, Basha ka theksuar se ky është një hap i suksesshëm për faktorin politik shqiptar në shtetin fqinj. “Miratimi i sotëm i ligjit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni. Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe europiane”, u shpreh Basha. Edhe ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje votimin e ligjit për gjuhën shqipe në Parlamentin maqedonas, duke theksuar se zbatimi i këtij ligji do shënonte një fitore historike për shqiptarët e Maqedonisë dhe kombin shqiptar në tërësi. “Votimi i ligjit për gjuhën shqipe në Parlamentin e Maqedonisë, një arritje e madhe! Të dashur miq, sot Parlamenti i Maqedonisë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit miratoi ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në territorin e Republikës së Maqedonisë. Duke përshëndetur këtë akt të rëndësishëm dhe të gjitha ata që bënë të mundur votimin e tij, theksoj se zbatimi i këtij ligji do shënonte një fitore historike për shqiptarët e Maqedonisë dhe kombin shqiptar në tërësi!”, shprehet Berisha. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, shprehet se miratimi i ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, një sukses tjetër i madh jo vetëm për shqiptarët në Maqedoni, por për të gjithë atë vend e rajonin tonë, për stabilitetin e të ardhmen europiane. “Miratimi sot i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, një sukses tjetër i madh jo vetëm për shqiptarët e atjeshëm, por për të gjithë atë vend e Rajonin tonë, për stabilitetin e të ardhmen europiane. U realizua dhe një nga pikat e fundit të mbetura nga Marrëveshja e Ohrit. Ky hap shumë i rëndësishëm, plotëson më qartë arritjet mahnitëse që kombi i ynë ka prekur në këto 25 vite.
Unë dua të kujtoj sot disa nga ata që kontribuan fuqishëm për këtë rrugëtim në Maqedoni, që nga miku im i vjetër Arbër Xhaferri, te Mendu Thaçi e deri te politikani i shquar e i qartë Ali Ahmeti. Pa dyshim një meritë thelbësore i takon partnerëe tanë të mëdhenj SHBA e BE”, shprehet Shehu.

Artikulli paraprakBerisha: Gjoba e urrejtjes patologjike e Ramës për shqiptarët
Artikulli tjetërEksperimenti i rrezikshëm i dyshes Rama-Nikolla