Basha iu drejtua fermerëve se, po e shitët votën tuaj, keni shitur veten dhe fëmijët tuaj, po të bëheni bashkë të gjithë, kjo qeverie bie për 24 orë.
“Kjo qeveri ka ndërtuar një mekanizëm me kriminelët që blejnë votën. Por ka edhe njerëz që e shesin votën. Unë kam për detyrë që sa herë shitet vota, keni shitur fëmijët tuaj, keni shitur gjakun tuaj, keni shitur djersën tuaj.
Dhe për atë grusht mielli, grusht lekësh që shisni 4 vjet, keni shitur veten tuaj njësoj siç shiten bagëtitë në tregun e Roskovecit apo Milotit. Unë kam për detyrë t’ju them se përpara keni një alternativë europiane, një parti europiane, një kandidat për kryeministër europian që është gati t’ju ndihmoj, që di t’ju ndihmoj, që do t’ju ndihmoj, që ka vendosmërinë t’ju ndihmoj.
Unë di se për çfarë flas.
Nuk është e vërtetë që opozita është e dobët dhe unë rri duarkryq. Se kur vjen puna për vendime të forta. Merrni një opozitë dhe shikoni në këto 30 vite, para meje cila opozitë ka marrë vendime më të forta se opozita që drejton unë?! Të gjitha në interesin tuaj. Atë që kishim në dorë atë kemi bërë.
Sot, ka dy mënyrë:
Një është të bësh sikur bën teatër bashkë me ta dhe asgjë nuk kishim për të ndalur.
Gjëja tjetër është të tregosh gjithë shqiptarëve dhe gjithë botës se çfarë ndodh në këtë vend.
Prandaj dolëm prej andej, dolëm me njerëzit në rrugë dhe sot ke Bundestagun që thotë se në Shqipëri ka një krizë të rëndë politike, pa zgjidhur këtë krizë nuk iu hapim derën. Arresto ata që vodhën votat, garanto votën e shqiptarëve, bëj zgjedhje, pastaj të hapim derën e Europës.
Këtë që arritëm me Bundestagun e arritëm me gjithë Europës dhe me SHBA.
Sot në tryezë është shtruar për zgjidhje kriza politike shqiptare. Kjo krizë zgjidhet me votën tuaj, me zgjedhje zgjidhet kriza.
Nëse të gjithë bëhemi bashkë dhe nuk lejojmë e nuk pranojmë shitjen e votës.
Nëse të gjithë bëhemi bashkë me shpirt dhe me mendje për një Shqipëri të vlerave të vërteta dhe jo të krimit, kjo qeveri bie për 24 orë. Qëllimi është të bëhemi të gjithë bashkë të sjellim sa më parë ditën e votimit për të sjellë një Shqipëri europiane”, u shpreh Basha.