Basha: Prela, kreu i celulës kriminale, grisi fletëarrestin për Dakon

Kryetari i opozitës, Basha ka deklaruar përmes një postimi të shkurtër në facebook, se Donika Prela është Kryetarja e celulës kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Basha ka bërë deklaratën e fortë sipas të cilës Prela është autorja e grisjes së fletëarrestit për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Basha thotë se, Prela po bën gjithçka për të prishur provat e hetimit.
Postimi i Bashës
Kreu i celulës kriminale te Krimet e Rënda Donika Prela është autorja e grisjes së fletarrestit për Vangjush Dakon. Kamikazja e Edi Ramës po bën gjithçka të prishë hetimin për krimin elektoral të shitblerjes së votave mes Dakos dhe bandave të Durrësit dhe Shijakut.
Dosja 339 e Dakos
Opozita vijon akuzat për lidhje të eksponentëve të mazhorancës me bandat kriminale. Teksa ka komentuar arrestimet e fundjavës që shkoi, deputeti Enkelejd Alibeaj ka thënë se në Prokurori ka një dosje përgjimesh, pjesë e së cilës është edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
“Përgjimet janë në një dosje që ndodhet në Prokurori. Dosja është me numër protokolli 339, dhe është depozituar në vitin 2017. Ai përfshihet në pazar votash vetë me grupet kriminale që operojnë në zonën e Durrësit”, tha Alibeaj në Abc News.
Një ditë më parë edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha drejtoi gishtin nga Vangjush Dako si i implikuar në pazare me bandat kriminale. Sipas Bashës, prokuroria nën presionin e Edi Ramës nuk guxon të arrestojë Dakon.

Exit mobile version