Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka prezantuar Doriana Musain si zëdhënësen e fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Musai, një arkitekte dhe planifikuese urbane me arsimim ndërkombëtar në institucionet më prestigjioze në Europë, SHBA dhe Britani, do të jetë zëri i programit dhe vizionit të kësaj force politike.
Gjatë prezantimit, Basha theksoi se zgjedhja e një profesionisteje me integritet dhe vizion, si Doriana Musai, është në përputhje me filozofinë e Koalicionit Euroatlantik për të sjellë në politikë njerëz me integritet, dhe për të ndalur riciklimin e së shkuarës.
“Doriana është etalon i ndershmërisë dhe vizionit,” – tha Basha, duke shtuar se kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët, profesionistët dhe të rinjtë për t’u bashkuar me Koalicionin Euroatlantik, sepse “Shqipëria meriton më shumë!”
Ndërsa Doriana Musai e cilësoi këtë një nder dhe përgjegjësi, duke theksuar se do të jetë zëri i një programi politik që sjell shpresë dhe ndryshim të vërtetë për qytetarët shqiptarë. “Ishte momenti për të bërë një hap para dhe për të kontribuar nga pozicioni i qytetarit, aktivistit dhe intelektualit, sepse dorëzimi nuk është opsion,” – u shpreh Musai.
Koalicioni Euroatlantik synon të jetë një alternativë e vërtetë opozitare, duke sfiduar të vjetrën me një qasje të hapur dhe transparente për qytetarët.
Mesazhi i Lulzim Bashës:
Lulzim Basha: Mirëmbrëma të dashur miq dhe mikesha. Pas prezantimit të listës së kandidatëve të Koalicionit Euroatlantikë, kandidatët më të mirë në këto zgjedhje, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju prezantojë me zëdhënësen e fushatës të Koalicionit Euroatlantikë. Njësoj si kandidatët tanë, ne zgjedhjim cilësinë. Dhe kur vjen fjala tek personi që do t’i japi zë programit tonë, fushatës tonë, kandidatëve tanë, kemi zgjedhur një pedagoge të lauruar në universitetet dhe institutet më të famshme të Europës, në fushën e arkitekturës dhe të planifikimit urban. Që do të thotë kemi zgjedhur një person jo thjesht me vizion, por edhe me ndershmëri, me atë që i mungon Shqipërisë, i mungon këtij qyteti, që kryebashkiakun dhjetëvjeçar, sot e ka me vendim të Gjykatës së Apelit në arrest, dukepritur gjykimin për aferat e tmerrshme korruptive që vijnë për shkak të pandeshmërisë dhe korrupsionit në bashkinë e Tiranës.
Për t’u kthyer tek zëdhënësja jonë, etalon i ndershmërisë, i vizionit, edhe për shkak të profesionit si arkitekte, si planifikuese urbane, si hartuese e programit tonë në këtë fushë që u shpalos në 1 qershor dhe që Trekëndëshi i Bermudës nuk donte që ju ta merrni vesh. Po përmes kandidatëve tanë, pëmes fushatës të Koalicionit Euroatlantikë dhe përmes zëdhënëses që do t’ua prezantojë tani, padiskutim do ta dëgjoni, do të keni mundësinë ta zgjidhni si alternativën e duhur, sepse Shqipëria meriton më shumë, Doriana Musai.
Doriana Musai: Përshëndetje. Faleminderit është nder dhe përgjegjësi të marrë këtë detyrë që në fakt sa të vështirë, pasi do të duhet që t’i jap zë të gjithë deputetëve, programit dhe të gjithë asaj që është vizioni i Koalicionit Euroatlantikë. Ishte momenti për të bërë një hap para dhe për të kontribuar nga pozicioni i qytetarit, aktivistit, intelektualit dhe me premisën dhe parimin që dorëzimi nuk është opsion.
Lulzim Basha: Ky është një mesazh për të gjithë ju të dashur qytetarë, në vecanti për ju të rinjtë e të rejat, për ju profesionistë, intelektual që ua ka shpifur politika e dvjetër e Trekëndëshit të Bermudës, bashkohuni me Koalicionin Euroatlantikë, si Doriana, si shumë e shumë intelektual, profesorë, mësues, të rinj, shumë prej tyre dhe kandidatë, bashkohuni me ne, sepse ju meritoni më shumë, dhe Shqipëria meriton më shumë.