Basha prezanton platformën e tij në Kongresin Amerikan: Mbështetje për SPAK, vetting në politikë, lista të hapura, vota e diasporës, janë prioritet tona

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u prit në një takim nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, Michael McCaul.

Zoti Basha dhe zoti McCaul diskutuan për situatën në Shqipëri dhe në rajon.

Zoti Basha ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të PD-së, për ndihmën dhe mbështetjen që SHBA-ja, i kanë dhënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në kohë të vështira dhe sfiduese, por edhe ne ditët e sotme në funksionimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e demokracisë.

Korrupsioni është një nga shqetësimet kryesore në Shqipëri, theksoi zoti Basha, i cili ka impakt në zhvillimin e vendit dhe konkurrencën e lirë. Institucionet e reja të drejtësisë, e veçanërisht SPAK, kanë nisur një betejë të fortë kundër korrupsionit me rezultate të prekshme. PD-ja i mbështet dhe i inkurajon ato ta vazhdojnë këtë betëjë në nivelet e larta, pa rënë pre e presionit apo shantazheve politike të cilat, fatkeqësisht janë shtuar kohët e fundit.

Zoti Basha ka prezantuar dhe nismat e PD-së si, vetting-u i politikanëve, përmes të cilit synohet të pastrohet politika nga politikanët e korruptuar dhe të lidhur krimin, apo fuqizimi i qytetarëve përmes zgjedhjes së drejtpërdrejtë të deputetëve, si dhe krijimi i mundësisë për të votuar, për herë të parë, të diasporës shqiptare.

Një pjesë të rëndësishme të bisedës e zunë edhe zhvillimet në rajon dhe veçanërisht Kosova. Zoti Basha ka kërkuar që sa më parë të bëhen të ditur, jo vetëm përgjegjësit, por edhe urdhëruesit e sulmit të 24 shtatorit ne Banjskë, e cila ishte qartësisht një tentativë si ajo e Krimesë, për të aneksuar territor të Kosovës.

Vëmendja e shtuar e SHBA-së është garanci për siguri dhe stabilitet, ndërsa është e rëndësishme, që Serbia të mos tolerohet me sjelljet e saj dhe sa më parë Kosova të nisë procedurat e anëtarsimit në NATO.

McCaul theksoi se komisioni dhe Kongresi po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon dhe konsideroi si thelbësore, që Shtetet e Bashkuara të forcojnë angazhimin ndërkombëtar me aleatët, të kundërshtojnë politikat agresive të kundërshtarëve dhe të avancojnë interesat e përbashkëta të kombeve, në mbrojtje të stabilitetit dhe demokracisë në mbarë globin.

Exit mobile version