Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje sot Prokurorisë të hetojë kartelin Rama-Tahiri. Ai tha se po bëhet presion për të mbyllur hetimet ndaj Tahirit. Kreu i PD tha se, po bëhet preison i madh për të mbyllur çështjen Tahiri.
“Në rastin e Saimir Tahirit ra shteti, u shuan së ekzistuari të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend. Qëllimi i komisionit është të zbardhë pse ndodhi dhe si ndodhi për të mos lejuar më kurrë që shteti të kapet nga krimi apo të kthehet në zgjatim të tij. Ne do të hetojmë si dhe pse ndodhi që kupola e gjithë Policisë u kthye në organizatë kriminale dhe askush nuk reagoi.
Si dhe pse ndodhi që vendi u mbulua me drogë sheshit dhe asnjë institucion shtetëror nuk reagoi dhe bëri përpjekje për ta ndaluar.
Paralelisht, Prokuroria duhet të hetojë grupin Habilaj dhe lidhjet e tij politike. Po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen “Tahiri”.
Nuk mund të ketë drejtësi nëse Dako, Tahiri, Ahmetaj, Sejdini dhe një grusht kryebashkiakësh të korruptuar të kësaj qeverie nuk do të dalin para drejtësisë”, tha Basha.
Këto deklarata Basha i bëri Basha në një konferencë për mediat ku ndër të tjera ka folur edhe për arrestimin e kryebashkiakut demokrat të Lezhës, Fran Frrokaj. I shoqëruar nga deputetët e komisionit hetimor ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, Basha uroi që Frrokaj të jetë i pafajshëm, por theksoi se qëndrimi i PD-së është i pandryshuar, çka do të thotë se të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.
Ai kërkoi që hetimet ndaj Frrokajt të jenë transparente dhe të paanshme, si dhe bëri thirrje që të shmanget drejtësia selektive e një krahu politik ndaj një krahu tjetër.
“Urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi im dhe PD-së është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë, por ne kërkojmë që hetimi të jetë i drejtë, transparent dhe i paanshëm. Jo drejtësi selektive të një krahu politik ndaj një krahu tjetër”, tha Basha.