Basha publikon videon: U bë shumë kohë pa një arritje të madhe për Shqipërinë! Bashkohuni me mua të anëtarësohemi në BE!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen më 25 prill, pasi ka ardhur koha që të ecin së bashku drejt anëtarësimit në BE. “Për të sjellë ndryshimin dhe për të përmirësuar jetën e të gjithë shqiptarëve, na duhet të anëtarësohemi në Bashkimin Europian”, nënvizon Basha në Twitter.

Po aty, në një video-mesazh të artistëve, fermerëve, juristëve, ekonomistëve, studentëve për rëndësinë e anëtarësimit të vendit në BE pas një periudhe kaq të gjatë pritjeje, kryetari i PD-së ka thënë fjalën e fundit duke kërkuar besimin e shqiptarëve për ta realizuar edhe këtë mision, ashtu siç ai përmbushi me sukses 12 vite më parë, anëtarësimin e vendit në NATO.

“Europa është mbështetje e fuqishme për artin dhe kulturën. Europa është fonde për zhvillimin e bujqësisë dhe biznesit. Europa është lëvizje e lirë e njerëzve, tregti e lirë dhe investime të huaja. Europa është demokraci dhe institucione të pavarura. Europa është ekonomi që rrit mirëqenien dhe hap vende pune.  Europa është mundësi të reja për arsim cilësor”, thonë pjesëmarrësit.

“U bë shumë kohë pa një arritje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne e kemi gati vendin në familjen europiane. Ashtu siç punova fort për ta bërë realitet, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë pa viza, tani është koha të ecim të sigurt drejt qëllimit tonë të përbashkët, anëtarësimit në Europë. Unë e di si arrihet kjo. Bashkë mund ta bëjmë këtë realitet. Bashkohuni me mua”, thekson Basha në përfundim.

Exit mobile version