Basha: Qëndrimet e PD janë të qarta, lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja ndaj SPAK

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në fjalën për gazetarët para nisjes së seancës në Kuvend u shpreh se propozimi për një rezolutë kundër korrupsionit mund të jetë akt elektoral apo komplot i pisët kundër SPAK.
Basha përsëriti qëndrimin e Partisë Demokratike që nuk do të votojë asnjë rezolutë që dëmton reformën në drejtësi dhe në veçanti punën e SPAK kundër korrupsionit qeveritar.

FJALA PËR MEDIAT E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË OBORRIN E KUVENDIT

Dua ta filloj me një pyetje të thjesht që përmes jush dua t’ua drejtoj çdo qytetari. Çfarë kërkon kjo rezolutë? Çfgarë mekanizmash ofron për atë që kërkon? Çfarë garancish ofrojnë ata që e kanë propozuar këtë rezolutë se këto mekanizma do të funksionojnë? Çfarë kërkohet të arrihet për këtë rezolutë dhe përgjigjja ndaj kësaj pyetje mbetet mister.
Kjo qeveri ka 11 vite që qeveris dhe ka arritur gjatë këtyre 11 viteve rekordet më të ulëta në luftën kundër korrupsionit, rekordet më të larta në korrupsion. Ndaj, pyetja kryesore që shtrohet për të gjithë ata që thonë do ta votoni apo nuk do ta votoni është: çfarë kërkohet të arrihet me këtë rezolutë? Qëndrimet e Partisë Demokratike janë të qarta dhe të prera. Në luftë kundër korrupsionit Partia Demokratike ka hedhur gjihmonë votën pro dhe hapa aktiv. Por Partia Demokratike as nuk do të ngrejë kartonat as nuk bëhet pjesë dhe as nuk do të mbështesë, përkundrazi do të denoncojë me forcë çdo përpjekje kundër drejtësisë e në veçanti kundër SPAK-ut që për momentin është institucioni kryesor për të mos thënë i vetëm që po arrin të godasë korrupsionin e lartë qeveritar.
Ne presim që ata që kanë propozuar rezolutën të tregojnë që ky nuk është thjesht akt elektoral. Shqiptarët presin të shohin nëse ky është një akt puro elektoral në rastin më të mirë, apo një komplot kundër SPAK dhe kundër reformës në drejtësisë në rastin më të keq. Dhe për këtë i takon atyre të shpjegojnë para shqiptarëve pse 10 muaj para zgjedhjeve pasi kanë qeverisur për 11 vite, pasi e kanë përlyer vendin në aferat më të rënda korruptive, po vijnë me një propozim të tillë. Çfarë është ky propozim, çfarë përmban, sa i takon Partisë Demokratike ne jemi të qartë se çfarë kërkojmë. Ne kërkojmë fuqizimin e SPAK dhe për këtë kërkojmë votat e partisë socialiste për amendamente që kanë tash e sa muaj në Kuvendin e Shqipërisë. Ne kërkojmë që politikanët shqiptarë, politikanët kryesor të vendit, 140 deputetët, 61 kryetarët e bashkive, kryeministri, presidenti, kabineti qeveritar, drejtuesit e institucioneve më të larta shtetërore t’i nënshtrohen vettingut të përvitshëm të pasurisë së tyre, të familjarëve të tyre, të rrethit të tyre shoqëror, si dhe kontrollit të kontakteve të papërshtatshme me botën e krimit. Prandaj qëndrimi i Partisë Demokratike, është dhe mbetet ky, ne do të votojmë gjithçka që lufton korrupsionin dhe asgjë që dëmton reformën në drejtësi dhe në këtë mënyrë ndihmon korrupsionin e kësaj qeverie.

Artikulli paraprakRaporti vjetor i INSTAT, Agalliu: Mos publikimi i cencusit tregon edhe njëherë frikën nga realiteti i hidhur
Artikulli tjetërNjë hap prapa pas protestave! BE lehtëson rregullat e politikës së përbashkët bujqësore