Kryetari i PD, Lulzim Basha informoi zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart mbi situatën e rëndë që kalon Shqipëria, ku qeveria e kapur tërësisht nga krimi dhe korrupsoni është shndërruar në bllokimin kryesor të Shqipërisë në BE.
Basha i bëri zv/mimnistrit të Jashtëm austriak një rezyme të të gjithë lidhjeve të qeverisë me krimin, ndërsa e konsideroi qeverinë si tërësisht të paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Kreu i opozitës i tha zëvendësministrit të Jashtëm austriak se, nga kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet tek trafikimi i heroinës dhe kokainës dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë si ndërtimi dhe projektet PPP.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.
“Bashkimi Europian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”, tha Kryetari Basha.
Shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes.
Partia Demokratike beson se realizimi i Reformës Zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.
Kryetari i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha, e falenderoi zv/ministrin e Jashtëm, Linhart për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhe, veçanërisht të kryeministrit Kurz, për integrimin europian të Ballkanit.
Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian dhe zv/inistri i shprehu zotit Basha mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete.