Basha: Qeveria ka shumë fjalë e pak veprim. Reagimi spontan që ndryshon nga mëngjesi deri në darkë tregon mungesë aftësie për t’u përballur me krizën.
Pyetje: A shikoni ju reflektim apo një dinamikë tjetër pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ndaj propozimeve që ju keni shtruar?
Lulzim Basha: Po shikoj reflektim, por është reflektim shumë i ngadaltë dhe shumë i pakët, për të përdorur shprehjen “to little too late”. Nuk kemi kohë për të humbur. Reflektimi është i pakët, është i ngadaltë dhe në shumicën e rasteve mbetët në letër.
Reflektimi i vërtetë është në qoftë se është i zbatueshëm, zbatohet dhe qytetarët e ndjejnë përmirësimin që duhet të sjellë. Fjala bie, në qoftë se tre javë më përpara kemi propozuar këtë paketë masash me tre komponentë kryesorë: shëndetësinë, familjet në nevojë dhe ekonominë, pse është humbur kjo kohë? Kur do të përfitojnë këta njerëz paratë për të cilat kanë nevojë, likuiditetin pa të cilin nuk mund të rritet konsumi, pa të cilin nuk mund të marrë frymë ekonomia, pa të cilin nuk mund të luftohet kjo pjesë e rëndësishme e frontit që është kriza ekonomike dhe që po troket edhe si rezultat i krizës së koronavirusit.
Pra ka vonesa, ka shumë fjalë e pak veprim. Ka qartësisht një hendek midis asaj që thuhet dhe asaj që bëhet. Kjo duhet të marrë fund. Qeveria duhet të veprojë me hapa të vendosur dhe duhet të veprojë në bazë të një plani, nuk duhet të reagojë. Është instiktive për institucionet të reagojnë në ditët e para, ndaj dhe ne e konceptuam rolin tonë duke i dhënë ato propozime në mënyrë konstruktive në vend që vetëm të tregonim me gisht, për të kontribuar që të dilej nga amullia, nga inercia e ditëve të para.
Por tani, një muaj pasi situata është bërë e njohur, tre javë pasi jemi në këtë gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, nuk ka më asnjë alibi për vonesat, për amullinë dhe për reagimin spontan që ndryshon nga mëngjesi deri në darkë dhe që tregon një mungesë totale aftësie dhe planifikimi për tu përballur afatgjatë.
Prandaj gjëja e parë që duhet të ndryshojë është mënyra se si mendohet për këtë çështje. Në qoftë se mendojmë sot për sot, kjo do të vazhdojë. Sot do të bëhet diçka, në darkë do të ndryshohet, të nesërmen në mëngjes do të ndryshohet përsëri. Kjo nuk është mënyra për t’u përballur me krizën. Kjo do të na çojë drejt një katastrofe të pa evitueshme. Mënyra për tu përballur me krizën është të planifikojmë sa më gjatë të jetë e mundur.
Natyrisht nuk mund të parashikojmë gjithçka as ne dhe askush tjetër, por aq sa mund të parashikojmë mund të kemi skenarët tanë dhe në skenarët tanë të parashikimit duhet të kemi masat të cilat na lejojnë të përballemi sot me atë që do të vijë pas një jave, me atë që do të vijë pas dy javësh dhe jo të merremi sot për sot me problemet të cilat sa vijnë e rëndohen.