Basha: Rama do të largohet, s’ka zgjedhje me 18 qershor

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përsëritur dje nga çadra e Lirisë, se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një çështje e panegociueshme. Basha tha se kjo është një çështje për “jetë a vdekje” për demokracinë shqiptare dhe stabilitetin e saj. Basha tha se, opozita do ta kthejë në hi projektin ogurzi të Edi Ramës dhe klikës së tij për të prishur zgjedhjet në vend, duke përsëritur dhe një herë qartazi se zgjedhje në 18 qershor nuk do të ketë. “Mbani mend dhe fiksojeni mirë! Dëgjojeni mirë këtë që po u them, dhe ua them me sigurinë totale të një populli të bashkuar rreth kauzës së vet dhe flamurit kombëtar: Zgjedhje me 18 qershor nuk do të ketë! Edi Rama do largohet! Një qeveri teknike do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha. Sipas kreut të opozitës, ora e fitores për çdo shqiptar po troket, dhe mesazhet e përkrahjes kanë ardhur dhe në ditët në vijim do vijnë dhe të tjera. Basha tha se çështja e zgjedhjeve do të zgjidhet vetëm sipas standardeve perëndimore dhe këtë asgjë s’mund ta ndalë. “Orët e drogës, orët e krimit po numërohen mbapsht. Ora e së mirës sapo ka filluar, ora e fitores për çdo shqiptar po troket. Mesazhe përkrahjeje kanë ardhur. Mesazhe të tjera do të vijnë. Realiteti nuk mund të injorohet më. E vërteta nuk mund të fshihet më. Me një çështje si kjo, çështje për jetë a vdekje, për demokracinë, për stabilitetin, për paqen, për mirëqenien dhe harmoninë sociale të shqiptarëve, nuk mund dhe nuk do të ketë kurrë pazare të ndyra politike të republikës së vjetër. Një çështje si kjo, mund dhe do të zgjidhet vetëm sipas standardit europian. Vetëm sipas standardit euroatlantik. Dhe ky standard dikton në mënyrë absolute largimin e Edi Ramës si kryeministër, për t’i hapur rrugë përgatitjes për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush do një Shqipëri ku garantohet puna dhe punësimi sipas aftësive, talentit, mundësive dhe nevojave; Kush do një Shqipëri, paratë e taksapaguesve të së cilës nuk zhduken në konçesionet, tenderat korruptivë, por përfundojnë shërbime, investime dhe punësim për shqiptarët, nuk i shkon nga mbrapa midesë një çete të korruptuar e të droguar, por bashkohet siç po bashkohet me këtë lëvizje të madhe popullore. Ajo që do të arrijmë është një shërbim i madh ndaj çdo shqiptari”, tha lideri i PD.

Republika e Re

Kreu i opozitës u ndal dhe një herë tek projekti i tij për Republikën e Re, të cilën e cilësoi si projekt jo vetëm të demokratëve, por të gjithë shqiptarëve “Republika e Re” nuk është e nuk mund të jetë projekt i vetëm i demokratëve, vetëm i opozitarëve, apo vetëm i të djathtëve. Eshtë projekt bashkimi për çdo shqiptar dhe çdo shqiptare të ndershme. Alternativa e mbajtjes së Shqipërisë në pushtetin e drogës, e mbajtjes së Shqipërisë nën pushtetin e krimit, jo vetëm që do të bllokojë një herë e mirë rrugën europiane të vendit tonë, por do ta kredhë ekonominë, demokracinë, stabilitetin shoqëror në një humnerë të zezë e të thellë nga e cila do të na duhen jo vetëm vite, por dekada për të dalë. Ja pra pse lufta juaj, qëndresa juaj, vendosmëria juaj, është kaq e rëndësishme. Sepse çdo orë, çdo minut, çdo sekonde, që gjithsecili prej jush i fal kësaj qëndrese të vendosur, ështe jetë, frymëzim, besim dhe shpresë për brezat që do të vijnë. Ndaj e di se jeni me energji të plota dhe vendosmëri të madhe, jo vetëm prej forcës dhe karakterit, prej naltësisë së qëllimeve që ju kanë bashkuar këtu, që janë çështje të brendshme të gjithsecilit prej jush, por edhe prej bekimit të të madhit Zot, për sakrificën që po bëni jo thjesht për veten tuaj, por për brezat që po vijnë. Të dehur nga avujt e drogës, të korruptuar në shpirt, siç janë të korruptuar në mendje, në xhepa dhe në konto bankare, përsërisin edhe sonte qendrimin e tyre që i ndan nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, se për pushtetin e tyre, se për pasurinë e tyre, se për fatin e tyre personal, që e kanë lidhur pazgjidhshmërisht me krimin, janë gati të sakrifikojnë demokracinë, janë gati të sakrifikojnë pluralizmin dhe ta vërtisin Shqipërinë, jo 27, por 47 vite pas. E pra, ne jemi këtu, jo për të penguar askënd për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për të mundësuar për çdokënd, çdo shqiptar dhe çdo shqiptare, lirinë thelbësore në demokraci, lirinë e votës. Dhe këtë, do ta arrijmë vetëm duke penguar, vetëm duke pamundësuar, vetëm duke asgjësuar, duke kthyer në hi projektin ogurzi të krimit dhe mafias, për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve”, tha Basha.

Anulimi i koncesioneve të klientëve të Ramës

Basha shprehu dhe një herë vizionin e tij për shtetin e të nesërmes ku bëjnë pjesë; Lufta ndaj fenomenit të drogës, anulimin e koncesioneve korruptive në Shëndetësi, siç është ai i chekup-it, apo koncesioneve të tjera të klientëve të qeverisë, përmirësim të shërbimeve, etj. “Shumë, shumë ka për të humbur Edi Rama dhe shpura e tij. Herë pas here bardhaku i nxjerr të vërteta. Kemi shumë për të humbur thotë. Po, ke shumë, shumë për të humbur ti dhe oligarkët e t’u, sepse koncesionet korruptive do të anulohen nga i pari tek i fundit. Lekët e Vilma Nushit me shokë do ia kthejmë shqiptarëve dhe në radhë të parë rinisë shqiptare, e cila, do të ketë që në muajt e parë të Republikës së Re, me paratë që sot i vjedhin oligarkët e Edi Ramës, plot 200 milionë euro në vit, mos harroni janë paratë tuaja, janë paratë e taksave tuaja. Të gjitha koncesionet, do të anulohen dhe me këto para, do ta nisim me rininë shqiptare, duke i mundësuar 10 mijë të sapo diplomuarve çdo vit, një vit stazh me rrogë minimale 200 mijë lekë të vjetra, me sigurime të paguara, si një urë e sigurtë nga bankat e universitetit drejt tregut të punës dhe ky është një premtim që mund dhe do bëhet realitet vetëm me Republikën e Re, vetëm me largimin e oligarkëve të korruptuar, dhe bosi i tyre, Edi Rama. Republika e Re do të mundësojë diçka që është plotësisht e mundur nëse asgjësojmë korrupsionin galopant të republikës së vjetër, pensionin minimal prej 250 mijë lekësh në muaj për pensionistët shqiptarë, dhe rritjen mesatare prej 40 për qind, brenda 4 viteve të para të qeverisë së parë të Republikës së Re, të shqiptarëve të lirë. Por vendi, së pari duhet dhe do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të lira nga droga që shtrihet kudo, të lira nga krimi që përgjon dhe kërcënon kudo. Kjo është një kauzë e madhe, e drejtë, historike që do ta ndajë Shqipërinë mes asaj që ishte dhe asaj që do të bëhet”, tha Basha.

PD ka nisur hartimin e një ligji të ri për arsimin

Në fjalën e tij Basha përsëriti dhe një herë se aktet e para të Republikës së Re do jenë ato në interes të rinisë. Sipas tij, Partia Demokratike ka nisur punën me ekspertët e saj për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë në Shqipëri, që do të konsultohet me të gjitha grupet e interesit “Republika e Re, detyrimin e parë dhe më kryesor e ka ndaj rinisë shqiptare, ndaj të rinjve dhe të rejave shqiptare. Ata që ju droguan Shqipërinë, ata që ju mbushën vendin me drogë dhe ju treguan drogën si alternativën e vetme, ata që shpërfillën talentin tuaj, aftësitë tuaja, bukurinë e shpirtit tuaj europian, ata ju imponuan ditë pas dite, e muaj pas muaji mynxyrë pas mynxyre siç është ligji për Arsimin e Lartë, siç është kaosi për maturantët e shkollave të mesme, siç është mungesa totale e shpresës për të gjetur një vend dinjitoz pune, me pagë dinjitoze pas përfundimit të studimeve. Siç është largimi nga vendi. Nëse je i ri, i talentuar, i shkolluar, por refuzon të jesh i pandershëm, refuzon të merresh me drogë, refuzon të jesh servil, hipokrit dhe gënjeshtar, nuk të jepet mundësia, dhe ky është krimi më i madh i republikës së vjetër ndaj rinisë. Sepse është krim ndaj asaj që përfaqëson shpresën e një vendi, shpresën e një shoqërie. Premtimi i Republikës së Re nuk është për askënd më kumbues, më i prekshëm dhe aktet e para të Republikës së Re, nuk do të jenë për askënd më konkrete, se sa për të rinjtë dhe për të rejat shqiptare. Ne do ta shkulim me forcën e ligjit, të keqen që ka zaptuar vendin tonë, drogën dhe krimin. Siguria do të kthehet në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona. Shkollat tona do të jenë të sigurta, sepse horrat me mbështetje nga pushtetarët nuk do të jenë më në rrugë dhe oborre, duke kërcënuar fëmijët, nxënësit, gjimnazistët dhe studentët, por do të jenë aty ku e kanë vendin, para ligjit, prapa hekurave. Republika e Re nuk do të shpenzojë si klika e hajdutëve e republikës së vjetër, që ka hedhur 310 milionë dollarë vetëm në këto 4 muaj, vetëm për shpenzime qeveritare, për naftë, për zyra, për perde, për turpe, për vjedhje dhe hajdutëri. Paratë e Republikës së Re do të shkojnë në projekte që u shërbejnë qytetarëve dhe në radhë të parë rinisë”, tha Basha.

Exit mobile version