Kryetari i PD, Basha i bëri thirrje popullit që të jetë gati për të reaguar si çdo popull tjetër europian në mbrojtje të lirive të fituara. Basha deklaroi se Rama nuk njeh as ligjet, nuk njeh as institucionet dhe nuk njeh as ligjet ndërkombëtare.
“Kjo ndodh sepse ai është i kapur nga krimi dhe si i tillë ai do të largohet vetëm nga reagimi I fortë popullor. Duhet të jemi gati dhe në këmbë”, ishte thirrja e Bashës.
“Gjatë 48 orëve të fundit, shumë miq të Shqipërisë, kanë kërkuar të mbizotërojë arsyeja dhe interesi i shqiptarëve, interesi publik dhe Edi Rama t’i hapë rrugë një procesi politik, i cili kërkon asgjë më shumë, dhe asgjë më pak se standardin europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, një parlament legjitim, nga populli, për popullin dhe për popullin; jo nga kriminelët, të kriminelëve dhe për kriminelët. Sfidimi i hapur që Edi Rama bën, përpjekja për të vendosur 30 qershorin në qendër të debatit politik, kur tashmë 30 qershori ligjërisht nuk përbën më nga pikëpamja kushtetuese një datë zgjedhjesh, por përbën nga pikëpamja politike dhe njerëzore një datë krimi kushtetues, një akti grusht shteti dhe krimi mbi çdo shqiptar, ky sfidim bëhet me një dhe një qëllim që Edi Rama të ketë mundësinë të negociojë kokën e tij, pasurinë e tij për pushtetin e tij, të një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh që e mbajnë me serume kufomën e tij politike dhe organizatën e tij të shpartalluar kriminale të Rilindjes nga zbulimet e deritanishme dhe ato të pritshme të aktivitetit të tyre kriminal dhe korruptiv. Por ora nuk pret, koha është e pamëshirë.
Ne do të humbim javën e ardhshme për herë të katërt shanset për të hapur negociatat me Europën. Pse-ja është e shkruar e zezë me të bardhë, nga një prej vendeve që e ka zakon të flasë hapur dhe shkoqur, Mbretërisë së vendeve të Ulëta: nuk luftohet korrupsioni, nuk luftohet krimi”, tha Basha.