Klanet kriminale me përfaqësues Sajmir Tahirin janë sot bashkëkryetarë të qeverisë.
Edi Rama as nuk denjoi t’ju japë sot shqiptarëve një shpjegim se pse e shkarkoi ministrin Manjani.
Kryeministri duhet të kishte një shpjegim për njerëzit. Çfarë dinë shqiptarët nga ai? Çfarë motivimi ju ka dhënë për shkarkimin e ministrit?
Por sigurisht shqiptarët e dinë se pse. Ministri Manjani u shkarkua sepse foli hapur për krimin që ka marrë peng qeverinë, për drogën, për Balilin, për urdhërimin me telefon të gjyqtarëve nga Rama, për tenderat dhe koncesionet korruptive.
Kjo është arsyeja. Manjani theu kodin e heshtjes. Manjani theu OMERTA-n që Rama i ka imponuar një qeverie të zhytur në krim, drogë dhe korrupsion.
Deklarata e Manjanit është një tjetër konfirmim i të vërtetave që opozita ka denoncuar këto 3 vite. Propaganda qeveritare nuk mund t’i mbulojë më këto të vërteta.
Lidhjet e qeverisë me krimin, drogën dhe rrezikun për zgjedhjet e lira i denoncoi edhe një tjetër ministër i kësaj qeverie, madje kumbari i koalicionit të 1 prillit, Lefter Koka.
Por sot Edi Rama nuk ka më nevojë për asnjë aleat politik, as për Ilir Metën. Sot Edi Rama nuk ka më nevojë për një qeveri politike. Ai ka ngritur dhe fuqizuar një aleancë interesash private dhe kriminale dhe pushtetin e tij e mban në këmbë me anë të krimit dhe parasë.
Arroganca me të cilën Rama shkarkoi ministrin Manjani dhe nënshtroi Ilir Metën është shprehje e sigurisë që jep pushteti i krimit dhe i parasë. Është edhe një sinjal i qartë për këdo që guxon të përmendë apo kritikojë lidhjet e krimit me qeverinë dhe korrupsionin e qeverisë.
Me shkarkimin e Manjanit u provua edhe një herë se Edi Rama është peng i krimit dhe Ilir Meta peng i tij. Pengjet e krimit dhe korrupsionit nuk mund të luftojnë as krimin, as korrupsionin. Zgjidhja është largimi i tyre.