Basha: Rama po sjell përplasjen e pashmangshme me popullin

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje se aktet e fundit të Ramës po e çojnë atë në përplasje të pashmangshme me popullin. Basha reagoi ashpër dje pas rikthimit të Haki Çakos në detyrë, i proceduar penalisht nga Prokuroria si përgjegjës i përgjimeve të paligjshme, si dhe lirimin e Elvis Rroshit të arrestuar për fshehje të rekordeve kriminale në formularin e kriminalizimit, duke u bërë presion gjyqtarëve. Përmes një deklarate për mediat, Basha i cilësoi të dyja ngjarjet si “dorën mafioze të Ramës”.
“Ditë kritike për vendin, Rama dëshmoi se cila është drejtësia që ai do. Me presione, sulme, kërcënime kriminale, Edi Rama ia doli të përcaktojë dy vendime gjykate, që lidhen me dy prej skandaleve më të mëdhaja të qeverisjes së tij, janë përgjimet e paligjshme dhe inkriminimi i pushtetit.
Çako u kthye në detyrë, ndërsa Rroshi në shtëpi. Edi Rama i vuri gjykatat përballë dy zgjedhjeve. Nga njëra anë ishte zgjedhja për të zbatuar ligjin, por kjo me një kosto të madhe për çdo gjyqtar, pasi menjëherë do të niste linçimi, do të niste hetimi policesk e antikushtetues. Nëse zbatohej ligji, Edi Rama do të futej me brutalitet në familjen e tyre. Pra, shkurt, do t’i ekzekutonte ata publikisht.
Zgjedhja tjetër ishte të merrej një vendim si ky i sotmi, për të qenë në rregull me Edi Ramën. Nuk jam këtu për të kontestuar vendimet e gjykatave. Por për të denoncuar dorën mafioze të Edi Ramës, që i përcaktoi këto vendime. Sot, është një ditë kritike për vendin”, u shpreh Basha.
Kreu i PD theksoi se Rama po pengon hetimin mbi çështjen e përgjimeve për të fshehur përgjegjësinë e tij në këtë skandal.
“Kritike sepse garancia për të patur një hetim të pavarur, të plotë, një zbardhje të plotë të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm, ka rënë. Nuk lejon hetim Edi Rama, sepse është vetë i përfshirë, është vetë drejtpërdrejt me kufjet kriminale në vesh, duke përgjuar politikanë, deputetë, biznesmenë, përfaqësues të medias.
Ja ku kemi arritur. Krimi pranohet, nga vetë Çako dhe nga Tahiri, por hetimi, drejtësia nuk pranohet, nuk lejohet.
Pse? Sepse Edi Rama është i përfshirë dhe zbardhja e kësaj çështjeje është fundi i tij i turpshëm.
Rroshi, me 5 emra e me 5 dënime, i kërkuar edhe nga DEA amerikane për trafik droge e pastrim parash është njeriu i Edi Ramës, modeli i tij për drejtimin e bashkive. Ai duhet lënë i lirë, ndryshe çdo gjyqtar do të ishte përballur me hakmarrjen primitive të Edi Ramës”, tha Basha.
E ndërsa flitet për Reformën në Drejtësi, Basha theksoi se kapja dhe kontrolli është lloji i drejtësisë që Rama dëshmoi se kërkon.
“Sot, Edi Rama e dëshmoi me dy akte konkrete, se cila është drejtësia që ai do.
Një drejtësi që i bindet.
Një drejtësi që dëgjon zërin e tij, e kthen atë në vendim.
Një drejtësi që lexon statuset e tij në Facebook dhe orientohet prej tyre.
Një drejtësi që nuk heton krimin dhe korrupsionin e Edi Ramës.
Këtë drejtësi do ai. Asnjë lloj tjetër.
Edi Rama do një drejtësi që mund të veprojë kundër kujtdo, përveçse kundër aferave të tij, kundër krimeve të tij, kundër bandës së tij në pushtet”, tha Basha.
“Imagjinoni për një moment, sikur ai t’i bëjë zap gjykatat dhe Prokurorinë, me draftin që ka në dorë.
Imagjinoni të marrë krejtësisht në dorën e tij fatin, karrierën e çdo gjyqtari dhe prokurori në vend.
Imagjinoni një moment që të mos jetë më vetëm Kryeministri që ua ka bërë ferrë jetën qindra, mijëra shqiptarëve, por edhe kryeprokurori, kryehetuesi dhe kryegjyqtari i Shqipërisë.
Drejtësia që do të kishim, do të ishte një skuadër me juristë të bindur, ku peshorja e të drejtës do të zëvendësohej me kandarin e interesave të Edi Ramës. Kurrë nuk ka për ta patur Edi Rama këtë pushtet të paligjshëm”, tha kreu i PD.
Basha citoi se me “planin që ka për ta kapur drejtësinë, me ndërhyrjet kriminale, me përcaktimet e vendimeve prej tij, siç ndodhi sot, Edi Rama është duke provokuar thellë qytetarët”.
Kjo, tha kreu i PD, nuk është thjesht një çështje e opozitës. “Por ka të bëjë me sundimin mafioz të një bande, e cila asnjëherë nuk mori votën për të bërë këtë që po bën.
Kjo është një aventurë e rrezikshme që do të çojë Ramën në përplasjen e pashmangshme me popullin, me opozitën, me çdo qytetar në vend që nuk dëshiron qeveri mbi ligjin, që nuk mund të pranojë që Edi Rama qenka i pahetueshëm, i pagjykueshëm, i paprekshëm për krimet dhe korrupsionin e tij.
Asnjë bandë, asnjë trafikant, asnjë përdhunues, asnjë vrasës, asnjë prej atyre që ka në krah, me të cilët sundon aktualisht, nuk do ta ndihmojnë dot në përplasjen me popullin. Kjo është e sigurtë”.

Arben Shahini

Exit mobile version