Basha-Ramës: E ke kuptuar se ke humbur, kërkon të bëhesh pjesë e qeverisjes së ndryshimit. Përgjigjja ime është JO!

Basha i përgjigjet Ramës nga Ndroqi: E ke kuptuar se ke humbur, kërkon të bëhesh pjesë e qeverisjes me Aleancën për Ndryshim. Përgjigjja ime është JO! Socialistët janë vëllezërit dhe motrat tona. Votoni 9! Vendimi është në dorën tuaj!

• Basha, socialistëve: Kemi vuajtur të njëjtat probleme. Kemi të njëjtat sfida. Ejani bashkohuni me marshimin tonë drejt ndryshimit! I përgjigjet kërkesës së Ramës: JO! Nuk ka ndryshim me Edi Ramën. Votoni 9 masivisht më 25 prill!

• “Nuk ka ndryshim pa larguar Ramën.” Basha i përgjigjet kërkesës së Ramës: JO! Koha jote ka mbaruar! Thirrje socialistëve: Jemi vëllezër dhe motra, bashkohuni me ne! Votoni 9!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në Ndroq të Tiranës, i cili është pritur me entuziazëm nga qytetarët e shumtë. Gjatë ecjes Basha u ndal nga banori Arben Deda, i cili u shpreh se shtëpia i është shkatërruar nga tërmet dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë nga qeveria. Basha tha se bashkimin e madh për ndryshim më 25 prill do të jetë për rindërtimin dhe rimëkëmbjen nga pandemia.

Arben Deda: Një nga familjet e dëmtuara nga tërmeti. Një vit e gjysmë nuk kam parë asnjë lloj ndihme nga shteti. Zero! S’kam parë asnjeri me sy. Edhe tani koha e fushatës, asnjë nuk do t’ia dijë fare. Ditë për ditë rrezikojmë kokën. Nga ky shtet ne na ka ardhur në majë të hundës.
Lulzim Basha: U bënë 8 vjet që shqiptarët po vuajnë nga dështimet e këtij njeriu. Ju që keni vuajtur dyfish me tërmetin dhe e keni hequr në kurriz e dini fare mirë që ky është dështimi i radhës. Tani duhet të bëhemi bashkë për ndryshim dhe më 25 Prill, për rindërtimin, për rimëkëmbjen nga pandemia, ekonomia janë prioritetet kryesore dhe urgjentisht do të fillojmë punën për t’iu ndihmuar. Menjëherë pas votës tuaj.

Në fjalën përshëndetëse para banorëve të Ndroqit, kreu i opozitës bëri thirrje për bashkimin e të gjithëve pa dallim partiak në marshimin drejt ndryshimit të vërtet që do të bëjë të mundur një zgjim ekonomik për çdo familje shqiptare, një ekonomi të fort për të gjithë Shqipërinë, vende pune, uljen e kostos së jetesës, shpresës për të ardhmen. Kryedemokrati gjithashtu përsëriti se nuk mund të ketë bashkëqeverisje me atë që për 8 vite me radhë dështoi, kjo gjë nuk ka për të ndodhur.

Fjala e kryetarit të PD para qytetarëve të Ndroqit

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj! Mirë se ju gjej nëna e baballarë, vëllezër dhe motra, të rinj e të reja! Mirë se ju gjej dhe faleminderit për këtë pritje të ngrohtë në Ndroq, në vendin e bekuar, në vendin e punës dhe njerëzve punëtorë, në vendin e prodhimeve të njohura në mbarë Tiranën, Shqipërinë e kudo tjetër diku ku gjithmonë kam ndaluar që i vogël për të shijuar produktet tuaja, të kopshteve tuaja, të bahçeve tuaj, edhe atëherë kur puna dhe djersa e ndershme ishin një mallkim dhe jo një bekim i përhershëm për ju. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, ky është Ndroqi i punës, ky është vendi juaj, ky është vendi ynë, i nënave që duan një të ardhme për fëmijët e tyre, i kryefamiljarëve, i baballarëve që duan të sigurojnë punësim, për të rinjtë një kosto të përballueshme jete. Ky është vendi ynë i shqiptarëve që duan Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ne jemi një familje, një popull, një komb. Sot kam një thirrje për socialistët dhe socialistet e ndershëm, për mbështetësit e Partisë Socialiste në vitet e kaluara të cilët i takoj ditë për ditë tek vijnë dhe bashkohen me ndryshimin po dhe ata të cilët në zemrat e tyre e dinë që nuk mund të vazhdohet më kështu. Ju jeni vëllezërit dhe motrat tona! Ne jemi një familje, një popull, një komb.

Ju keni vuajtur njësoj si të gjithë, të njëjtat sfida, të njëjtat probleme, keni të njëjtat shpresa, të njëjtat dëshira, për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, ndaj ju ftoj ejani, bashkohuni në marshimin tonë drejt ndryshimit të vërtet që do të bëjë të mundur një zgjim ekonomik për çdo familje shqiptare, një ekonomi të fort për të gjithë Shqipërinë, vende pune, uljen e kostos së jetesës, përballueshmërinë e çmimeve të përditshme do të bëj të mundur për çdo shqiptar të ndjej përfitimet e ndryshimit që tashmë e ndjej mes jush, shpresës që ka ardhur. Ndryshimit që do ta bëjmë realitet të gjithë së bashku. Për 8 vite me radhë, për 8 vite të gjata Edi Rama dështoi në çdo fushë. Shikojeni Ndroqin, shikojeni fshatrat dhe qytetet tona, është sikur mos të kishim patur qeveri fare! 8 vite me radhë dështoi dhe tani po troket prapë në derë për të kërkuar edhe 4 vite të tjera! Tani që ka kuptuar se shumica dërrmuese e shqiptarëve duan ndryshim! Tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes me Aleancën për Ndryshim. Përgjigjja ime është jo!

Përgjigjja ime është jo, sepse siç e ka thënë dikur vet: kur ke patur 8 vjet dhe nuk i ke arritur dot ato që ke premtuar, në fakt s’ke arritur asgjë, nuk i arrin dot për 4 vite të tjera. Sot shqiptarët e dinë edhe vëllezërit e motrat tona socialiste e dinë se rreziku i vërtet, rreziku më i madh për familjet tona, rreziku më i madh për shqiptarët, rreziku më i madh për Shqipërinë është një mandat i tret për Edi Ramën. Ndaj të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshimin. Për ndryshimin e vërtet. Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën. Nuk mund të ketë qeverisje me Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij. Nuk mund të ketë bashkëqeverisje me atë që për 8 vite me radhë dështoi dhe tani kërkon dhe 4 vite të tjera, kjo nuk ka për të ndodhur. Por etja për ndryshim e shqiptarëve do të kthehet në realitet më 25 prill. 9 ditë na ndajnë, fati i shqiptarëve është në dorën tuaj, fati i familjeve shqiptare është në dorën tuaj prindër, fati i prindërve tuaj është në dorën tuaj rini e Ndroqit, e Tiranës, e mbarë Shqipërisë.

Me votën tuaj më 25 prill, ju do t’i përgjigjeni një pyetje: edhe 4 vite të tjera si këto që kaluam apo ndryshim? Ndryshim! Bashkë për ndryshim! Edhe 9 ditë na ndajnë dhe ju e dini fare mirë se ndryshimi nuk mund ta sjell ai që për 8 vite që u la në baltë. Ndryshimi do të vij duke votuar numrin 9. Votoni numrin 9 për fëmijët tuaj. Votoni numrin tuaj për të ardhmen tuaj. Votoni numrin 9 për familjet tuaja. Votoni numrin 9 për Shqipërinë europiane. Votoni numrin 9 për ndryshim. Shqipëria fiton!

Exit mobile version