Nuk do të pranohet qeveri teknike kukull

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje se Partia Demokratike, koalicioni opozitar bashkë me qytetarët nuk do të pranojnë në mënyrë kategorike krijimin e një qeverie teknike kukull apo fasadë. “Shumëkush i bindur se kjo qeveri e rënë moralisht, do të bjerë së shpejti edhe juridikisht, shtron pyetjen, paraqet dilemën nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nuk ka kohën apo pushtetin e mjaftueshëm për të shpërbërë deri në fund lidhjet kriminale që ngriti në pushtet Edi Rama dhe çeta e tij e hajdutëve të babëzitur? Sot, i sapokthyer nga Malta dhe pasi kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare që interpretojnë siç u do prapanica fjalët e aleatëve tanë, dua t’u them se: nuk kanë asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull sepse në këtë betejë nuk jemi për veten tonë, sepse në këtë betejë nuk jemi për karriget tona, në këtë betejë nuk jemi për fatin e partisë sonë, por për fatin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe ne as nuk kërkojmë as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadë. Qeveria teknike është mjeti, ndërsa kushti, beteja, nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme do të thotë në radhë të parë zbatim deri në një i ligjit për dekriminalizimin. Deri në një, do të thotë nxjerrjen nga funksionet publike të deputetëve, të kryetarëve të bashkive dhe çdo funksionari publik me rekorde kriminale”, tha Basha.
Kryedemokrati foli për rëndësinë që kanë zgjedhjet e lira në kontekstin e rimëkëmbjes ekonomike, rritjes së punësimit, rritjes së pensioneve, si dhe mirëqenies së të gjithë shqiptarëve. “Ne me zgjedhje të lira dhe të ndershme duam që këto para që vidhen ditë për ditë e nuk shkojnë për shëndetin, arsimin, pensionet, punësimin dhe rrogat e shqiptarëve, t’i vendosim pikërisht në funksion të një ekonomie që rritet dhe garanton punësim, t’i vendosim pikërisht për të rritur pensionet e shqiptarëve në mënyrë që në fund të katër viteve të para të Republikës së re të mos ketë pension nën 250 mijë lekë për shqiptarët dhe shqiptaret. Pikërisht që shëndeti publik të ketë financimin e mjaftueshëm dhe jo financimin e mjaftueshëm për Nushet me shokë, por për spitalet dhe kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve shqiptarë. Pikërisht që paratë të mos shkojnë tek Çilat me shokë, por të shkojnë tek studentët shqiptarë, të cilët të mund të studiojnë pavarësisht prej mundësive të tyre ekonomike dhe të jenë pjesë e një shoqërie të zhvilluar dhe europiane”, u shpreh Basha.
Kreu i PD bëri të ditur se pa luftën dhe zhdukjen e krimit në pushtet vendi nuk do të mund të zhvillohet dot kurrë. “Por asgjë nuk ka për të ndryshuar. Asgjë nuk do të ndryshojë sa kohë që krimi është në pushtet. Nuk do të ndryshojë sa kohë që krimi është në pushtet dhe pushteti i inkriminuar rrezikon zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nuk ka për të pasur ekonomi të zhvilluar, as punësim për shqiptarët, as liri për sipërmarrjen, as mundësi për studentët, as shëndetësi më të mirë, as pensione më të larta sa kohë që vendi është nën zgjedhën e krimit. Prandaj e bëjmë këtë betejë dhe prandaj do ta bëjmë, derisa kjo betejë të kurorëzohet me fitoren e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë evropiane, demokratike. Hapim një derë të re me këtë lëvizje madhështore, popullore. Ndaj dhe është një lëvizje historike jo për epos, as për histori për hir të historisë, por sepse këtu nga ky shesh do të çlirohet ekonomia, punësimi, shëndetësia, arsimi, pensionet, mirëqenia sociale për të gjithë shqiptarët. Duke çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit me zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh kreu i PD.

Vendet e BE i kanë vendosur “kryqin” Ramës

Basha ka ironizuar dje emblemën që Rama mori në Francë dy ditë më parë, ndërsa deklaroi se, “kryqin që Franca i vendosi në gjoks, vendet e BE ia kanë vendosur në ballë”. Basha reagoi edhe ndaj përpjekjeve të Ramës për të manipuluar qëllimisht rezolutën e PPE. “Tani për mashtruesin që nuk di të lexojë Kushtetutën, po na lexonka rezolutën e partisë sonë, se punë tjetër nuk ke dhe lexon rezolutën e partisë sonë, po të them se të është vënë kryqi në Francë në gjoks, po në Maltë ta kanë vënë kryqin në kokë, të gjitha vendet anëtare të BE-së. Ta kanë vënë kryqin sepse tashmë e gjithë bota dhe Europa e dinë që ti e ke shndërruar Shqipërinë në një parajsë të krimit të organizuar, ku lulëzon kanabisi, ku kalon heroina, ku përpunohet kokaina dhe ku pastrohen paratë e zeza të krimit të organizuar shqiptar dhe rajonal. Të gjithë e dinë, të gjithë e dinë që je tashmë, barrë, je kosto, je kërcënim jo thjesht për popullin shqiptar, por për mbarë rajonin, stabilitetin rajonal, demokracinë dhe vetë aspiratat europiane të popujve të Ballkanit”.

Basha-Ramës: Nuk ke parë gjë akoma!

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi Ramën dje se opozita nuk i largohet kushtit të saj për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa hodhi poshtë çdo përpjekje të Ramës për të tërhequr opozitën nga kauza e saj. “Bëhu gati, sepse me të vërtetë s’ke parë gjë akoma. Si the, negociata me dy kushte jo qeveri teknike dhe zgjedhjet të mbahen më 18 qershor?! PO, qeveri teknike dhe: zgjedhje vetëm të lira e të ndershme, vetëm me çmontimin e krimit, vetëm kur vota e çdo shqiptari të garantohet. Këto janë kushtet e sovranit, vëri gishtin kokës ose përndryshe do të pendohesh shumë shpejt”, u shpreh Basha. I sapokthyer nga Malta ku mori pjesë në samitin e Popullorëve Europianë, Basha ndaloi në sheshin e lirisë, ku në ditën e 42 të qëndresës pedagogë e studentë bashkëbiseduan mbi situatën e rëndë me të cilin arsimi përballet sot. Basha përcolli mesazhin e mbështetjes së fuqishme të Popullorëve Europianë, si dhe krerëve të lartë të institucioneve të BE ndaj kauzës së ngritur nga opozita dhe qytetarët për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Dua të falënderoj nga zemra 70 pedagogët që gjenden sot këtu në këtë çadër të lirisë, në këtë shesh të lirë bashkë me qindra mijëra qytetarë që përbëjnë tash 42 ditë jo thjesht dhe as vetëm opozitën; kjo ditë e 42-të, bekon para kombit, para historisë dhe para Zotit këtë lëvizje, si një lëvizje kombëtare, si një lëvizje popullore, si një lëvizje historike që tejkalon kufijtë e opozitës dhe çdo partie politike. Ju sjell përshëndetjet dhe solidaritetin e Partisë Popullore Europiane dhe partive tona simotra, nga Kongresi i mbajtur në Maltë. Ju sjell mbështetjen e liderëve e partive tona simotra në qeveri apo në opozitë, anembanë Bashkimit Europian dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian”, u shpreh Basha. Kreu i PD përcolli edhe mesazhin e palëkundur të sheshit të lirisë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga beteja deri në plotësimin e kushtit për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Beteja e nisur më 18 shkurt do të vazhdojë deri në fitoren e plotë, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike, që do të bëjë detyrat e ngarkuara nga populli. Ky është mesazhi që kemi thënë çdo ditë. Ky është mesazhi që përsëris sot, jo vetëm për ju, bashkëluftëtarë të nderuar, bashkëqytetarë që jeni ngritur për Republikën e re, por për çdokënd që ka veshë të dëgjojë dhe ka mendje të kuptojë”, u shpreh kreu i PD. E ndërsa pushteti tashmë është në grahmat e fundit të tij, Basha tha se tashmë lëvizja e opozitës po njeh sukses të gjithanshëm deri në fitoren e kauzës së tij. “Ndaj, orët i ke të numëruara. Kjo lëvizje popullore ia ka dalë me sukses të tregojë më në fund të vërtetën që je përpjekur ta fshehësh me paratë e drogës dhe korrupsionit që kanë blerë stacionet televizive, gazeta, firma lobimi. Po, po, sepse këta di ti paguash mirë për të gënjyer, për të fshehur të vërtetat, i  paguan me para, i paguan me çeqe, i paguan me vila. Por koha e gënjeshtrës ka mbaruar. E vërteta si ky diell pranveror e ka përvëluar, e vërteta po fiton dhe e drejta do të fitojë me zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët dhe Shqipërinë evropiane”, tha Basha.

Paratë e krimit dhe korrupsionit do t’u kthehen qytetarëve

Kreu i PD, Basha zbardhi dje takimin e tij me kreun e Europolit, Wainëright, të cilit i ka kërkuar një protokoll special bashkëpunimi për të vërtetuar brenda 24 orëve shenjat e gishtave të politikanëve të inkriminuar. Basha deklaroi se beteja e opozitës është një betejë dhëmbë për dhëmbë me krimin, e cila do të vijojë deri në mposhtjen e krimit dhe largimin e kthetrave të tij nga politika. “Nga Malta kthehem me garancitë e një miku të hershëm, drejtorit të Përgjithshëm të EUROPOL-it, me bazë në Hagë, Rob Wainëright, me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë si ministër i Brendshëm për të hequr vizat për qytetarët shqiptarë dhe të cilit i kam kërkuar një protokoll special bashkëpunimi, që do të vërtetojë, jo për një muaj, as për një javë, por brenda ditës shenjat e gishtave të kriminelëve politikanë dhe politikanëve kriminelë. Prandaj ju them, ju gënjen mendja, kjo nuk është shfaqje, ky nuk është teatër, kjo është luftë dhëmbë për dhëmbë me krimin në politikë dhe politikën e inkriminuar. Kjo është luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë demokratike, europiane dhe euroatlantike, ose Shqipërinë e bërë zap nga krimi. Dhe në këtë betejë kemi vënë zemrën tonë, pasionin tonë, por dhe vendosmërinë tonë”, tha Basha.
Kreu i PD tha se çdo kriminel do të largohet nga funksionet publike, para se në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai bëri të ditur se një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar në takimin me kreun e Europol ishte edhe gjurmimi i parave që vjedhin dhe fshehin pushtetarët. “Prandaj me Rrosh e me Bush, e me gjithë sa jeni nuk keni parë asgjë akoma! Shefave tuaj po ju jap edhe lajmin tjetër, e kanë marrë me shkrim mbrëmë; ose s’kanë fjetur, ose kanë shtuar dozën. S’ua kemi ne fajin, fajin e keni vetë: Çështja e dytë që kam diskutuar me Rob Wainëright ka të bëjë me atë që ne, nuk do të paguajmë ne miliona euro kompani private të shtrenjta për të gjurmuar se ku i keni futur ju paratë që u keni vjedhur shqiptarëve dhe paratë e drogës. Sepse në bashkëpunim me EUROPOL-in do t’i gjurmojmë deri në ishujt më të largët dhe do t’ua konfiskojmë paratë që u keni marrë qytetarëve shqiptarë. Nuk ka vrimë miu ku t’i fshihni paratë e vjedhura dhe paratë e drogës, rrjeta europiane dhe amerikane po tendoset oqean më oqean. Peshq të mëdhenj dhe peshq të vegjël, bëhuni gati, paratë që ua keni vjedhur shqiptarëve do t’i dorëzoni deri në një! Ne luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky është një parim i madh. Ata luftojnë për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë që kanë vënë përmes korrupsionit dhe drogës dhe këto janë interesa të mëdha”, u shpreh kreu i PD.

Enton DACI

Exit mobile version