Kryetari i PD, Basha ka paralajmëruar sot Ramën se nëse gazetares Lala, banesa e prindërve të të cilës u sulmua sot me breshëri automatiku, do ti preket një fije floku , atëhere përgjegjës i vetëm do të jetë kreu i qeverisë. “Fol me horrat e tu në burgje dhe jashtë tyre dhe gjej përgjegjësit”, i’u drejtua Basha-Ramës.
Deklarata e plotë
“Në vendin tonë të stërmunduar nga krimi dhe korrupsioni, sot u realizua dhe ajo pjesë e skenarit që u takon vendeve të sunduara nga krimi:
Familja e gazetares Klodiana Lalla është sulmuar sot herët në mëngjes me breshëri automatiku dhe plumbat kanë goditur dhomën ku flenë vajzat e saj në shtëpinë e prindërve të saj. Mesazhi mafioz është i qartë: Kush nuk i bindet krimin, e ka fundin të shpejtë!
Dua të shpreh mbështetjen time për çdo gazetar të palëkundur nga krimi, u them atyre dhe çdo shqiptari që nuk do të qeveriset nga krimi: Duhet të luftojmë, duhet të përballemi! Sa herë media hesht, krimi triumfon!
Sulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala, e cila së fundi nxori në dritë lidhjet e deputetit të Ramës Jurgis Çyrbja me bandën e Shullazit…
Prej pesë vitesh krimi triumfon se bashkëqeverisë me Edi Ramën. Krimi kontrollon kupolën e Ministrisë së Brendshme. Prej Edi Ramës sot shteti nuk ka prokurori, nuk ka qeveri, ndaj qëllohen me armë gazetarë e shantazohen gjyqtarë, grabiten e rrëmbehen qytetarë.
Edi Rama të lërë lotët e krokodilit dhe të gjejë autorët e sulmit me armë. E ka fare të thjeshtë: të flasë me banditët e vet dhe horrat brenda e jashtë burgut që t’i gjejë.
Sot kam dhe një mesazh për Edi Ramën. Do të mbash ti përgjegjësi i vetëm, nëse gazetares Klodiana Lala dhe çdo gazetari që nuk ha bukën tënde u preket qoftë edhe një fije floku nga banditët dhe horrat që ke në urdhrat e tua!
Sa kohë që kryeministri i vendit është i lidhur me krimin, vendi do të jetë në qeverisjen e bandave”, u shpreh Basha.