Basha-Ramës: Nuk do ketë paqe për ty

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje se muri që mban të izoluar Shqipërinë është muri i krimit, i drogës dhe i korrupsionit qeveritar. “Është mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Kreu i opozitës reagoi ashpër ndaj deklaratave qesharake të Ramës, i cili po përpiqet të gjejë alibi për t’i shpëtuar përgjegjësisë për moshapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Shqetësimi kryesor i liderëve europianë për Shqipërinë është depërtimi i krimit në politikë, droga dhe korrupsioni. Kjo, i është bërë e qartë Edi Ramës nga çdo politikan që ka takuar, pa asnjë përjashtim, më është bërë e qartë edhe mua si kryetar i opozitës.
Shikoni mediat shtetërore italiane, gjermane, zvicerane, austriake, britanike, për të kuptuar se çfarë e shqetëson realisht Europën”, tha Basha.
Ai i ka kërkuar Ramës të mbyllë gojën dhe të mos vijojë sulmet don kishoteske ndaj përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë. “Në emër të opozitës kam një thirrje të thjeshtë për Edi Ramën: Qepe! Mjaft më me sulmet e turpshme prej Don Kishoti ndaj politikanëve më të lartë nga Amerika në Austri, në Gjermani, në Holandë, në Greqi e kudo.
Mjaft më, duke shpallur armik opozitën dhe shumicën e popullit tënd!”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka paralajmëruar se Rama nuk do të mund të gjejë kurrë qetësi sa kohë vijon të mbajë të lidhur veten me krimin e organizuar, drogën dhe korrupsionin.
“Nuk do të ketë kurrë paqe dhe përparim për Shqipërinë me drogë, krim dhe kriminelë në politikë. Nuk do të ketë paqe as për ty, nëse vazhdon të fshehësh dhe mbështesësh drogën dhe krimin”, tha Basha.
Një propozim të ri ka hedhur Basha në tryezën e qeverisë, duke i kërkuar amendimin e ligjit të Vettingut duke iu përmbajtur marrëveshjes dhe aktit kushtetues të firmosur mes pozitës dhe opozitës më 21 korrik. “Në lidhje me Vettingun i bëj thirrje Edi Ramës që të amendojmë ligjin pa pasur nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam gati që tani.
Kushtetuta thotë se Vettingun duhet ta bëjë Kuvendi, kurse Edi Rama do që Vettingun ta bëjë ai vetë me drejtorët dhe vartësit e tij.
Arsyeja është e qartë. Si do ta mbrojë ndryshe krimin dhe korrupsionin”, tha Basha. Megjithëse propozimi i Bashës është një sfidë për të zhbllokuar një nga kriteret e BE, Rama e ka të pamundur që të mund të lejojë këtë proces, pasi qëllimi i tij nuk është bërja e drejtësisë, por kapja e saj.
“Edi Rama nuk do zgjidhje për Vettingun. Ai e ka Vettingun pretekst për të mbuluar dështimin e tij. Sepse zgjidhja është e thjeshtë dhe mund të bëhet menjëherë, që sot, që tani, duke respektuar Kushtetutën e votuar me konsensus. Ai vetë kryeministri, nuk ka nevojë të presë Vettingun, por të bëjë pjesën e tij”, tha Basha.
Për kryetarin e opozitës është e qartë se Rama nuk do Vetting përndryshe ai duhet të kishte larguar që më parë, por edhe tani bandën e krimit që ka në Parlament dhe në Bashki.
“Nëse Edi Rama do vërtet pastrimin e politikës dhe drejtësisë nga krimi dhe korrupsioni, le të shkarkojë që sot Elvis Rroshin i dënuar për përdhunim dhe trafik droge nga drejtësia e Italisë dhe e Zvicrës. Për aq kohë sa Edi Rama mban në politikë Rroshin, Bushin, Prengën dhe kriminelët e tjerë, përbetimet e tij për drejtësi dhe Vetting janë përralla.
Unë, Partia Demokratike dhe çdo shqiptar i ndershëm e duam Shqipërinë në Europë. E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pa krim, pa korrupsion dhe me zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Enton DACI

Exit mobile version