Dhe mund të vazhdoj kështu me orë të tëra, duke numëruar të këqijat dhe poshtërsitë që i keni bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë, nga aferat më të vjetra, tek ato më të reja, si ajo e portit të Durrësit.
Nga dështimi i reformës në arsim, te kolapsi nën peshën e PPP-ve korruptive, i reformës në shëndetësi.
Nga reforma e falimentuar territoriale, që u qëndis si një këmishë force për t’u shërbyer interesave tuaja politike, por jo qytetarëve, tek e sëmura e madhe, që është reforma në drejtësi.
Një e sëmurë që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur dhe e rrezikuar nga virusi i korrupsionit i kësaj pakice që e ka kapur për të penguar ndëshkimin e merituar të eksponentëve të saj të korruptuar e të lidhur me krimin!
E pas kësaj ekspozeje të shkurtër, që shqiptarët e njohin mirë sepse pasojat i kanë vuajtur dhe i vuajnë në lëkurën e tyre, pyetja që ngrihet është ku i gjetët votat?
Dhe përgjigja e menjëhershme vjen prej një tjetër raporti ndërkombëtar, atij të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon masakrën zgjedhore.
Aty thuhet se ka patur blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve.
Se partia në pushtet dhe shteti janë shkrirë në një.
Se asetet publike janë keqpërdorur në avantazh të partisë në pushtet, pra abuzim me pushtetin dhe funksionet publike!
Keni rritur fiktivisht punësimin në administratën publike, duke shtuar mbi 12 mijë vetë, për qëllime elektorale, keni ushtruar presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet.
Raporti thotë se keni përdorur fonde e rindërtimit për të ndikuar votën.
Keni përdorur legalizime në këmbim të votës.
Keni vjedhur të dhënat private dhe personale të shqiptarëve duke ngritur sistemin kriminal të patronazhistëve për të ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve.
Keni përdorur grupe kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve.
Keni ndryshuar Kushtetuën në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ndryshuat për qëllimet tuaja fletën e votimit, cka solli numër rekord votash të pavlefshme.
Po ashtu raporti flet edhe për përdorim e turpshëm të komitetit politik të ekspertëve, për të mbyllur kufijtë dhe për t’iu mohuar të drejtën e votës qindra-mijëra shqiptarëve në emigrim.
Mjafton një nga rekomandimet prioritare që ti vërë vulën rrëzimit të këtye zgjedhjeve, po ua lexoj: Shteti duhet te garantojë të drejtën për një votë të lirë dhe të fshehtë. Duhet ndalur cdo forme presioni për të zbuluar nëse dhe si qytetarët kanë votuar. E keni lexuar apo jo? Ngjan si pika uji me raportin e Bjellorusisë së Lukashenkos. Mjafton kjo fjali që rëndon si gur varri mbi zgjedhjet e vrara.
Kjo, të dashur bashkëqytetarë, është vetëm ajo që vëzhguesit e huaj kanë konstatuar për masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Por ju e dini mirë se ajo ishte shumë më shumë se kaq, ndaj dhe ndërthurja e partisë, krimit dhe oligarkisë, e kanë deligjitimuar rezultatin e një procesi zgjedhor që nuk kishte lidhje me demokracinë dhe është i papranueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe pretendent për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ndaj edhe imponimi i një realiteti të rremë nuk zgjidh asgjë për shqiptarët, problemet e të cilëve janë dhe do të jenë po ato që kanë pasur para masakrës zgjedhore, për sa kohë ata që kanë prodhuar këtë gjendje ekonomike, politike dhe sociale, ndalën dhunshëm ndryshimin.
Kështu vdesin demokracitë. Kështu humbet Shqipëria dhe fiton autoritarizmi!