Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje eurodeputetët anëtarë të Komisionit parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri. Zoti Basha ka kërkuar që ky sesion i komitetit të përbashkët të vlejë për të bërë një thirrje për zbatimin e ligjit, për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, për reformën zgjedhore që garanton kushtet për zgjedhjet demokratike, për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.
– Zoti Fleckenstein tha nga Shkodra dy ditë më parë se kishte marrë garanci nga ju?
Partia Demokratike ka një qëndrim koherent, të parashikueshëm dhe transparent karshi qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar.
Ky qëndrim është për një reformë që nuk mbron, por lufton korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Dhe për këtë Partia Demokratike që prej fillimit ka bërë propozimet e saj, kritikat e saj që janë pranuar dy herë nga Komisioni i Venecias dhe që tashmë janë materializuar në formën e propozimeve mbi draftin përfundimtar të propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë.
Pra, kemi një propozim, i cili po diskutohet në Grupin parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht i është dhënë edhe ekspertëve ndërkombëtarë se si do të zgjidhim ato çështje, ato detyra që ka lënë “Venecia”, vendimmarrjen dhe arkitekturën e sistemit.
Partia Demokratike ka bërë propozimet e saj, presim që mazhoranca të cilës i takonte të kishte bërë propozimet për dialogun politik të vendosë për këto. Megjithatë nuk e ka bërë, duket se sa shumë e do reformën, duket se sa e interesuar është për kalendarin e reformës.
Ne i kemi marrë këto përgjegjësi, i kemi bërë këto propozime dhe presim që përmes dialogut politik, të ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, t’i japim formë në mënyrë që Reforma në Drejtësi të përparojë dhe paketa kushtetuese t’i hapë rrugën miratimit të ligjeve.
Sigurisht ky është një proces formal, legjislativ. Shqetësimi më i madh që ngrita sot me europarlamentarët është zbatimi i ligjit.
Shqipëria ka një ligj antimafie, i cili kërkon konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. Këtu kemi një ministër të Brendshëm që jo vetëm nuk i konfiskon pasuritë, nuk bën hapat e duhur për të konfiskuar pasuritë e mafies, por merr mafien në telefon dhe i thotë se nuk e keni nga mua.
Kemi një ligj për dekriminalizimin që kërkon që Roshi me kompani të largohen nga mandati i fituar në kundërshtim me këtë ligj. Roshi kërcënon tashmë jo deputetin e opozitës, por deputetin e mazhorancës dhe Kryeministri qëndron si kukudh pa thënë asnjë fjalë. Që do të thotë se aprovon në heshtje, merr autorësinë me heshtje të përdorimit të Roshit dhe roshëve për të vetmit rol që i ka sjellë në politikë, për të kërcënuar, për të shantazhuar në këtë rast deputetët e vet partisë së tij.
Kemi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e prishura në Shqipëri dhe nuk kemi akoma asnjë sinjal të qartë të vullnetit të kësaj mazhorance për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi ligje kundër kultivimit të kanabisit dhe Shqipëria po lulëzon me kanabis nga jugu në veri. Problem nuk janë ligjet, problem është zbatimi i ligjit dhe zbatimi i ligjit është detyra parësore dhe kryesore e qeverisjes.
Kjo qeveri ka dëshmuar se nuk është e aftë dhe se nuk ka vullnet të zbatojë ligjet e Republikës së Shqipërisë. Kjo qeveri ka dëshmuar e në veçanti ky Kryeministër ka dëshmuar se është në shtrat me krimin e organizuar dhe së bashku i kanë dhënë Shqipërisë rekordet më të zeza të prodhimit të drogës, të trafikimit të drogës, të mbrojtjes së narkotrafikantëve dhe kokave të krimit të organizuar përmes Policisë së Shtetit dhe të korrupsionit në nivelet më të larta 25 vite demokraci.
Zbatimi i ligjit është pra problemi, shteti ligjor i nëpërkëmbur e bashkë me to dhe të drejtat e liritë e qytetarëve për interesat e mafies, narkotrafikantëve dhe oligarkisë. Ndaj bashkë me europarlamentarët duke ndarë këtë shqetësim, kam kërkuar që ky sesion i komitetit të përbashkët të vlejë për të bërë një thirrje për zbatimin e ligjit, shtetit ligjor, për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Për reformën zgjedhore që garanton kushtet për zgjedhjet demokratike. Dhe për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron Koçon, Shullazin, Balilajn, por një Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.